Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rritësh fëmijë në një botë liberale

Të rritësh fëmijë në një botë liberale

Të rritësh fëmijë në një botë liberale

A KE parë ndonjëherë një fëmijë që u lutet prindërve për një lodër që ata s’duan t’ia blejnë? Ose një fëmijë që i pëlqen të vrapojë e të luajë kur prindi i thotë: «Rri urtë!» Natyrisht, prindi e bën për të mirën e fëmijës, sidoqoftë, shpesh dorëzohet kur fëmija këmbëngul në të vetën.

Duket se shumë prindër mendojnë se të jesh prind i mirë do të thotë t’u japësh fëmijëve ç’të duan. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara u bë një anketë me 750 fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç. Kur i pyetën se çfarë bënin kur prindërit nuk ua plotësonin kërkesat, afërsisht 60 për qind e tyre thanë se vazhdonin të këmbëngulnin. Rreth 55 për qind kishin parë se me këtë taktikë ia arrin qëllimit. Prindërit e tyre mund të mendojnë se ky qëndrim liberal tregon dashuri, por a është e vërtetë?

Le të ndalemi te ky proverb i mençur nga Bibla: «Po ta llastosh shërbëtorin që në rini, në fund të jetës ai do të bëhet mosmirënjohës.» (Proverbat 29:21) Kuptohet, fëmija nuk është shërbëtor. Megjithatë, a s’mendon se i njëjti parim vlen edhe për rritjen e fëmijëve? Po t’i llastosh dhe t’u japësh gjithçka që kërkojnë, kur të rriten, mund të bëhen «mosmirënjohës», domethënë të përkëdhelur, kryeneçë dhe mospërfillës.

Ndryshe nga kjo, Bibla i këshillon prindërit: «Stërvite djalin në udhën e drejtë.» (Proverbat 22:6) Prindërit e mençur e ndjekin këtë këshillë, duke vënë rregulla të qarta, të pakundërshtueshme dhe të arsyeshme, e duke kërkuar të zbatohen. Ata nuk e ngatërrojnë dashurinë me qëndrimin liberal, as ua plotësojnë tekat fëmijëve kur ankohen, bëhen të bezdisshëm ose përplasin këmbët. Përkundrazi, janë në një mendje me Jezuin kur tha këto fjalë të mençura: «Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’.» (Mateu 5:37) Atëherë, çfarë përfshin stërvitja e fëmijëve? Le të shohim një ilustrim të goditur.

‘Porsi shigjeta në dorë’

Për të ilustruar marrëdhënien prind-fëmijë, Bibla përdor një shembull që nxjerr në pah nevojën e fëmijës për drejtim nga prindi. Psalmi 127:4, 5 thotë: «Porsi shigjeta në dorën e një trimi janë fëmijët e rinisë. Lum kush e ka mbushur kukurën e tij me ta.» Pra, fëmija krahasohet me shigjetën, kurse prindi me trimin. Harkëtari e di se shigjeta e tij nuk do të godasë në shenjë nëse lëshohet kuturu, e po njësoj prindërit e dashur e kuptojnë se edhe fëmijët s’mund të rriten mirë pa u kushtuar vëmendjen e duhur. Ata duan që fëmijët e tyre të godasin në «shenjë», domethënë të bëjnë një jetë të kënaqshme si të rritur të përgjegjshëm e të lumtur. Duan që ata të marrin vendime të mira, të bëhen të mençur, të shmangin problemet e kota dhe të arrijnë synime që ia vlejnë. Por nuk mjafton vetëm të duash.

Çfarë nevojitet që shigjeta të godasë në shenjë? Ajo duhet përgatitur siç duhet, duhet mbrojtur mirë dhe duhet drejtuar me forcë drejt shënjestrës. Po ashtu, edhe fëmijët duhen përgatitur, mbrojtur e drejtuar që të bëhen të rritur të pjekur. Le t’i shqyrtojmë një nga një këto tri aspekte të rritjes së fëmijëve.

Përgatitja siç duhet e shigjetës

Shigjetat që përdornin harkëtarët në kohët biblike, përgatiteshin me shumë kujdes. Ka të ngjarë që ato bëheshin me dru të lehtë, gdhendeshin me dorë dhe drejtoheshin sa më shumë. Maja duhej të ishte e mprehtë. Në anën tjetër fiksoheshin disa pendë, që shigjetat të ishin sa më të qëndrueshme në fluturim e që të ndiqnin drejtimin e duhur.

