A e dini?
A e dini?
Pse në Bibël, te Libri i Parë i Korintasve, përmendet mishi që u ishte flijuar idhujve?
▪ Apostulli Pavël shkroi: «Vazhdoni të hani çdo gjë që shitet në pazarin e mishit, pa bërë pyetje për shkak të ndërgjegjes suaj.» (1 Korintasve 10:25) Nga vinte mishi që shitej në pazar?
Në tempujt grekë e romakë, flijimi i kafshëve ishte riti kryesor, por gjatë ritit nuk hahej i gjithë mishi i kafshëve që flijoheshin. Mishi që tepronte në tempujt paganë shitej në pazaret publike të mishit. Libri Mishi i idhujve në Korint (anglisht) thotë: «Individë të autorizuar të kultit . . . ndonjëherë quheshin kuzhinierë dhe/ose kasapë. Një pjesë të kafshës së caktuar për t’u therur e flijuar ata e shitnin në pazar.»
Kështu që mishi i pazarit nuk ishte i gjithi mbetje nga ceremonitë fetare. Gërmime në pazarin e mishit të Pompeit (latinisht, macellum) zbuluan skelete të plota delesh. Sipas studiuesit Henri Kadbëri, kjo tregon që «kafshët mund të jenë shitur të gjalla ose mund të jenë therur në macellum, po aq sa mund të jenë shitur të therura ose pasi ishin flijuar në tempull».
Pavli po theksonte se, ndonëse të krishterët nuk merrnin pjesë në adhurimin pagan, mishi që flijohej në një tempull, në vetvete nuk ishte i ndotur.
Pse kishte përçarje mes judenjve dhe samaritanëve në kohën e Jezuit?
▪ Te Gjoni 4:9 thuhet: «Judenjtë nuk bëhen me samaritanët.» Kjo ndarje i ka rrënjët në kohën kur Jeroboami themeloi adhurimin e idhujve në mbretërinë veriore dhjetëfisëshe të Izraelit. (1 Mbretërve 12:26-30) Samaritanët ishin nga Samaria, kryeqyteti i mbretërisë veriore. Kur dhjetë fiset ranë në duart e asirianëve, në vitin 740 p.e.s., pushtuesit sollën banorë të huaj paganë në Samari. Me sa duket, martesat e përziera midis vendësve dhe banorëve të ardhur e prishën më tej adhurimin e samaritanëve.
Shekuj më vonë, samaritanët kundërshtuan përpjekjet e judenjve për të rindërtuar tempullin e Jehovait dhe muret e qytetit të Jerusalemit kur judenjtë u kthyen nga mërgimi babilonas. (Ezdra 4:1-23; Nehemia 4:1-8) Rivaliteti fetar u thellua kur samaritanët ndërtuan tempullin e tyre në malin e Gerizimit, ndoshta në shekullin e katërt p.e.s.
Në kohën e Jezuit termi «samaritan» kishte më tepër ngjyrim fetar, sesa gjeografik dhe u referohej praktikuesve të sektit që lulëzonte në Samari. Edhe në këtë kohë samaritanët vazhdonin të adhuronin në malin e Gerizimit dhe judenjtë i përbuznin e nuk i respektonin.—Gjoni 4:20-22; 8:48.
[Figura në faqen 12]
Enë qeramike e shekullit të 6-të p.e.s që paraqet flijimin e një kafshe
[Burimi]
Muzeu i Luvrit, Paris
[Figura në faqen 12]
Jeroboami themeloi adhurimin e idhujve