Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbrohu nga frymërat e liga

Mbrohu nga frymërat e liga

Mbrohu nga frymërat e liga

XHEJMSI është rritur në një pjesë të thellë të ishullit Malajta, në Ishujt Solomon. Që kur ishte i ri, e kishin mësuar të nderonte frymërat. «Nuk u kërkoja kurrë frymërave që të dëmtonin të tjerët,—thotë ai,—por më dukej e pamundur të bëja një jetë të lumtur pa përdorur rarafono [disa praktika tradicionale ku thirren frymërat për ndihmë] për t’u mbrojtur nga e keqja.»

Ashtu si njerëzit në shumë vende të tjera të botës, banorët e Ishujve Solomon besojnë se frymërat ose mund ta ndihmojnë dikë, ose mund t’i bëjnë keq. Në fakt, shumë banorë të Melanezisë i mendojnë frymërat e ashtuquajtura mirëbërëse si diçka të mirë dhe jo të frikshme.

Besimi se frymërat janë aktive, shfaqet në një sërë mënyrash. Për shembull, kur Xhejmsi ishte i ri, gratë në fshatin e tij i futnin me vrap në shtëpi fëmijët sa herë dëgjonin zërin e zogut korokoro (një lloj qyqeje). Pse? Besonin se zëri i këtij zogu sinjalizonte që dikujt do t’i binte një e keqe.

Në fshatra vënë mbi derën e shtëpisë një gur të veçantë e të bardhë. Këtë e bënte edhe Xhejmsi, sepse besonte se guri do ta mbronte nga frymërat keqbërëse. Kurse kur ai ishte në punë, mblidhte çdo gjë që mbetej nga dreka dhe i mbante në një çantë që t’i hidhte më vonë. Kishte merak se mos i gjente ndonjë magjistar dhe i përdorte për t’i bërë ndonjë magji që do ta sëmurte.

Edhe pse këto praktika mund të mos jenë të zakonshme në vendin tënd, ndoshta ashtu si Xhejmsi ke ndier nevojën të ndjekësh zakonet tradicionale për t’u mbrojtur nga frymërat e liga. Mund të besosh se ndjekja e zakoneve të tilla është thelbësore për mirëqenien tënde.

Nëse ke respekt për Biblën, pa dyshim do të dish se si u përgjigjet ajo pyetjeve të mëposhtme: (1) Si mund të të bëjnë keq frymërat e liga? (2) A mund të të vërë nën ndikimin e demonëve ndjekja e disa zakoneve të vendit? (3) Si të mbrohesh vërtet nga frymërat e liga dhe të jesh i lumtur?

Si bëjnë keq frymërat e liga?

Bibla tregon se frymërat e liga nuk ka mundësi të jenë frymërat e të vdekurve. Fjala e Perëndisë thotë: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» (Eklisiastiu 9:5) Në fakt, frymërat e liga janë engjëj rebelë që janë bashkuar me Satanain në përpjekje për t’i mashtruar njerëzit.—Zbulesa 12:9.

Shkrimet thonë qartë se duhet të mbrohemi nga frymërat e liga. Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve në Efes: «Ne nuk kemi një përleshje me gjakun e mishin, por . . . me forcat e liga frymore në vendet qiellore.» Apostulli Pjetër e përshkroi sundimtarin e të gjitha frymërave të liga, Satana Djallin, si «një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë».—Efesianëve 6:12; 1 Pjetrit 5:8.

Satanai u bën keq njerëzve kryesisht duke i futur në rrugë të gabuar, duke i mashtruar ose duke i tunduar që të veprojnë në një mënyrë që fyen Perëndinë. Bibla thotë se Satanai «vazhdon të shndërrohet në engjëll drite». (2 Korintasve 11:14) Ai hiqet sikur është një frymë mbrojtëse, ndërkohë që në të vërtetë ka qëllime të këqija. Satanai errëson mendjen e njerëzve që të mos kuptojnë se si qëndron e vërteta për të dhe për Perëndinë. (2 Korintasve 4:4) Çfarë ka ai si qëllim kur mashtron njerëzit?

