Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Do të ulem e do ta lexoj sonte pranë zjarrit»

«Do të ulem e do ta lexoj sonte pranë zjarrit»

Letër nga Australia

«Do të ulem e do ta lexoj sonte pranë zjarrit»

ZONAT e izoluara e me popullsi të rrallë të Australisë të sjellin ndër mend shkretëtirat e zhuritura, temperaturat e larta dhe hapësirat e paana bosh. Megjithatë, këto zona të thella janë vendbanimi i rreth 180.000 njerëzve, gati 1 për qind e popullsisë së vendit.

Prindërit e mi, që janë Dëshmitarë të Jehovait, më merrnin me vete në predikim në këto zona kur isha i vogël. Hapësirat e pafundme dhe bukuria e ashpër më ndiznin imagjinatën. Gjithashtu, më bënë për vete banorët e fortë e të qetë. Tani që kam krijuar vetë familje, kisha dëshirë që gruaja dhe fëmijët, 10 dhe 12-vjeçarë, të përjetonin këtë përvojë.

Planifikojmë udhëtimin

Së pari, u ulëm të llogaritnim shpenzimet. Deri ku mund të udhëtonim me aq para sa kishim? Për sa kohë mund të rrinim? Një çift i martuar dhe dy të krishtere të tjera që shërbejnë në kohë të plotë në kongregacionin tonë, shprehën gatishmërinë të vinin me ne. Ramë dakord edhe për kohën kur do të niseshim—gjatë pushimeve shkollore të dimrit. * Pastaj, i shkruam zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Sidnei, që të na caktonin një territor ku të predikonim. Na thanë të predikonim në një zonë të largët pranë Gundiuindit, një qytezë e vogël rreth 400 kilometra në perëndim të Brisbejnit, ku jetonim.

Morëm vesh se në Gundiuindi kishte një kongregacion të vogël të Dëshmitarëve të Jehovait. Ky ishte një bekim tjetër. Takimi me burra e gra të krishtere do të ishte një moment i veçantë në udhëtimin tonë. Kontaktuam me kongregacionin për t’u treguar për vizitën tonë. Nga përgjigjja e tyre entuziaste kuptuam se mezi po e pritnin mbërritjen tonë.

Pak para se të niseshim, u mblodhëm të diskutonim se si do ta prezantonim lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në atë territor. Sidomos donim të respektonim kulturën dhe zakonet e aborigjenëve që mund të takonim. Disa fise, për shembull, e konsiderojnë vendin e tyre si shtëpinë e vet të përbashkët. Të shkosh i paftuar atje, është diçka e pasjellshme.

Nisemi për në zonat e thella

Më në fund, dita e madhe erdhi. Dy makinat tona familjare, të mbushura me njerëz e furnizime, morën rrugën për në Gundiuindi. Arat e punuara u lanë vendin fushave me bar, ku tek-tuk dukeshin edhe pemë eukalipti. Dielli i ngrohtë i dimrit shkëlqente në qiellin pa re. Disa orë më vonë mbërritëm në Gundiuindi dhe u vendosëm në kabina me qira në një kamp nate për shtëpi-rimorkio.

Të nesërmen, që ishte e diel, dielli ndrinte dhe ajri ishte i freskët—një kohë e përsosur për predikim. Në këtë vend, temperaturat e verës arrijnë zakonisht mbi 40°C. Ndalesa jonë e parë ishte një komunitet me aborigjenë, nja 30 kilometra larg. Na çuan tek Xheni, një grua e moshuar flokëbardhë, që ishte e para e komunitetit. Ajo e dëgjoi me kujdes prezantimin tonë nga Shkrimet dhe pranoi me kënaqësi librin Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. * Pastaj, na ftoi të hynim në fshat e t’u predikonim banorëve.

Fëmijët e fshatit vraponin para nesh për të lajmëruar ardhjen tonë. Të gjithë të zotët e shtëpive e dëgjuan me kujdes mesazhin dhe pranuan literaturë biblike. Shumë shpejt literatura na mbaroi dhe erdhi koha të ktheheshim në qytezë për të ndjekur mbledhjen e kongregacionit. Para se të iknim, u premtuam se do të ktheheshim për të folur me ata që nuk patëm mundësi t’i takonim.

