Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çmimi për nusen mund të përfshinte edhe kafshë

A e dini?

A e dini?

Pse paguanin çmim për nusen izraelitët e lashtë?

NË KOHËT e lashta, familja e dhëndrit paguante një çmim për nusen kur kërkonte dorën e vajzës. Ky çmim mund të përfshinte sende me vlerë, kafshë ose pará. Ndonjëherë, çmimi për nusen paguhej duke punuar pa pagesë, si Jakobi që pranoi të punonte shtatë vjet për vjehrrin, që të merrte për nuse Rakelën. (Zan. 29:17, 18, 20) Por, pse paguhej çmimi për nusen?

Një studiuese e Biblës, Karol Majërs, thotë: «Çmimi për nusen mund ta kompensonte familjen e saj ngaqë humbte një krah pune, çka ishte e rëndësishme për familjet [që merreshin me bujqësi].» Gjithashtu, çmimi për nusen mund të forconte miqësinë mes familjeve që kishin lidhur krushqi. Ato lidhje familjare mund të bëheshin burim ndihme në kohë të vështira. Gjithashtu, çmimi për nusen tregonte se një vajzë ishte e fejuar dhe së shpejti do të ishte nën kujdesin dhe mbrojtjen e të shoqit, jo të babait.

Çmimi i nuses nuk nënkuptonte se vajza ishte një objekt që mund të shitej ose të blihej. Një libër për jetën në Izraelin e lashtë thotë: «Detyrimi për t’i paguar familjes së vajzës një shumë parash, ose barasvlerësin e tyre, në pamje të parë krijonte përshtypjen se martesa në Izrael ishte një shitblerje. Por [çmimi për nusen] duket që ishte një kompensim për familjen e saj, jo një çmim që paguhej për vajzën.»—Ancient Israel—Its Life and Institutions.

Sot në disa vende, është akoma traditë të paguash një çmim për nusen. Kur kërkojnë një çmim për nusen, prindërit Dëshmitarë bëjnë kujdes që ‘arsyetueshmërinë e tyre ta njohin të gjithë’ duke mos kërkuar më tepër se ç’është e arsyeshme. (Filip. 4:5; 1 Kor. 10:32, 33) Kështu tregojnë se nuk janë «lakmues parash». (2 Tim. 3:2) Gjithashtu, kur nuk kërkojnë një çmim të paarsyeshëm, dhëndrit të ardhshëm nuk do t’i duhet ta shtyjë martesën derisa të ketë fituar mjaft pará sa të paguajë çmimin për nusen. As nuk do të detyrohet ta lërë shërbimin e pionierit për të punuar në kohë të plotë që të paguajë çmimin stratosferik për nusen.

Në disa shtete, çmimi për nusen kërkohet me ligj. Në këto raste, prindërit Dëshmitarë u binden këtyre ligjeve. Pse? Sepse Fjala e Perëndisë kërkon që shërbëtorët e tij ‘të jenë të nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta’ dhe t’u binden ligjeve që nuk bien ndesh me ligjet e Perëndisë.—Rom. 13:1; Vep. 5:29.