Raport për Mbledhjen Vjetore
Një mbledhje e karakterizuar nga uniteti dhe planet emocionuese
MBLEDHJET vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania ngjallin përherë emocion. E tillë ishte edhe mbledhja e 127-të vjetore, e cila u mbajt të shtunën më 1 tetor 2011. Të ftuar nga të katër anët e botës u mblodhën në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Xhersi-Siti të Nju-Xhersit, SHBA.
Gerrit Lëshi, anëtar i Trupit Udhëheqës, i uroi mirëseardhjen kësaj morie me njerëz të lumtur. Ai u tha delegatëve nga rreth 85 vende se gëzojnë një unitet ndërkombëtar të pashoq. Ky unitet është një dëshmi e mirë dhe i jep lavdi Jehovait. Në fakt, uniteti ishte një temë që u prek disa herë gjatë kësaj mbledhjeje.
NJË RAPORT I MIRË NGA MEKSIKA
Pjesa e parë e programit tregoi me shembuj konkretë unitetin që gëzon populli i Jehovait. Baltasar Perla intervistoi tre pjesëtarë të familjes Bethel të Meksikës, të cilët treguan për shkrirjen e gjashtë zyrave të degëve në Amerikën Qendrore me degën e Meksikës. Falë kësaj, familja Bethel në Meksikë është bërë shumëkombëshe dhe me një larmi kulturash. Ardhja e bashkëbesimtarëve nga vende të ndryshme ka sjellë një shkëmbim inkurajimi. Është sikur Perëndia të ketë fshirë kufijtë me një gomë gjigante.
Një sfidë që solli shkrirja e degëve ishte të ndihmoje lajmëtarët të ndienin se, edhe pse në vendet e tyre nuk ka më zyrë dege, ata nuk janë veçuar nga organizata e Jehovait. Për këtë qëllim, çdo kongregacion ka një lidhje të sigurt me zyrën nëpërmjet postës elektronike, që edhe ata në zona të izoluara të komunikojnë drejtpërdrejt me degën.
LAJMET MË TË FUNDIT NGA JAPONIA
Xhejms Lintoni nga dega e Japonisë shpjegoi se si ndikoi tërmeti dhe tsunami i marsit të vitit të kaluar te vëllezërit në atë vend. Shumë Dëshmitarë humbën njerëzit e dashur dhe të mirat. Dëshmitarë jashtë zonës së prekur ofruan më shumë se 3.100 vende për strehim dhe qindra automjete për të prekurit nga tërmeti. Vullnetarë që bashkëpunonin me Komitetet Rajonale të Ndërtimit punuan pa u ndalur për të meremetuar shtëpitë e vëllezërve. Më shumë se 1.700 veta dolën vullnetarë për të shërbyer ku të kishte nevojë. Një skuadër vullnetarësh nga Shtetet e Bashkuara ndihmoi për restaurimin e Sallave të Mbretërisë dhe 575 vullnetarë punuan në këtë projekt.
Vëmendje e madhe iu kushtua mirëqenies frymore dhe emocionale të të prekurve nga kjo katastrofë. Më shumë se 400 pleq kanë shërbyer ku nevojitej kujdes baritor. Meraku i Trupit Udhëheqës u duk qartë kur dy mbikëqyrës zone nga selia botërore shkuan në zonën e prekur nga katastrofa për të dhënë inkurajim. Meraku që shprehën Dëshmitarët anekënd botës ka qenë një burim i madh inkurajimi.
FITORET LIGJORE
Auditori dëgjoi me vëmendje të madhe teksa Stivën Hardi nga dega e Britanisë diskutoi për fitoret më të fundit ligjore. Për shembull, qeveria franceze e kishte taksuar shoqatën tonë në Francë me 58 milionë euro. Kjo çështje u zgjidh kur Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) vendosi në favorin tonë, duke deklaruar se qeveria franceze kishte dhunuar nenin 9 të Konventës Evropiane, e cila mbron lirinë fetare. Formulimi i vendimit tregon se ky rast nuk kishte lidhje me paratë, pasi në të thuhej: «Mosnjohja e një shoqate fetare, shkrirja e saj, përdorimi i një gjuhe përçmuese ndaj një lëvizjeje fetare, përbëjnë shembuj të shkeljes të së drejtës së garantuar nga neni 9 i Konventës.»
Gjithashtu, GJEDNJ-ja vendosi në favorin tonë për një rast në Armeni. Që nga viti 1965, GJEDNJ-ja ishte shprehur se Konventa Evropiane nuk i mbronte individët nga shërbimi i detyruar ushtarak. Dhoma e Madhe—organi më i lartë i Gjykatës Evropiane—vendosi që «kundërshtimi i shërbimit ushtarak, atje ku motivohet nga një konflikt serioz dhe i pakapërcyeshëm», duhet të garantohet nga Konventa Evropiane. Ky vendim e detyron Armeninë dhe vende si Azerbajxhani e Turqia ta njohin këtë të drejtë.