Satanai digjet nga dëshira që njerëzit ta adhurojnë, me ose pa vetëdije. Kur vetë Biri i Perëndisë, Jezui, ishte në tokë, Satanai donte që ai ‘të binte përmbys dhe t’i bënte një akt adhurimi’. Jezui ia ktheu: «Ik tutje, Satana! Sepse është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro.’» (Mateu 4:9, 10) Jezui nuk pranoi të bënte asgjë që do të nënkuptonte se po i nënshtrohej Satanait, pasi do të ishte një akt adhurimi.

Jehovai është më i fuqishmi nga gjithë krijesat frymore dhe nuk do të lejojë që ata që i binden, të pësojnë dëme të përhershme. (Psalmi 83:18; Romakëve 16:20) Por nëse duam t’i pëlqejmë Perëndisë Jehova, ashtu si Jezui, duhet të shmangim çdo akt nënshtrimi ndaj Satanait ose demonëve të tij. Për këtë, duhet të dallojmë se cilat praktika tradicionale i japin nderim, e si rrjedhim adhurim, forcave të liga frymore. Si mund ta arrish këtë?

Të dallojmë zakonet që Perëndisë nuk i pëlqejnë

Perëndia Jehova e paralajmëroi popullin e tij në lashtësi, Izraelin, që të mos imitonte disa nga praktikat tradicionale të kombeve përreth. Ai tha: «Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata . . . që hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure, ndonjë shtrigë, ndonjë që ysht të tjerët.» Në lidhje me ata që ndiqnin këto zakone, Bibla thotë: «Ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.»—Ligji i përtërirë 18:10-12.

Prandaj, kur mendon për zakonet që spikatin në zonën tënde, shqyrto pyetjet e mëposhtme: a nxit ky zakon besimin te oguret? A konsideron ai ndonjë objekt të pajetë sikur ka forcë magjike mbrojtëse? A përfshihet në këtë zakon bërja e magjive ose mbrojtja prej tyre? A kërkon nënshtrim ndaj një fryme dhe jo ndaj Jehovait ose përfaqësuesit të tij të emëruar, Jezuit?—Romakëve 14:11; Filipianëve 2:9, 10.

Është me rëndësi jetësore që të hedhësh poshtë çdo zakon që nxit këto praktika. Pse? Apostulli Pavël nën frymëzim shkroi: «Ju nuk merrni dot pjesë edhe në ‘tryezën e Jehovait’, edhe në tryezën e demonëve». Ai paralajmëroi se ata që përpiqeshin t’i pëlqenin edhe Perëndisë, edhe frymërave të tjera, ‘do ta bënin Jehovain xheloz’. (1 Korintasve 10:20-22) Perëndia Jehova kërkon dhe meriton që t’i përkushtohemi vetëm atij.—Dalja 20:4, 5.

Mendoni edhe për këtë: a nxit ky zakon idenë se njeriu nuk është përgjegjës për veprimet e tij? Për shembull, kurorëshkelja dhe marrëdhëniet seksuale para martese nuk shihen me sy të mirë në shumë vende dhe dënohen në Bibël. (1 Korintasve 6:9, 10) Megjithatë, në disa kultura të Paqësorit, praktika të tilla mund të tolerohen nëse vajza thotë se «i kanë dhënë gjethe», * domethënë nëse thotë se i kanë bërë një magji që e shtyu të kryente marrëdhënie.

Por, Bibla thotë se jemi përgjegjës për veprimet tona. (Romakëve 14:12; Galatasve 6:7) Për shembull, gruaja e parë, Eva, kuptoi se ishte Satanai që e mashtroi për të mos iu bindur Perëndisë. Ajo tha: «Gjarpri më mashtroi, dhe unë hëngra.» Megjithatë, Jehovai e quajti Evën përgjegjëse për atë që kishte bërë. (Zanafilla 3:13, 16, 19) Gjithashtu, ai na konsideron neve përgjegjës për sjelljen tonë.—Hebrenjve 4:13.

