Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta rrënjosni dashurinë për Perëndinë në zemrën e fëmijës suaj?

Si ta rrënjosni dashurinë për Perëndinë në zemrën e fëmijës suaj?

Si ta rrënjosni dashurinë për Perëndinë në zemrën e fëmijës suaj?

SOT ka shumë gjëra që ia vështirësojnë një njeriu zhvillimin e një marrëdhënieje të ngushtë me Perëndinë Jehova. (Psalmi 16:8) Siç ishte profetizuar, jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». Shumica e njerëzve janë «kënaqësidashës në vend se perëndidashës». (2 Timoteut 3:1-5) Po, dashuria e pastër për Perëndinë është vërtet e rrallë në botën e sotme.

Nuk mund të presim që dashuria për Perëndinë të zhvillohet rastësisht në zemrën e një fëmije. Kjo dashuri për Perëndinë Jehova duhet rrënjosur në zemrën e fëmijëve tanë. Si mund ta bëjmë këtë?

Të komunikojmë me zemër të hapur

Mund ta rrënjosim dashurinë për Perëndinë në zemrën e fëmijëve tanë, nëse vetë zemra jonë është e mbushur me dashuri për Të. (Luka 6:40) Bibla e tregon këtë kur thotë: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde. Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Ngulitua ato bijve të tu.»​—Ligji i përtërirë 6:4-7.

Si mund ta rrënjosim dashurinë për Perëndinë në zemrën e fëmijës? Së pari, duhet të dallojmë se çfarë ka ai në zemër. Së dyti, ne vetë duhet të zbulojmë se çfarë kemi në zemër.

Kur ishte rrugës për në Emaus me dy dishepuj, Jezu Krishti në fillim i nxiti ata që të shprehnin shpresat dhe shqetësimet e tyre. Vetëm pasi i dëgjoi për ca kohë, Jezui ua ndreqi mënyrën e të menduarit duke u shpjeguar Shkrimet. Më vonë ata thanë: «A nuk na digjej zemra kur ai na fliste?!» Ajo bisedë ishte një shembull i komunikimit me zemër të hapur. (Luka 24:15-32) Si mund të dallojmë ndjenjat e fëmijës sonë?

Në lidhje me komunikimin me zemër të hapur, kohët e fundit u pyetën disa prindër, të cilët kanë fëmijë të rritur ose pranë moshës madhore dhe që janë shembuj besimi. Për shembull, Gleni nga Meksika ka rritur katër fëmijë. * Ai thotë: «Një komunikim i lirshëm midis prindërve dhe fëmijëve nuk ndodh vetvetiu. Gruaja dhe unë i linim mënjanë gjërat më pak të rëndësishme që të kalonim kohë me fëmijët. Kur ata ishin adoleshentë, disa herë qëndronim gjithë mbrëmjen me ta, duke folur për çfarëdo gjëje që u vinte në mendje. Po kështu gjatë vakteve, duke dëgjuar bisedat e tyre mund të dallonim problemet dhe me butësi ndreqnim ndonjë prirje të gabuar, shpesh pa u rënë në sy.»

Të komunikojmë me zemër të hapur përfshin gjithashtu të zbulojmë se çfarë kemi ne vetë në zemër. Jezui tha: «Njeriu i mirë nxjerr atë që është e mirë nga thesari i mirë i zemrës së vet. . . . Sepse goja e tij flet nga mbushullia e zemrës.» (Luka 6:45) Toshiki, tre fëmijët e të cilit shërbejnë në kohë të plotë në Japoni, thotë: «U thosha shumë herë atyre pse arrita të kisha besim te Jehovai—si arrita të besoja me gjithë zemër se ai ekziston dhe si më ka bindur përvoja ime në jetë se Bibla është e vërtetë dhe se është udhëheqja më mirë.» Sindi nga Meksika thotë: «Burri lutej gjithmonë me fëmijët. Ata e dinin se Jehovai nuk ishte imagjinar kur dëgjonin shprehjet e tij të përzemërta.»

Ndikimi i fuqishëm që ka shembulli ynë

Edhe më e fuqishme se fjalët është mënyra jonë e të jetuarit, sepse ajo u tregon fëmijëve se sa e duam Perëndinë. Duke vërejtur bindjen e Jezu Krishtit ndaj Jehovait, njerëzit mund të shihnin se sa e thellë ishte dashuria e tij për të. Jezui tha: «Që bota ta dijë se unë e dua Atin, ashtu si Ati më ka urdhëruar të bëj, kështu po bëj.»​—Gjoni 14:31.

Garëthi, një Dëshmitar i Jehovait nga Uellsi, thotë: «Fëmijët duhet të shohin se ne e duam Jehovain dhe se përpiqemi t’i bëjmë gjërat si dëshiron ai. Për shembull, fëmijët e mi shohin se, duke iu bindur asaj që thotë Perëndia, unë i pranoj gabimet e mia. Tani edhe ata përpiqen të veprojnë kështu.»

Gregu, një australian, thotë: «Donim që fëmijët të shihnin se jeta jonë përqendrohej tek e vërteta. Kur merrnin vendime për punën ose zbavitjen, së pari shqyrtonim se si do të ndikonin këto te detyrimet tona të krishtere. Sa kënaqemi kur shohim se edhe vajza jonë 19-vjeçare ka të njëjtin qëndrim për shërbimin që po kryen si pioniere ndihmëse.»

