Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 JETËSHKRIM

Të etur për t’i shërbyer Jehovait kudo qoftë

Të etur për t’i shërbyer Jehovait kudo qoftë

Kurrë më parë nuk kisha predikuar vetëm. Isha kaq i emocionuar, sa më dridheshin leqet e këmbëve çdo herë që dilja. Si për t’i përkeqësuar gjërat, njerëzit në territor as që donin t’ia dinin. Disa ishin të egër dhe më kërcënuan se do të më rrihnin. Gjatë muajit të parë të shërbimit si pionier lashë vetëm një broshurë.—Markusi.

KJO ndodhi më 1949, mbi 60 vjet më parë, por historia ime fillon vite më herët. Im atë, Hendriku, punonte si këpucar e kopshtar, në Donderen, një fshat i vogël në veri të provincës së Drenthesë, në Holandë. Linda atje më 1927, i katërti nga shtatë fëmijët. Shtëpia jonë ndodhej pranë një rruge të pashtruar në një zonë fshati. Shumica e komshinjve ishin bujq, dhe kënaqesha me jetën në fshat. Në 1947-n, kur isha 19 vjeç, dëgjova për herë të parë për të vërtetën nga një fqinj, Theunis Beni. Më kujtohet se, kur e takova për herë të parë, nuk më tërhiqte shumë, por pak pas Luftës II Botërore, ai u bë Dëshmitar i Jehovait dhe dukej goxha më miqësor. Ky ndryshim në personalitet më ngjalli kureshtjen, kështu që e dëgjova kur më foli për premtimin e Perëndisë për një tokë parajsore. Shumë shpejt pranova të vërtetën dhe u bëmë miq për tërë jetën. *

Fillova të predikoja në maj 1948, dhe muajin tjetër, më 20 qershor, u pagëzova në një kongres në Utrekt. Më 1 janar 1949 fillova shërbimin si pionier dhe u caktova në Borkëlo, në perëndim të Holandës, ku kishte një kongregacion të vogël. Më duhej të udhëtoja 130 kilometra për të vajtur atje, kështu që vendosa të shkoja me biçikletë. Mendoja se do të mbërrija brenda 6 orësh, por për shkak të rrebeshit e të erërave të forta që i kisha përballë, m’u deshën 12 orë, edhe pse për  90 kilometrat e fundit mora trenin. Në mbrëmje vonë mbërrita në vend, dhe u strehova në shtëpinë e një familjeje Dëshmitarësh, ku ndenja teksa shërbeja si pionier në këtë zonë.

Gjatë atyre viteve të pasluftës njerëzit zotëronin pak gjëra. Gjithë sa kisha, ishte një kostum e një palë pantallona; kostumi tepër i madh e pantallonat tepër të shkurtra. Siç e përmenda në hyrje, muaji i parë në Borkëlo ishte i vështirë, por Jehovai më bekoi me disa studime biblike. Pas nëntë muajsh u caktova në Amsterdam.

NGA FSHATI NË QYTET

Edhe pse isha rritur në një zonë bujqësore, tani gjendesha në Amsterdam, qytetin më të madh në Holandë. Shërbimi atje ishte shumë i frytshëm. Muajin e parë dhashë më tepër literaturë se gjatë nëntë muajve të fundit. Shpejt po drejtoja tetë studime biblike, në mos më shumë. Pasi u caktova si shërbëtor kongregacioni, (tani koordinator i trupit të pleqve), mora caktimin për fjalimin e parë publik. Vetëm ideja më trembi shumë, kështu që u lehtësova goxha kur më caktuan në një kongregacion tjetër mu para datës së fjalimit. As që më shkonte mendja se me kalimin e viteve do të mbaja më tepër se 5.000 fjalime.

