Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Të harlisur, edhe kur të jenë flokëzbardhur»

«Të harlisur, edhe kur të jenë flokëzbardhur»

«Të harlisur, edhe kur të jenë flokëzbardhur»

SHUMË njerëz në vendet e Mesdheut mbjellin në oborr hurma Arabie, një lloj palme. Këto pemë njihen për bukurinë dhe për frytin e shijshëm. Veç kësaj, hurma e Arabisë është një pemë e harlisur e që jep fryt për më shumë se njëqind vjet.

Me fjalë poetike, mbreti Solomon i Izraelit të lashtë e krahasoi shtatin e shulamites së hijshme me këtë palmë. (Kënga e Solomonit 7:7) Në një libër thuhet: «Fjala në hebraisht për këtë lloj palme është ‘tàmâr’. . . . Për judenjtë ajo u bë simboli i hijeshisë dhe i elegancës dhe shpesh ata e përdornin si emër vajze.» (Bimët e Biblës, anglisht) Për shembull, motra e Solomonit nga babai, një vajzë mjaft e bukur, quhej Tamara. (2 Samuelit 13:1) Edhe sot, disa prindër u vënë këtë emër vajzave të tyre.

Me këtë palmë nuk krahasohen vetëm gratë e bukura. Psalmisti këndoi: «I drejti do të lulëzojë si palma e do të rritet madhështor si cedri në Liban. Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Jehovait, do të lulëzojnë në oborret e Perëndisë tonë. Do të jenë të harlisur, edhe kur të jenë flokëzbardhur, të bëshëm e të freskët do të jenë gjithnjë.»​—Psalmi 92:12-14.

Ata që i shërbejnë Perëndisë me besnikëri edhe në moshë të shkuar kanë shumë gjëra të përbashkëta me këtë pemë elegante. «Flokët e bardhë janë një kurorë bukurie kur gjenden në udhën e drejtësisë»,—thotë Bibla. (Proverbat 16:31) Sado që me kalimin e viteve fuqia e tyre nuk është më ajo e para, të moshuarit mund ta ruajnë fuqinë frymore duke u ushqyer nëpërmjet studimit të rregullt të Fjalës së Perëndisë, Biblës. (Psalmi 1:1-3; Jeremia 17:7, 8) Me fjalët plot hir dhe shembullin e shkëlqyer, të moshuarit besnikë janë një gurrë e pashtershme inkurajimi për të tjerët dhe sjellin fryt vit për vit. (Titit 2:2-5; Hebrenjve 13:15, 16) Ashtu si hurma e Arabisë, të moshuarit mund të jenë të harlisur e të frytshëm, edhe pse në moshë të shkuar.