T’i ndihmojmë fëmijët të kuptojnë Perëndinë

Nuk mund të duam ose të kemi besim te dikush që nuk e kuptojmë. Kur apostulli Pavël donte që të krishterët në Filipi të kishin gjithnjë e më shumë dashuri për Jehovain, ai shkroi: «Lutem vazhdimisht që dashuria juaj të jetë gjithnjë e më e madhe në njohurinë e saktë dhe aftësinë e plotë dalluese.» (Filipianëve 1:9) Falkonerjo nga Peruja, i cili ka katër fëmijë, thotë: «Leximi dhe studimi i rregullt i Biblës me fëmijët u forcon besimin. Ndonjëherë nuk arrija të studioja me ta dhe shihja se dashuria e tyre për Perëndinë dobësohej.» Geri nga Australia thotë: «Shpesh u tregoj fëmijëve dëshmi se profecitë e Biblës po plotësohen. Gjithashtu u theksoj dobitë që vijnë nga zbatimi i parimeve biblike. Studimi familjar i Biblës në mënyrë të rregullt ka qenë çelësi për t’u ndërtuar besimin.»

Njohuria do t’i prekë më shumë zemrën fëmijës në një atmosferë dinjitoze, por të qetë, në të cilën mësimi është një kënaqësi. (Jakovi 3:18) «Gjatë studimit familjar të Biblës përpiqeshim të mos i qortonim fëmijët, edhe pse ata bëheshin paksa të lëvizshëm»,—thotë Shoni dhe Polina nga Britania, të cilët kanë katër fëmijë. Ata thonë më tej: «E drejtonim studimin në mënyra të ndryshme. Disa herë u thoshim fëmijëve që ta zgjidhnin vetë argumentin. Përdornim videot që ka prodhuar organizata e Jehovait. Disa herë e shihnim përsëri një pjesë ose ndalnim videon që të diskutonim për të.» Kimi, një nënë tjetër nga Britania, thotë: «Përgatitem me kujdes për studimin familjar, në mënyrë që të bëj pyetje të cilat i nxisin fëmijët që të mendojnë. Kënaqemi me studimin dhe qeshim shumë.»

Zgjedhja e shoqërive

Dashuria për Jehovain dhe çmueshmëria për adhurimin e vërtetë mund të zhvillohen më lehtë te fëmijët tanë nëse rrethohen nga njerëz që janë miq të Perëndisë. T’i rregullojmë gjërat në atë mënyrë që fëmijët të shoqërohen me shokë me të cilët mund të nxjerrin dobi duke folur e duke luajtur, mund të kërkojë përpjekje. Por ia vlen! Gjithashtu ia vlen t’u krijojmë mundësi fëmijëve të takojnë Dëshmitarë të Jehovait që e kanë bërë shërbimin e plotkohor karrierën e tyre në jetë. Shumë prej tyre që kanë zgjedhur këtë rrugë vepruan kështu ngaqë shoqëroheshin me shërbëtorë të zellshëm të Perëndisë. Një motër që u bë misionare thotë: «Në shumë raste prindërit e mi ftonin pionierë për të ngrënë së bashku. Dukej kaq qartë se ata ishin të lumtur për shërbimin që kryenin, saqë edhe unë doja t’i shërbeja Perëndisë në të njëjtën mënyrë.»

Sigurisht, qëndrimi i fëmijëve tanë mund të ndikohet për mirë ose për keq. Prandaj rreziqet e shoqërive të këqija vënë në provë aftësitë tona si prindër. (1 Korintasve 15:33) Është një art t’i mësosh fëmijët se si të shmangin shoqëritë me ata që nuk e duan Jehovain ose nuk e njohin atë. (Proverbat 13:20) Shoni i përmendur më sipër thotë: «U mësonim fëmijëve që të kishin raporte miqësore me shokët e shkollës, por këto marrëdhënie të mjaftoheshin vetëm në shkollë. Fëmijët tanë e kuptonin pse nuk duhej të merrnin pjesë në veprimtaritë jashtëshkollore ose në aktivitetet sportive të shkollës.»

Vlera e stërvitjes

Kur i stërvitim fëmijët që t’u shpjegojnë të tjerëve besimin e tyre, i ndihmojmë të gjejnë kënaqësi duke shprehur dashurinë e tyre për Perëndinë. Marku që jeton në Shtetet e Bashkuara thotë: «Donim që djemtë tanë të kuptonin se është një kënaqësi t’u flasësh të tjerëve në çdo kohë për besimin tënd, e jo vetëm kur merr pjesë në shërbim në mënyrë formale. Kështu, kur shkojmë diku për t’u çlodhur, si për shembull, në një park, në plazh ose në një pyll, marrim me vete Biblat dhe literaturë biblike e u flasim njerëzve që ndodhen aty për gjërat që besojmë. Djemtë kënaqen vërtet duke dëshmuar me ne në këtë mënyrë joformale. Ata marrin pjesë në biseda dhe flasin për besimin e tyre.»

Apostulli i moshuar Gjon ndihmoi shumë veta që të rritnin dashurinë për Perëndinë. Për ta ai shkroi: «Nuk kam shkak më të madh për gëzim, sesa të dëgjoj që bijtë e mi [frymorë] vazhdojnë të ecin në të vërtetën.» (3 Gjonit 4) Nëse e rrënjosim dashurinë për Perëndinë në zemrën e fëmijëve tanë, patjetër që edhe ne do të kemi të njëjtin gëzim.

[Shënimi]

^ par. 8 Disa emra janë ndryshuar.

[Figurat në faqen 9]

Të flasësh me zemër të hapur për gjërat e besimit nuk ndodh rastësisht

[Figura në faqen 10]

Stërvitini fëmijët tuaj që ta shprehin dashurinë për Perëndinë

[Burimi]

Me mirësjelljen e Green Chimneys Farm