PROJEKTET E NDËRTIMIT
Më pas, foli Gaj Piërsi i Trupit Udhëheqës, i cili tha se të gjithë të pranishmit ishin kureshtarë për projektet tona të ndërtimit në Shtetin e Nju-Jorkut. Ai prezantoi një video që tregonte zhvillimet në Uollkill, Paterson dhe në pronat e blera së fundi në Uoruik dhe Tuksedo, Nju-Jork. Në Uollkill po ngrihet një ndërtesë e re që duhet përfunduar në vitin 2014 e që do të sigurojë më shumë se 300 ambiente të tjera banimi.
Po planifikohet të shfrytëzohet një pronë 100-hektarëshe në Uoruik. «Megjithëse nuk jemi ende të sigurt se cili është vullneti i Jehovait për pronën në Uoruik,—tha vëlla Piërsi,—po përgatitim terrenin që aty të shpërngulim selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait.» Gjithashtu, janë bërë plane që 20 hektarë tokë 10 kilometra në veri të Uoruikut të përdoren për vendosjen e makinerive dhe të materialeve të ndërtimit. «Pas marrjes së lejes së ndërtimit, shpresojmë që gjithë projekti të përfundojë brenda katër vjetësh,—tha vëlla Piërsi.—Pas kësaj, prona jonë në Bruklin mund të shitet.»
«A ka ndryshuar mendje Trupi Udhëheqës lidhur me sa afër është shtrëngimi i madh?»—pyeti vëlla Piërsi. «Aspak,—u përgjigj ai.—Nëse shtrëngimi i madh i ndërpret planet tona, do të ishte e mrekullueshme, jashtëzakonisht e mrekullueshme!»
HAPNI SYTË NGA LUANI QË ULËRIN
Më pas, Stivën Leti, një tjetër anëtar i Trupit Udhëheqës, diskutoi për 1 Pjetrit 5:8: «Ruani gjykimin, jini syçelë. Kundërshtari juaj, Djalli, vjen rrotull si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë.» Vëlla Leti tha se disa karakteristika të luanëve e bëjnë ilustrimin e Pjetrit një përshkrim me vend për Djallin.
Përderisa luanët janë më të fortë e më të shpejtë se njerëzit, nuk duhet të provojmë ta luftojmë ose ta mundim Satanain me forcat tona. Kemi nevojë për ndihmën e Jehovait. (Isa. 40:31) Luani gjuan vjedhurazi, prandaj duhet t’i rrimë larg errësirës frymore ku Satanai kërkon prenë e tij. Ashtu si luani vret një antilopë që s’bën kurrë keq ose një këlysh zebre në gjumë, edhe Satanai është i pamëshirshëm dhe do të donte të na vriste frymësisht. Pasi luani ka shuar urinë, preja zakonisht nuk njihet më, ashtu si ‘gjendja në fund’ e viktimave frymore të Satanait «është më e keqe se në fillim». (2 Pjet. 2:20) Prandaj duhet t’i kundërvihemi Satanait dhe t’u përmbahemi me vendosmëri parimeve biblike që kemi mësuar.—1 Pjet. 5:9.
ÇMOJENI VENDIN TUAJ NË SHTËPINË E JEHOVAIT
«Të gjithë kemi një vend në shtëpinë e Jehovait»,—tha oratori pasues, Samuel Hërdi i Trupit Udhëheqës. Të gjithë të krishterët kanë një vend në «shtëpinë» e Perëndisë, në tempullin e tij frymor, që është masa për ta adhuruar atë në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit. Është një vend që duhet çmuar si privilegj i shtrenjtë. Njësoj si Davidi, ne dëshirojmë ‘të banojmë në shtëpinë e Jehovait gjatë gjithë jetës’.—Psal. 27:4.
Vëlla Hërdi iu referua Psalmit 92:12-14 dhe pyeti: «Si na bën Jehovai të lulëzojmë?» Ai u përgjigj: «Në parajsën frymore Perëndia na mban ngrohtë, na mbron dhe na jep ujërat freskuese të së vërtetës. Ta falënderojmë për këtë.» Më pas, vëlla Hërdi i nxiti të pranishmit: «Le të jemi të kënaqur që qëndrojmë në shtëpinë e Jehovait, jo vetëm për pak, por përgjithmonë.»