Atë pasdite, Salla e Mbretërisë gumëzhinte nga bisedat e gjalla, ndërsa të saponjohurit lidhnin miqësi. Njëzet e pesë Dëshmitarët e atij kongregacioni u kishin shpallur besnikërisht mesazhin e Mbretërisë pothuajse 11.000 banorëve të shpërndarë në një sipërfaqe prej 30.000 km katrorë. «Faleminderit që u munduat dhe erdhët për të na ndihmuar»,—tha me mirënjohje një Dëshmitar. Pas një mbledhjeje entuziaste, u kthyem te kabinat tona dhe hëngrëm darkë. Para se të shkonim në shtrat, u dhamë për të ngrënë edhe posumëve * që i vinin rrotull kampit tonë.

«Sonte pranë zjarrit»

Gjatë dy ditëve që pasuan, vizituam disa nga shtëpitë e veçuara e të shpërndara përgjatë kufirit mes Kuinslandit dhe Uellsit të Ri Jugor. Në pjesën më të madhe të vendit, kishte pemë eukalipti të thara në hapësirat me bar ku kullotnin bagëtitë dhe gjedhët. Rrugës pamë edhe disa kangurë që përgjonin me veshët përpjetë për shkak të pranisë sonë. Diku larg, disa emu * kalonin rëndë-rëndë një fushë tërë pluhur.

Të martën pasdite hasëm një kope të madhe gjedhësh që lëviznin ngadalë rrugës. Barinjtë e punësuar i sjellin gjithmonë kopetë në këtë zonë, sidomos në kohë me thatësira. S’kaloi shumë dhe takuam një bari të moshuar mbi kalë. Ndalova makinën buzë rrugës, dola dhe e përshëndeta. «Ç’kemi?»—ma ktheu. Pastaj, bashkë me qenin që i ruante kopenë, u ndal të bisedonim.

Pasi folëm pak për thatësirën, nisa t’i tregoja për mesazhin e Biblës. «S’kam dëgjuar më ndonjë gjë nga Bibla që kur isha fëmijë!»—u përgjigj bariu. Sipas tij, përgjegjësinë për rënien morale në botë e kishin krerët fetarë. Gjithsesi, ai e respektonte thellësisht Biblën. Pas një bisede të bukur biblike, i dhashë librin Çfarë mëson vërtet Bibla?  * E mbërtheu me dorë, e futi në xhepin e këmishës dhe tha: «Nëse më tregon se çfarë mëson Bibla, do të ulem e do ta lexoj sonte pranë zjarrit.»

Kthehemi në shtëpi

Atë mbrëmje ua treguam përvojat tona vëllezërve e motrave në Sallën e Mbretërisë. Premtuan se do t’i vizitonin përsëri njerëzit që kishin shfaqur interes. Kur mbledhja mbaroi, mezi u ndamë nga njëri-tjetri. Një lidhje e ngrohtë miqësie kishte lindur mes nesh. Të gjithë ishim pasuruar nga ky shkëmbim inkurajimi.—Romakëve 1:12.

Të nesërmen morëm rrugën për në shtëpi. Duke menduar për këtë udhëtim, të gjithë ishim dakord se Jehovai i kishte bekuar së tepërmi përpjekjet tona. Ndiheshim më afër Jehovait. Kur mbërritëm në shtëpi, i pyeta fëmijët: «Ku doni t’i kalojmë pushimet herën tjetër? Në mal?» «Jo, babi,—m’u përgjigjën,—të kthehemi të predikojmë prapë në fshat.» Gruaja u hodh: «Po, vërtet. Ishin pushimet më të mira që kemi bërë!»

[Shënimet]

^ par. 6 Në Australi vera zgjat përafërsisht nga dhjetori deri në shkurt, dhe dimri nga qershori deri në gusht.

^ par. 11 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 13 Një gjitar i vogël me xhep, rreth 50 cm i gjatë.

^ par. 15 Një lloj zogu që nuk fluturon, ngjashëm strucit; deri 190 cm i lartë.

^ par. 17 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.