Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush është Perëndia?

Kush është Perëndia?

Kush është Perëndia?

SI DO t’i përgjigjeshit kësaj pyetjeje? Disa mendojnë se e njohin mirë Perëndinë. Të tjerë besojnë se ekziston, por nuk dinë shumë për të. Nëse besoni te Perëndia, si do t’i përgjigjeshit pyetjeve që renditen më poshtë?

1. A është person real Perëndia?

2. A ka emër Perëndia?

3. A është Jezui Perëndia i Plotfuqishëm?

4. A interesohet Perëndia për mua?

5. A pranon Perëndia çdo lloj adhurimi?

Po të pyetni të tjerë, me siguri do të merrni aq shumë përgjigje të ndryshme, sa do të habiteni. Prandaj, s’është çudi që janë përhapur mite dhe ide të gabuara për Perëndinë.

Pse duhet t’i dini përgjigjet?

Ndërsa po fliste me një grua besimtare që takoi te një pus, Jezu Krishti theksoi se duhet të dimë të vërtetën për Perëndinë. Kjo grua samaritane, e pranoi se Jezui ishte profet. Por diçka e mundonte. Feja e Jezuit ndryshonte nga feja e saj. Kur ajo ia shprehu këtë merak, ai i tha hapur: «Ju adhuroni atë që nuk e njihni.» (Gjoni 4:19-22) Pra, Jezui mendonte se jo të gjithë njerëzit besimtarë e njohin vërtet Perëndinë.

A donte të thoshte Jezui se askush s’mund ta njohë vërtet Perëndinë? Jo. Ai i tha më tej gruas: «Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë, sepse Ati po kërkon adhurues të tillë.» (Gjoni 4:23) A jeni ndër ata që e adhurojnë Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë»?

Është me rëndësi jetike të siguroheni për përgjigjen e kësaj pyetjeje. Përse? Jezui e theksoi nevojën për njohuri të saktë kur u lut: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Po, që të keni shpresë për të ardhmen, duhet të njihni të vërtetën për Perëndinë!

A mund të njihet e vërteta për Perëndinë? Po! Në ç’mënyrë? Jezui tha kështu për veten: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Gjithashtu, tha: «Askush nuk e di se kush është Ati, përveç Birit dhe atij që Biri dëshiron t’ia zbulojë.»—Luka 10:22.

Pra, çelësi për të njohur Perëndinë gjendet te mësimet e Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Në fakt, Jezui na premton: «Nëse mbani mësimin tim, jeni vërtet dishepujt e mi. Atëherë do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.»—Gjoni 8:31, 32, The Holy Bible—New International Version.

Atëherë, si do t’u përgjigjej Jezui pesë pyetjeve që shtruam më sipër?

[Figura në faqen 4]

A adhuroni një Perëndi që nuk e njihni vërtet?