TË KRISHTERËT E RESPEKTOJNË FJALËN E PERËNDISË
Dejvid Splejni, gjithashtu anëtar i Trupit Udhëheqës, shpjegoi në fjalimin vijues se të krishterët e vërtetë e kanë respektuar gjithmonë Fjalën e Perëndisë. Në shekullin e parë, ata u mbështetën tek ajo që të zgjidhnin çështjen e rrethprerjes. (Vep. 15:16, 17) Mirëpo disa të ashtuquajtur të krishterë të shekullit të dytë që kishin mësuar filozofinë greke, filluan të vinin kënaqësinë intelektuale para Shkrimeve. Më vonë, të tjerë i zëvendësuan mësimet e Biblës me opinionet e perandorëve të Romës dhe të të ashtuquajturve etër të kishës e u hapën rrugën shumë doktrinave të rreme.
Vëlla Splejni tregoi se në një ilustrim Jezui tha se do të kishte vazhdimisht të krishterë të mirosur të vërtetë në tokë për të mbrojtur të vërtetën. (Mat. 13:24-30) Nuk mund ta themi me siguri se cilët ishin. Megjithatë, gjatë shekujve ka pasur shumë nga ata që kanë dënuar bindje dhe praktika jobiblike. Disa prej tyre ishin kryepeshkopi Agobard i Lionit në shekullin e 9-të, Pierri i Bruisë, Henri i Lozanës dhe Valdezi (ose Valdoja) në shekullin e 12-të, Xhon Uajklifi në shekullin e 14-të, Uilliam Tindali në shekullin e 16-të dhe Henri Gruja e Xhorxh Storsi në shekullin e 19-të. Dëshmitarët e Jehovait sot vazhdojnë të përkrahin normat biblike dhe ta pranojnë Biblën si themelin e së vërtetës. Ja pse Trupi Udhëheqës ka zgjedhur si shkrim për vitin 2012 Gjonin 17:17: «Fjala jote është e vërteta.»
MASA EMOCIONUESE PËR ARSIMIMIN DHE SHËRBIMIN
Entoni Morisi i Trupit Udhëheqës njoftoi disa ndryshime në lidhje me misionarët dhe pionierët specialë. Që nga shtatori i vitit 2012, në disa vende të zgjedhura do të mbahen disa klasa të Shkollës Biblike për Çiftet e Krishtere. Objektivi i Shkollës së Galaadit ka ndryshuar. Duke filluar që nga tetori i vitit të kaluar, të gjithë ata që bëjnë Galaadin tashmë duhet të jenë në ndonjë formë të shërbimit special të plotkohor, si për shembull misionarë që nuk kanë qenë në Galaad, pionierë specialë, mbikëqyrës udhëtues ose bethelitë. Të diplomuarit do të përdoren për të forcuar dhe për të stabilizuar popullin e Perëndisë qoftë nga zyrat e degëve, në veprën udhëtuese ose në zonat me popullsi të dendur ku mund të inkurajojnë kongregacionet në veprën e predikimit.
Pionierë specialë të tjerë do të hapin territore të reja në zona të largëta e të izoluara. Nga 1 janari 2012, disa të diplomuar nga Shkolla Biblike për Vëllezërit Beqarë dhe nga Shkolla Biblike për Çiftet e Krishtere do të emërohen pionierë specialë të përkohshëm dhe do të përdoren për të hapur dhe për të shtrirë veprën në zonat e largëta. Ata do të emërohen pionierë specialë vit pas viti, deri në tre vjet rresht. Ata që kanë rezultate mund të marrin caktime të përhershme.
Mbledhja vjetore për vitin 2011 ishte një kohë e gëzueshme. I mbajmë sytë te Jehovai që të bekojë masat e reja për rritjen e veprës sonë të predikimit dhe për unifikimin e mëtejshëm të vëllazërisë, e gjitha për t’i sjellë lavdi dhe lëvdim Atij.
[Kutia dhe figurat në faqet 18, 19]
TË NJIHEMI MË MIRË
Gjatë programit u zhvillua edhe një intervistë me pesë nga nëntë vejushat ende gjallë të anëtarëve të Trupit Udhëheqës. Motrat Marina Sidlik, Edit Suiter, Melita Xharaz, Melba Beri dhe Sidni Barber treguan se si e njohën të vërtetën dhe si filluan shërbimin e plotkohor. Secila prej tyre ndau me të pranishmit kujtime të çmuara, shprehu mendime për bashkëshortin dhe tregoi për bekimet që shijuan së bashku. Si një mbyllje prekëse të këtyre intervistave, të pranishmit kënduan këngën numër 86 me titull «Gra besnike, motra të krishtere».
[Figurat]
(Lart) Daniel dhe Marina Sidlik; Grant dhe Edit Suiter; Teodor dhe Melita Xharaz
(Poshtë) Loid dhe Melba Beri; Keri dhe Sidni Barber
[Harta në faqen 16]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Gjashtë degë u bashkuan nën drejtimin e degës së Meksikës
MEKSIKË
GUATEMALË
HONDURAS
SALVADOR
NIKARAGUA
KOSTA-RIKË
PANAMA
[Figura në faqen 17]
Planimetria e selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Uoruik, Nju-Jork