‘Lajmi i mirë’ predikohet në ishujt e largët të Australisë Veriore
‘Lajmi i mirë’ predikohet në ishujt e largët të Australisë Veriore
«KY LAJM i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar»,—tha Jezui. (Mateu 24:14) Dëshmitarët e Jehovait i binden urdhrit të Jezuit dhe përpiqen t’ua çojnë këtë mesazh biblik njerëzve, kudo qofshin ata. (Mateu 28:19, 20) Kjo vepër bëhet vullnetarisht, ndonjëherë me gjithë kushtet shumë të parehatshme dhe shpenzimet personale.
Për shembull, Nejthëni dhe Karla riorganizuan jetën e tyre që të mund t’u predikonin njerëzve që jetonin në ishujt e largët të ngushticës së Torresit. Në vitin 2003, një përfaqësues i zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Australi, i ftoi të transferoheshin në ishullin e Thëzdit për të bashkëpunuar me kongregacionin vendës. Ky ishull është vetëm një nga hallkat e vargut të smeraldeve që ndodhen në Paqësorin e kaltër midis Australisë dhe Guinesë së Re.
Më 2007-n, kjo familje bleu një anije të vjetër prej druri, e quajtur Tajsen-Uaj, që përdorej për të mbledhur perla. E riparuan me shpenzimet e tyre dhe filluan të lundronin për t’u predikuar banorëve të dhjetë ishujve më të largët, duke përdorur si bazë ishullin e Thëzdit. Në vijim përshkruhen disa udhëtime nga «ditari i kapitenit».
Janar 2008: Sot mora një motoskaf për në Bamagë dhe bëra rreth 80 kilometra vajtje-ardhje për të marrë gjashtë Dëshmitarë vendës. Tani jemi në anijen Tajsen-Uaj duke shkuar drejt ishullit të Uarabërit dhe të Porumës. Cisternat janë plot—5.500 litra karburant me çmimin 2 dollarë australianë për litër. Anija ecën mjaft ngadalë, mesatarisht 10 kilometra në orë. Por koha është fantastike, përveç ndonjë valëze tek-tuk që rrudhos oqeanin.
Mbërrijmë dhe hedhim spirancën. Bashkë me disa nga ekuipazhi ynë që kanë të afërm në Uarabër, hipim në motoskaf dhe takohemi me këshilltarin e ishullit për të kërkuar leje që të predikojmë. Ai është pastor në kishën e vendit, por na lejon të flasim me banorët. Të njëjtën gjë bëjmë edhe në Porumë, ku gjithashtu na lejojnë të predikojmë. Njerëzit janë mjaft miqësorë dhe mezi presin të lexojnë botimet tona. Fillojmë shumë studime biblike.
Prill 2008: Përcaktojmë kursin që të shkojmë në Duernë, Saibai dhe Bojgu—tre ishujt më të largët—të cilët ndodhen afër kufirit me Papua Guinenë e Re. Megjithatë koha keqësohet shumë dhe ndryshojmë kursin për në ishullin e Mebiogut. Ky ishull është vetëm 70 kilometra nga porti i qytetit tonë, por
udhëtimi do të shkojë 140 kilometra, pasi do bëjmë disa zigzage për të shmangur dhjetëra shkëmbinj koralorë.Një dallgë e madhe e merr motoskafin nga anija dhe e vërtit tej. E kthejmë anijen mes dallgëve të çmendura e të larta që të marrim motoskafin. Shumë i ka zënë deti.
Në Mebiog, marrim leje për të predikuar në ishull dhe vendësit na presin kaq ngrohtë sa problemet në det u harruan menjëherë. Një grua kënaqet kaq shumë kur dëgjon mesazhin tonë, sa pranon literaturë shtesë për ta vënë në bibliotekën ku punon.
Maj deri tetor 2008: Për shkak të kushteve atmosferike, nuk mund të shkojmë në ishuj. Përfitojmë nga rasti për të predikuar në vendin tonë, për të punuar dhe për t’u marrë me mirëmbajtjen e anijes.
Ajo ka nevojë për shumë punë, kështu që shkojmë në portin e Uipës në pjesën kontinentale dhe e nxjerrim anijen jashtë detit me një rimorkio të stërmadhe. E lehtë ta thuash, por jo ta bësh. Dëshmitarë nga kongregacioni vendës dalin vullnetarë që të ndihmojnë me punët hidraulike, lyerjen dhe riparimet me dru e të tjera si këto. Disa sjellin për të ngrënë. Ndërsa të tjerë sjellin furnizime për udhëtimin tjetër të predikimit. Mikpritja dhe ndihma e tyre nuk kanë të çmuar.
Dhjetor 2008: Përcaktojmë përsëri kursin për në Duernë, Saibai dhe Bojgu. U dredhojmë stuhive tropikale duke përdorur radarin dhe duke manovruar përmes shkëmbinjve koralorë me ndihmën e navigatorit elektronik. Duhen 12 orë lundrim deri në Duernë, por është ishulli më i bukur që na kanë zënë sytë. Retë mbulojnë majat e kodrave të larta shkëmbore. Banorët e ishullit na dëgjojnë gjithë sy e veshë dhe e lëmë që, kur të kthehemi në shtëpi, t’i vazhdojmë bisedat rreth Biblës me anë të telefonit.