Lart: Markusi (më djathtas) në veprën rrugore afër Amsterdamit, më 1950

Në maj 1950, u caktova në Harlem. Pastaj më ftuan në veprën qarkore. M’u prish gjumi për tri net rresht. I thashë Robert Vinklerit, një nga vëllezërit që shërbente në zyrën e degës, se nuk ndihesha i kualifikuar sa duhej, mirëpo ai m’u përgjigj: «Plotëso kërkesën dhe kaq. Do të mësosh.» Fill pas kësaj, mora stërvitje për një muaj, dhe fillova të shërbeja si shërbëtor (mbikëqyrës) qarkor. Gjatë vizitës në një kongregacion takova Jani Tatgenin, një pioniere e re gazmore që kishte një dashuri të thellë për Jehovain dhe një frymë vetësakrifikuese. U martuam më 1955. Por, para se të vazhdoj me historinë time, Jani do të shpjegojë si u bë pioniere dhe si shërbyem bashkë pas martesës.

SHËRBIMI SI ÇIFT

Jani: Mamaja u bë Dëshmitare më 1945 kur isha 11 vjeçe. E kuptoi menjëherë sa e rëndësishme ishte të studionte Biblën me tre fëmijët por, ngaqë im atë e kundërshtonte të vërtetën, mamaja na mësonte kur ai nuk ishte në shtëpi.

Mbledhja e parë që ndoqa ishte një kongres në Hagë, më 1950. Një javë më pas, ndoqa mbledhjen e parë në një Sallë Mbretërie në vendin tim, në Asen (Drenthe). Babai u tërbua dhe më nxori nga shtëpia. Mamaja më tha: «Ti e di ku mund të gjesh strehë.» E dija se e kishte fjalën për vëllezërit e motrat e mia frymore. Në fillim jetoja me një familje Dëshmitarësh afër shtëpisë sime, por im atë ende po ma bënte të vështirë, prandaj ika në kongregacionin e Deventerit, (Overijsel), rreth 95 km larg. Megjithatë, isha ende e mitur kur babai  më përzuri nga shtëpia, kështu pati probleme me autoritetet. Prandaj, më tha se mund të kthehesha. Edhe pse im atë s’e pranoi kurrë të vërtetën, me kohë më lejoi t’i ndiqja të gjitha mbledhjet e të dilja në predikim.

Poshtë: Jani (më djathtas) si pioniere pushimi, më 1952

Shumë shpejt pasi u ktheva në shtëpi, mamaja u sëmur rëndë dhe m’u desh të bëja të gjitha punët e shtëpisë. Pavarësisht nga kjo, vazhdova të përparoja frymësisht dhe u pagëzova më 1951 kur isha 17 vjeçe. Në vitin 1952, pasi mamaja e mori veten, shërbeva si «pioniere pushimi» (ndihmëse) për dy muaj bashkë me tri motra pioniere. Jetuam në një varkë-shtëpi dhe predikuam në dy qyteza në rrethin e Drenthesë. U bëra pioniere e rregullt më 1953. Një vit më vonë, një mbikëqyrës qarkor i ri në moshë vizitoi kongregacionin tonë. Ishte Markusi. U martuam në maj 1955, ngaqë menduam se mund t’i shërbenim më mirë Jehovait si çift.Ekl. 4:9-12.

Djathtas: Ditën e martesës, më 1955

Markusi: Pas dasmës, në fillim u caktuam si pionierë në Vendam (Groningen). Jetonim në një dhomë tejet të vogël, 2 me 3 metra. Gjithsesi, Jani e bëri dhomën të lezetshme e të rehatshme. Çdo natë, duhej të lëviznim tavolinën dhe dy karriget e vogla, që të hapnim krevatin portativ të varur në mur.

Pas gjashtë muajsh, na ftuan në veprën udhëtuese në Belgjikë. Më 1955, atje kishte afro 4.000 lajmëtarë në gjithë vendin. Tani janë gjashtë herë më shumë. Në Flanders, në veri të Belgjikës, njerëzit flasin të njëjtën gjuhë si në Holandë. Megjithatë, dialekti është goxha i ndryshëm, kështu që në fillim na u desh të kapërcenim pengesën me gjuhën.

Jani: Vepra udhëtuese kërkon një frymë vërtet vetësakrifikuese. Përdornim biçikletat për të vizituar kongregacionet dhe rrinim në shtëpitë e vëllezërve e të motrave. Ngaqë nuk kishim një shtëpi tonën ku mund të shkonim mes vizitave, të hënave qëndronim ku ishim, dhe të martave në mëngjes niseshim për në kongregacionin tjetër. Por, gjithmonë e kemi parë shërbimin si një bekim nga Jehovai.