Çfarë duhet të bësh?

Nëse do që t’i pëlqesh Perëndisë dhe të jetosh në përputhje me parimet biblike, duhet të veprosh me vendosmëri. Në shekullin e parë, njerëzit e sinqertë që jetonin në Efes, lanë një shembull të mirë në këtë drejtim. Që të largoheshin nga ndikimi i frymërave të liga, ata grumbulluan gjithë librat e tyre që ishin për praktikat spiritiste dhe «i dogjën para të gjithëve».—Veprat 19:19.

Para se të digjnin librat, këta njerëz ‘erdhën, i rrëfyen haptazi praktikat e tyre dhe i pranuan veprat e tyre të liga’. (Veprat 19:18) Të prekur nga mësimi i Pavlit për Krishtin, ata u nxitën t’i zhduknin librat e spiritizmit. Gjithashtu, ndryshuan pikëpamje për praktikat tradicionale.

Është e vërtetë që mund të mos jetë e lehtë t’i braktisësh praktikat tradicionale. Xhejmsi, që përmendëm më lart, e pati të vështirë. Ai filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe i pëlqeu ajo që mësoi. Megjithatë, vazhdonte të praktikonte rarafono. Kur shqyrtoi veten në lidhje me këto praktika, ai kuptoi se besonte në premtimet e Jehovait për të ardhmen, por mendonte se, që të ishte i mbrojtur nga e keqja, ai ende kishte nevojë të mbështetej te praktikat tradicionale.

Çfarë e ndihmoi Xhejmsin të ndryshonte pikëpamje? Ai thotë: «Iu luta Jehovait të më mbronte dhe të më ndihmonte të kisha besim tek ai. Në të njëjtën kohë, i lashë praktikat tradicionale.» A e ka gjetur ndonjë e keqe? «Jo,—thotë Xhejmsi.—Në fakt, kam mësuar të kem besim te Jehovai. Kam parë se sa mik i afërt mund të jetë ai.» Shtatë vitet e fundit, Xhejmsi ka shërbyer në kohë të plotë, duke ndihmuar të tjerët të mësojnë për atë që thotë Bibla.

Pse të mos ndjekësh shembullin e Xhejmsit? Shqyrto zakonet e vendit tënd dhe përdor ‘fuqinë tënde për të arsyetuar’ që të përcaktosh nëse janë në përputhje me ‘vullnetin e Perëndisë’. (Romakëve 12:1, 2) Pastaj, me guxim largohu nga praktikat besëtyte. Nëse vepron kështu, mund të kesh besim se Jehovai ‘do të të pranojë’ dhe do të të mbrojë. (2 Korintasve 6:16-18) Ashtu si Xhejmsi, do të provosh sa i vërtetë është premtimi i Biblës: «Emri i Jehovait është një kullë e fortë. Tek ai vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje.»—Proverbat 18:10.

[Shënimi]

^ par. 18 Kjo shprehje i referohet zakonit të yshtjes nëpërmjet një gjetheje të veçantë ose nëpërmjet një ushqimi, që pastaj i jepet vajzës. Pretendohet se gjethja ose ushqimi e bën vajzën t’i pëlqejë një burrë i caktuar. Ky zakon nuk është i njëjtë me rastin kur një vajzë e drogojnë pa dijeninë e saj dhe pastaj e detyrojnë të kryejë marrëdhënie seksuale kundër vullnetit të saj. Në një rast të tillë, vajza është një viktimë e pafajshme.

[Figura në faqen 19]

«Korokoro»

[Burimi]

Me mirësjellje nga dr. Bakshi Jehangir

[Figura në faqen 19]

Një vajzë mbledh ushqimin e mbetur që të mos e përdorin për t’i bërë magji