Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është real Djalli?

A është real Djalli?

Lexuesit pyesin

A është real Djalli?

Po, Bibla mëson se Satana Djalli është vërtet një person real. Mirëpo, kritikët e Biblës tallen me këtë përshkrim të Djallit. Ata thonë se Satanai përfaqëson thjesht konceptin e së keqes brenda njeriut.

A duhet të habitemi nga ky pështjellim për identitetin e vërtetë të Satanait? Aspak. Ta ilustrojmë: një kriminel mund t’i fshijë gjurmët e gishtave nga skena e një krimi, që të fshehë identitetin e tij dhe të vazhdojë pa u diktuar aktivitetin e paligjshëm. Po kështu, Satanai është një kriminel gjenial që kënaqet duke vepruar pas kuintave, duke nxitur korruptimin moral. Jezui e identifikoi qartë Satanain si përgjegjësin për gjendjen e mjerueshme të njerëzimit. Ai e quajti Satanain ‘sundimtarin e kësaj bote’.—Gjoni 12:31.

Nga erdhi Djalli? Ky engjëll rebel fillimisht u krijua si një krijesë frymore e përsosur në qiell, por më pas e bëri veten Djall kur iu tipos në zemër dëshira që njerëzit të adhuronin atë, jo Perëndinë. Bibla dokumenton një bisedë që bëri këtu në tokë Satanai me Jezuin, gjatë së cilës zbuloi ambicien e tij egoiste. Ai u orvat ta shtynte Jezuin që ‘të binte përmbys e t’i bënte një akt adhurimi’.—Mateu 4:8, 9.

Edhe në bisedat me Perëndinë, të dokumentuara në librin e Jobit, Satanai zbuloi motivet e tij. S’do të ndalej para asgjëje derisa t’i shtynte njerëzit të mohonin Perëndinë.—Jobi 1:13-19; 2:7, 8.

Mendo: nëse Satanai bisedoi me Perëndinë Jehova dhe me Jezu Krishtin, si mund të jetë thjesht koncepti i së keqes brenda të tjerëve? Te Perëndia e te Biri i tij nuk ka absolutisht asnjë të keqe! Pra, është e qartë se Satanai është një person real, një krijesë frymore e ligë, që nuk ka respekt as për Jehovain, as për Jezuin.

Korrupsioni që mbizotëron në çështjet njerëzore, është provë se Djalli ekziston vërtet. Kombet e kësaj bote e lënë t’u kalbet ushqimi i tepërt, ndërkohë që popullsia e tyre e uritur vdes për bukën e gojës. Ato grumbullojnë armë të shkatërrimit në masë, për asgjësimin reciprok. Ndotin mjedisin e tokës. E megjithatë, shumë njerëz janë të verbër ndaj burimit të kësaj sjelljeje të urryer e vetëshkatërruese. Përse?

Bibla zbulon se Satanai «ua ka verbuar mendjen» jobesimtarëve. (2 Korintasve 4:4) Për të manipuluar njerëzimin, Satanai përdor një organizatë të padukshme. Ai është ‘sundimtari i demonëve’. (Mateu 12:24) Ashtu si kapoja e një organizate kriminale mund të drejtojë një perandori të madhe të paligjshme pa iu zbuluar të gjithë atyre që janë të përfshirë, Satanai përdor organizatën e tij tinëzare të engjëjve të ligj për të kontrolluar masat e njerëzve që kryesisht s’janë në dijeni të rolit ose ndikimit të tij.

Sa mirënjohës jemi që Bibla ia çjerr maskën Djallit dhe organizatës së tij! Në këtë mënyrë, mund të marrim hapa për t’iu kundërvënë ndikimit të Djallit. Bibla na këshillon: «Nënshtrojuni Perëndisë dhe kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.»—Jakovi 4:7.