Markusi: Në fillim, nuk njihnim asnjë nga vëllezërit e motrat nëpër kongregacione, mirëpo ata u treguan shumë mirëdashës dhe mikpritës. (Hebr. 13:2) Gjatë viteve, i kemi vizituar të gjitha kongregacionet e gjuhës holandeze në Belgjikë, madje disa herë. Kjo na ka sjellë plot bekime. Për shembull, u njohëm me thuajse të gjithë vëllezërit e motrat në krahinën e kongregacioneve të gjuhës holandeze, dhe u bënë shumë të shtrenjtë për ne. Kemi parë qindra të rinj të rriten drejt pjekurisë fizike e frymore, duke iu kushtuar Jehovait e duke vënë interesat e Mbretërisë në vend të parë në jetë. Vërtet, gëzohemi tej mase kur shohim shumë prej tyre që i shërbejnë besnikërisht Jehovait në shërbimin e plotkohor. (3 Gjon. 4) Ky inkurajim i ndërsjellë na e ka bërë  të lehtë të vazhdojmë me gjithë zemër në caktimin tonë.Rom. 1:12.

NJË SFIDË E MADHE DHE NJË BEKIM I VËRTETË

Markusi: Që nga dita kur u martuam, kishim dëshirë të ndiqnim Shkollën e Galaadit. Çdo ditë, studionim të paktën një orë anglisht. Megjithatë, nuk ishte e kollajtë të mësonim anglisht vetëm nga librat, kështu që vendosëm të shkonim në Angli gjatë pushimeve, për të praktikuar gjuhën duke predikuar atje. Më në fund, më 1963 morëm një zarf nga selia botërore në Bruklin. Brenda ishin dy letra, një për mua e një për Janin. Në letrën time më ftonin të ndiqja një klasë të veçantë të Galaadit prej dhjetë muajsh. Kursi do të përqendrohej kryesisht te stërvitja e vëllezërve, duke u dhënë udhëzime organizative. Kështu, nga 100 studentët që u ftuan, 82 ishin vëllezër.

Jani: Në letrën që mora atë ditë më kërkuan të shqyrtoja në lutje nëse do të pranoja të qëndroja në Belgjikë ndërsa Markusi ndiqte Galaadin. Të them të drejtën, në fillim u zhgënjeva. Më dukej sikur përpjekjet për të bërë më shumë për Jehovain nuk ishin bekuar. Prapëseprapë, i kujtoja vetes qëllimin që kishte Shkolla e Galaadit: t’i ndihmonte pjesëmarrësit të përmbushnin veprën e predikimit të lajmit të mirë në mbarë botën. Kështu, pranova të rrija në Belgjikë dhe më caktuan të shërbeja si pioniere speciale në Gant me Ana dhe Maria Kolpertin, dy pioniere speciale me përvojë.

Markusi: Ngaqë duhej të përmirësoja anglishten, më ftuan në Bruklin pesë muaj para se të fillonte shkolla. Punova në Repartin e Transportit dhe të Shërbimit. Caktimi në selinë botërore dhe përfshirja në përgatitjen e literaturës për ta dërguar në Azi, Evropë dhe në Amerikën e Jugut, më bënë më të vetëdijshëm për vëllazërinë tonë ndërkombëtare. Kujtoj veçanërisht vëlla A. H. Mekmilënin, që shërbente si pelegrin (mbikëqyrës udhëtues) në kohën e vëlla Rasëllit. Atëherë ishte i moshuar dhe thuajse nuk dëgjonte fare, mirëpo i ndiqte besnikërisht të gjitha mbledhjet e kongregacionit. Më la mbresa të thella dhe më mësoi se kurrë nuk duhet ta shohim si të zakonshme shoqërinë e krishterë.Hebr. 10:24, 25.