Prindërit duan që fëmijët e tyre të jenë si ato shigjeta të drejta, pa shtrembërime dhe të pagabueshme. Ndaj, po të jenë të mençur, nuk mbyllin një sy para të metave serioze, por me dashuri i ndihmojnë fëmijët që të përpiqen t’i ndreqin. Kjo kërkon shumë punë me çdo fëmijë, sepse «marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës». (Proverbat 22:15, Dio) Kështu, Bibla i këshillon prindërit t’i disiplinojnë fëmijët. (Efesianëve 6:4) Në të vërtetë disiplina luan një rol të rëndësishëm në formimin dhe ndreqjen e mendimeve e të karakterit të fëmijës.

Prandaj, s’habitemi pse Proverbat 13:24 thotë: «Kush e kursen shkopin, e urren birin e tij, por kush e do, i rri mbi kokë duke e disiplinuar.» Në këtë kontekst, shkopi nënkupton një mjet disiplinimi, në çfarëdolloj forme qoftë. Kur disiplinon me dashuri, prindi përpiqet të ndreqë të meta që, po të zinin rrënjë, do t’i sillnin shumë dhembje fëmijës kur të rritej. Pra, të mos e disiplinosh fëmijën do të thotë ta urresh, ta disiplinosh do të thotë ta duash.

Veç kësaj, një prind i dashur e ndihmon fëmijën të kuptojë pse vihen rregulla. Kështu, të disiplinosh nuk do të thotë thjesht të japësh urdhra dhe të ndëshkosh, por më e rëndësishmja, ta ndihmosh fëmijën të kuptojë pse janë dhënë. Bibla thotë: «Një bir me kuptueshmëri e ruan ligjin.»—Proverbat 28:7.

Pendët që fikson harkëtari, e ndihmojnë shigjetën të fluturojë drejt pas lëshimit. Njësoj edhe fëmijët mund t’i kujtojnë mësimet biblike të Nismëtarit të familjes edhe pasi të lënë shtëpinë, duke nxjerrë dobi prej tyre për gjithë jetën. (Efesianëve 3:14, 15) Atëherë, çfarë mund të bëjnë prindërit për t’u siguruar se këto mësime janë «fiksuar» vërtet te fëmijët e tyre?

Perëndia i këshilloi prindërit izraelitë në kohën e Moisiut: «Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Ngulitua ato bijve të tu.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Pra, prindërit duhet të bëjnë dy gjëra. Në fillim, të mësojnë e ta zbatojnë vetë Fjalën e Perëndisë, që kështu t’i duan ligjet e Tij. (Psalmi 119:97) Vetëm atëherë do të mund të zbatojnë pjesën e dytë të shkrimit: ‘t’i ngulitin’ ligjet e Perëndisë te fëmijët e tyre. Kjo do të thotë të skalitin në zemrën e fëmijëve vlerën e këtyre ligjeve me anë të mësimit të efektshëm dhe të përsëritjes së vazhdueshme.

Është e qartë, pra, se nuk është jashtë mode ose jo e kohës t’u mësosh fëmijëve parimet biblike ose t’i disiplinosh me dashuri për të ndrequr të meta serioze. Këto janë mënyra të domosdoshme për t’i përgatitur këto «shigjeta» të çmuara të fluturojnë pa devijuar dhe me qëndrueshmëri drejt pjekurisë.

Mbrojtja e shigjetës

Le t’i kthehemi edhe një herë ilustrimit të Psalmit 127:4, 5. A të kujtohet se harkëtari ‘e kishte mbushur kukurën e tij’ me shigjeta? Pas përgatitjes, shigjetat duheshin mbrojtur. Pra, harkëtari i mbante në kukurë ku s’mund të dëmtoheshin ose thyheshin kollaj. Vlen të përmendim se Bibla thotë në mënyrë profetike se Mesia ishte një shigjetë e lëmuar që Ati ‘e kishte fshehur në kukurën e tij’. (Isaia 49:2) Perëndia Jehova, Ati më i dashur në univers, e mbrojti vërtet nga çdo lloj dëmtimi Jezuin, Birin e tij të shtrenjtë, derisa erdhi koha që Mesia të vdiste siç ishte parathënë. Edhe atëherë, Perëndia e mbrojti të Birin nga dëmi i përhershëm i vdekjes, duke e kthyer prapë të padëmtuar në qiell, për të jetuar përgjithmonë.

Po ashtu, prindërit e mirë bëjnë çmos t’i mbrojnë fëmijët nga rreziqet e kësaj bote të shthurur. Ndoshta u ndalojnë disa aktivitete që do t’i ekspozonin pa qenë nevoja ndaj ndikimeve të rrezikshme. Për shembull, prindërit e mençur e marrin seriozisht parimin: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1 Korintasve 15:33) Mbrojtja e fëmijëve nga shoqëria me ata që i shpërfillin normat morale të Biblës, mund t’u kursejë atyre disa gabime që mund t’u kushtojnë shumë, madje edhe jetën.