Një gruaje me emrin Leti, i kishin rënë në dorë revistat tona dhe plotësoi kuponat për të kërkuar botime të tjera. Zyra e degës në Australi i dërgoi asaj botimet dhe kongregacionit tonë një letër ku na kërkonte të shkonim ta takonim, nëse ishte e mundur. Në fakt e gjetëm Letin dhe jemi mjaft të kënaqur që po bëjmë pjesën tonë të vogël që ajo të njohë Perëndinë.
Në ishullin e Saibait, këshilltari nuk na lejon që t’u predikojmë banorëve atje. Por ata që kanë të afërm në këtë ishull i la t’i vizitonin dhe të flitnin me ta. Kam një kontratë pune me qeverinë për të lyer shtëpitë në Saibai, dhe kjo ndihmon për të mbuluar disa nga shpenzimet tona.
Një nga motrat me emrin Tesi është nga një fshat në Papua Guinenë e Re, që është vetëm 4 kilometra larg Saibait. Sipas një marrëveshjeje me qeverinë australiane, banorët e Papua Guinesë së Re mund të vijnë e të bëjnë tregti në Saibai. Tesi takon shumë nga fshati i saj dhe nuk i mjafton literatura për të gjithë. Kjo është hera e parë që Tesi takon njerëz nga fshati i saj që kur u bë Dëshmitare e Jehovait. Kthehemi në anije dhe i sjellim asaj një kuti me literaturë,
shumicën në gjuhën e tyre pixhine, një gjuhë që njihet si tok-pisine. Tesi i shpjegon mesazhin biblik një turme prej më shumë se 30 vetash nga Papua Guineja e Re dhe të interesuarit e boshatisin kutinë me literaturë. Në fshatin e tyre shkohet vetëm me anije dhe Dëshmitarët e Jehovait mund të mos kenë shkuar asnjëherë atje.Të shkosh në ishullin e fundit, në Bojgu, është një sfidë. Jemi 4 kilometra larg bregut dhe në 2,5 metra thellësi. Fundi i anijes arrin në 1,8 metra thellësi. Bashkë me dikë tjetër nga ekuipazhi i hipim motoskafit për të eksploruar përreth e për të gjetur një dalje në breg të ishullit. Bie shi me gjyma dhe bëhemi qull. Na u deshën dy orë vetëm për të gjetur një rrugë.
Kur mbërrijmë, banorët e habitur të ishullit na thonë se të dhënat e navigatorit tim nuk janë të sakta dhe se vetë rojat bregdetare ose flotat ushtarake nuk hyjnë në atë zonë. Këshilltari nuk na lë të predikojmë, megjithatë i lejon ata që kanë të afërm në ishull t’i vizitojnë dhe t’u predikojnë. Respektojmë vendimin e këshilltarit dhe vizitojmë vetëm të afërmit. Njëri pranon librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, * e lexon menjëherë dhe fillon të shkruajë disa pyetje në fund të Biblës së tij. Dëshmitarët e takojnë përsëri kur ai shkon për vizitë në ishullin e Thëzdit.
Janar 2009: Kthehemi në ishullin e Moas dhe të Mebiogut për të folur përsëri me ata që kanë treguar interes për mesazhin e Biblës. Në të dy ishujt na presin mjaft ngrohtë. Shumë në fshatin Sent-Pol të Moas na thonë të kthehemi sa më shpejt. Këshilltari thotë që jemi të mirëpritur të predikojmë në fshat kur të duam.
Në ngushticën e Torresit ka 17 ishuj të banuar. Nuk e dimë sa do të jemi në gjendje të flasim me të gjithë banorët. Por të gjithë në kongregacionin e ishujve të largët në veri të Australisë me kënaqësi bëjmë atë që mundemi për t’i sjellë lavdi Krijuesit tonë të Madh, Jehovait.
[Shënimi]
^ par. 17 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Harta në faqen 23]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
AUSTRALI
Uipë
Bamagë
ISHUJT E NGUSHTICËS SË TORRESIT
PAPUA GUINEJA E RE
[Burimi]
Bazuar në pamje nga NASA/Visible Earth
[Harta në faqet 24, 25]
Bamagë
Ishulli i Thëzdit
Ishulli i Moas
Ishulli i Uarabërit
Ishulli i Porumës
Ishulli i Mebiogut
Ishulli i Saibait
Ishulli i Duernës
Ishulli i Bojgut
PAPUA GUINEJA E RE
[Burimi]
Bazuar në pamje nga NASA/Visible Earth
[Figura në faqen 24]
Duke zbritur në ishullin e Thëzdit
[Figura në faqen 24]
Duke shkuar për te banorët e ishullit të Saibait
[Figura në faqen 25]
Duke predikuar lajmin e mirë në gjuhën tok-pisine