Jani: Markusi dhe unë shkëmbenim letra disa herë në javë. Sa shumë na merrte malli për njëri-tjetrin! Megjithatë, Markusi po kënaqej me stërvitjen që po merrte në Galaad, ndërsa unë gjeja shumë gëzim në shërbimin tim. Kur Markusi u kthye nga Shtetet e Bashkuara, po drejtoja 17 studime biblike. Qëndrimi larg njëri-tjetrit për 15 muaj ishte goxha sfidë, por kuptova se Jehovai na kishte bekuar për sakrificat që bëmë. Ditën që u kthye Markusi, avioni u vonua për disa orë. Kështu, kur më në fund mbërriti, qamë në krahët e njëri-tjetrit. Që atëherë, nuk jemi ndarë më kurrë.

MIRËNJOHËS PËR ÇDO PRIVILEGJ SHËRBIMI

Markusi: Kur u ktheva nga Galaadi, në dhjetor 1964, na caktuan të shërbenim në Bethel. Edhe pse nuk e dinim në këtë moment, ky nuk do të ishte caktimi ynë i përhershëm. Vetëm tre muaj më vonë, u caktuam në veprën krahinore në Flanders. Kur Alzen dhe Elsa Vigërsma u dërguan si  misionarë në Belgjikë dhe u caktuan në veprën krahinore, ne u kthyem sërish në Bethel ku shërbeva në Repartin e Shërbimit. Nga 1968-a deri në 1980-n, caktimi ynë ndryshoi disa herë nga shërbimi në Bethel në veprën udhëtuese e anasjelltas. Pra, nga viti 1980 deri më 2005, shërbeva përsëri edhe si mbikëqyrës krahinor.

Edhe pse caktimi ynë ndryshoi shpesh, kurrë nuk harruam se e kishim kushtuar jetën që t’i shërbenim Jehovait me gjithë shpirt. Jemi kënaqur vërtet me çdo caktim që kemi marrë, të sigurt se arsyet e çdo ndryshimi në shërbim, ishin për të çuar para interesat e Mbretërisë.

Jani: Jam kënaqur veçanërisht kur patëm privilegjin fantastik të shkonim në Bruklin më 1977 dhe përsëri në Paterson më 1997, kur Markusi mori stërvitje të mëtejshme si anëtar i Komitetit të Degës.

JEHOVAI I NJEH NEVOJAT TONA

Markusi: Më 1982, Jani iu nënshtrua një operacioni dhe e mori veten plotësisht. Tre vjet më vonë, kongregacioni në Luven na ofroi dashamirësisht një apartament sipër Sallës së Mbretërisë. Për herë të parë gjatë 30 vjetëve kishim një vend të vogël për vete. Të martave, kur bëheshim gati për një vizitë në një kongregacion, më duhej të zbritja e të ngjitja disa herë 54 shkallë me valixhet tona. Shyqyr që në vitin 2002 u morën masa që të kishim një apartament në katin përdhes. Kur isha 78 vjeç, na caktuan si pionierë specialë në qytezën e Lokerenit. Jemi shumë të lumtur që mund të shërbejmë në këtë mënyrë e që ende mund të dalim çdo ditë në shërbim.

«Jemi plotësisht të bindur se nuk ka rëndësi ku shërbejmë apo privilegji që kemi, por kujt i shërbejmë»

Jani: Bashkë kemi kaluar më se 120 vjet në shërbimin e plotkohor. E kemi provuar vetë sa i vërtetë është premtimi i Jehovait «kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis» dhe, nëse i shërbejmë besnikërisht, ‘nuk do të na mungojë asgjë’.—Hebr. 13:5; Ligj. 2:7.

Markusi: Iu kushtuam Jehovait që kur ishim të rinj. Asnjëherë nuk kemi kërkuar gjëra të mëdha për veten. Me gatishmëri kemi pranuar çdo lloj caktimi që na është ofruar, sepse jemi plotësisht të bindur se nuk ka rëndësi ku shërbejmë apo privilegji që kemi, por kujt i shërbejmë.

^ par. 5 Me kalimin e viteve, babai, një nga motrat më të mëdha dhe dy nga vëllezërit u bënë Dëshmitarë.