Fëmijët mund të mos e vlerësojnë gjithmonë mbrojtjen e prindërve. Madje, edhe mund të mërziten, sepse për t’i mbrojtur, shpesh u duhet thënë jo. Një autor i respektuar i librave për rritjen e fëmijëve, thotë: «Megjithëse jo gjithmonë e tregojnë dhe ndoshta për momentin nuk ju falënderojnë, fëmijët duan vërtet që prindërit t’u garantojnë një jetë të sigurt ku s’mungojnë udhëzimet. Këtë mund ta bëjmë duke qenë prindër me autoritet që vënë kufij për sjelljen.»

E pra, mënyra kryesore për të treguar se i doni fëmijët, është t’i mbroni nga çdo gjë që mund t’u grabitë paqen, pafajësinë ose dëlirësinë para Perëndisë. Ka të ngjarë që kur të rriten, ta kuptojnë pse u keni vënë kaq shumë rregulla dhe ta vlerësojnë që i keni mbrojtur me dashuri.

Drejtimi i shigjetës

Psalmi 127:4, 5 e krahason prindin me ‘trimin’. A do të thotë kjo se vetëm babai mund ta bëjë mirë punën e prindit? Aspak. Në fakt, parimi i këtij ilustrimi vlen si për baballarët edhe për nënat, pa përjashtuar prindërit e vetëm. (Proverbat 1:8) Termi ‘trim’ nënkupton se duhet goxha forcë për të lëshuar shigjetën. Në kohët biblike, nganjëherë harqet visheshin me bakër dhe për ushtarët thuhej se ‘tendosnin harkun’, mbase duke e vënë nën këmbë që ta tërhiqnin. (Jeremia 50:14, 29) Kuptohet, duhej forcë dhe përpjekje për të tërhequr fillin e tendosur që shigjetat të goditnin në shenjë.

Po ashtu, të rritësh fëmijë kërkon mjaft përpjekje. Ata nuk rriten vetë, njësoj si shigjetat nuk qëllojnë vetë në shenjë. Sa keq që shumë prindër sot nuk i kushtohen aq sa duhet rritjes së fëmijëve! Ata zgjedhin rrugën më të lehtë, duke ua lënë shokëve, shkollës dhe televizorit t’u mësojnë fëmijëve ç’është e drejtë dhe e gabuar, ç’është morali dhe seksi. Lejojnë që fëmijët të kenë gjithçka që duan. Dhe, kur duket tepër e vështirë për të thënë jo, dorëzohen, shpesh duke u justifikuar se nuk duan t’i lëndojnë. Në të vërtetë, pikërisht ky qëndrim liberal u sjell shumë dëm fëmijëve për një kohë të gjatë.

Nuk është e lehtë të rritësh fëmijë. Megjithatë, kur e bën me gjithë zemër dhe nën drejtimin e Fjalës së Perëndisë, vërtet kërkon punë, por shpërblimet s’kanë të çmuar. Në revistën Prindërit, (anglisht), thuhej: «Studimet . . . tregojnë se fëmijët që rriten nga prindër të dashur, por me autoritet—që u qëndrojnë afër fëmijëve, por edhe u vënë kufij të qartë—shkëlqejnë në mësime, janë më të aftë në marrëdhëniet shoqërore, ndihen mirë me veten dhe në tërësi janë më të gëzuar se fëmijët e prindërve që janë ose tepër tolerantë, ose tepër striktë.»

Megjithatë, ka një shpërblim edhe më të madh. Në fillim folëm për pjesën e parë të Proverbave 22:6: «Stërvite djalin në udhën e drejtë.» Vargu vazhdon me këto fjalë ngushëlluese: «Edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.» A ofron një sukses të garantuar ky proverb? Jo medoemos. Fëmijët kanë vullnet të lirë dhe, kur të rriten, do të bëjnë zgjedhjen e tyre. Megjithatë, fjalët e dashura të këtij vargu u japin siguri prindërve. Çfarë sigurie?

Nëse i stërvitni fëmijët sipas këshillave të Biblës, po u krijoni të gjitha kushtet për një rezultat të shkëlqyer: t’i shihni tek bëhen të rritur të përgjegjshëm, që jetojnë të lumtur e të kënaqur. (Proverbat 23:24) Ndaj, bëni çmos t’i përgatitni e t’i mbroni këto «shigjeta» të çmuara dhe mos u kurseni t’i drejtoni. S’do të pendoheni kurrë.

[Figura në faqen 13]

A tregohet dashuria për fëmijët duke u plotësuar çdo kërkesë?

[Figura në faqen 15]

Një prind i dashur shpjegon pse vë rregulla në familje

[Figura në faqen 15]

Prindërit e mirë i mbrojnë fëmijët nga rreziqet e kësaj bote të shthurur

[Figura në faqen 16]

Të rritësh fëmijë nuk është e lehtë, por shpërblimet s’kanë të çmuar