Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i referohen profecitë biblike shtetit të sotëm të Izraelit?

A i referohen profecitë biblike shtetit të sotëm të Izraelit?

SOT, shumë veta përreth botës e shohin tërë ankth atë që po ndodh në Lindjen e Mesme. Sulmet me raketa, përplasjet mes forcave rezerviste dhe bombardimet terroriste janë të shpeshta. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, ekziston edhe mundësia të përdoren armët bërthamore. Nuk habitemi pse njerëzit kudo janë të shqetësuar.

Edhe në maj të vitit 1948, bota po shihte tërë ankth Lindjen e Mesme. Në atë kohë, 62 vjet më parë, po i vinte fundi mandatit britanik mbi Palestinën e atëhershme, dhe lufta ishte në prag. Një vit më parë, Kombet e Bashkuara kishin autorizuar krijimin e një shteti judaik të pavarur në një pjesë të territoreve të pushtuara. Kombet arabe përreth ishin betuar se do ta ndalonin me çdo kusht këtë. «Kufiri i saj nuk do të jetë gjë tjetër veçse një vijë zjarri dhe gjaku»,​—⁠paralajmëroi Lidhja Arabe.

Ishte e premte pasdite, 14 maj 1948, ora 16.00. Mandatit britanik i kishin mbetur veçse pak orë. Në muzeun e Tel-Avivit ishte mbledhur një turmë e vogël me rreth 350 vëzhgues, të cilët ishin ftuar fshehurazi të dëgjonin një njoftim të shumëpritur: deklaratën zyrtare që kombi i sotëm i Izraelit të bëhej shtet. Siguria ishte në nivele të larta, që armiqtë e shumtë të shtetit të ri të mos prishnin ceremoninë.

David Ben-Gurioni, kreu i Këshillit Kombëtar të Izraelit, kishte lexuar Deklaratën e themelimit të shtetit të Izraelit. Në një fragment të saj thuhej: «Ne, anëtarë të Këshillit të Popullit, përfaqësues të komunitetit judaik të Eretz-Izraelit [Palestinë] . . . me të drejtën natyrore dhe historike si dhe me fuqinë e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, deklarojmë zyrtarisht themelimin e një shteti judaik në Eretz-Izrael [Palestinë], që do të njihet si shteti i Izraelit.»

Përmbushje e profecive biblike?

Disa protestantë evangjelistë besojnë se shteti i sotëm i Izraelit përmbushi një profeci biblike. Për shembull, në librin Jerusalem Countdown, kleriku Xhon Hagi thotë: «Këtë rast historik e dokumentoi pena e profetit Isaia: ‘Një komb do të lindë brenda një dite.’ (Shih Isainë 66:8.) . . . Ishte përmbushja më madhështore e profecive në shekullin e njëzetë. Një dëshmi e gjallë për të gjithë, që të shihnin se Perëndia i Izraelit ekziston ende.»

A është i vërtetë ky pohim? A u parashikua tek Isaia 66:8 themelimi i shtetit të sotëm të Izraelit? A ishte 14 maji i vitit 1948 «përmbushja më madhështore e profecive në shekullin e njëzetë»? Nëse shteti i sotëm i Izraelit është ende kombi i zgjedhur i Perëndisë dhe nëse Ai po përdor këtë komb që të përmbushë profecitë biblike, kjo sigurisht që duhet të jetë me interes për të gjithë ata që studiojnë Biblën, kudo qofshin.

Profecia e Isaisë thotë: «Kush ka dëgjuar një gjë të tillë? Kush ka parë gjëra si këto? A del një vend në dritë me dhembje lindjeje brenda një dite? A lind një komb i tëri përnjëherësh? Sepse Sionit i kanë filluar dhembjet e lindjes dhe i ka lindur bijtë e vet.» (Isaia 66:8) Ky varg parathotë qartësisht lindjen e beftë të një kombi të tërë, tamam sikur të ndodhte në një ditë të vetme. Por, kush do ta shkaktonte këtë lindje? Vargu tjetër jep një të dhënë: «Mos vallë unë e hap barkun dhe bëj që të mos lindë?​—thotë Jehovai.​—Ose, bëj që të nisë lindja dhe e mbyll barkun?​—thotë Perëndia yt.» Perëndia Jehova e bën të qartë se ai do të shkaktonte lindjen e jashtëzakonshme të kombit.

Izraeli i sotëm është shtet demokratik, që zyrtarisht nuk pohon se mbështetet te Perëndia për të cilin flet Bibla. A e pranuan izraelitët në vitin 1948 Perëndinë Jehova si përgjegjës për deklaratën e themelimit të shtetit të tyre? Jo. As emri i Perëndisë, madje as fjala «Perëndi» nuk është përmendur ndokund në tekstin origjinal të shpalljes. Ja çfarë thotë një libër për tekstin përfundimtar: «Edhe në orën 13.00, kur u mblodh Këshilli Kombëtar, anëtarët e tij nuk binin dakord si duhej formuluar shpallja e shtetit të ri. . . . Judenjtë e vëmendshëm donin që të shkruhej diçka për ‘Perëndinë e Izraelit’. Laikët kundërshtuan prerazi. Duke zgjedhur një rrugë të mesme, Ben-Gurioni vendosi që në vend të fjalës ‘Perëndi’, të vihej fjala ‘Shkëmb’.»​—Great Moments in Jewish History

Shteti i sotëm i Izraelit ia atribuon themelimin e vet një rezolute të OKB-së dhe asaj që e quan e drejta natyrore dhe historike e popullit jude. A është e arsyeshme të presim që Perëndia për të cilin flet Bibla, të kryejë mrekullinë profetike më madhështore në shekullin e 20-të, në dobi të një populli që nuk ia jep atij meritën?

Nga ndryshon themelimi i shtetit të sotëm të Izraelit?

Qëndrimi laik i Izraelit të sotëm ndryshon kryekëput nga situata në vitin 537 p.e.s. Në atë kohë, kombi i Izraelit kishte ‘rilindur’ vërtet, si të thuash, në një ditë, pasi ishte rrënuar dhe shpopulluar 70 vjet më parë nga babilonasit. Atëherë, Isaia 66:8 u përmbush në mënyrë të spikatshme kur Kiri i Madh pers, pushtuesi i Babilonisë, autorizoi rikthimin e judenjve në atdhe.​—Ezdra 1:2.

Mbreti pers Kir e pranoi rolin e Jehovait në këtë çështje në vitin 537 p.e.s., dhe ata që u rikthyen në Jerusalem, synuan të rivendosnin adhurimin e Perëndisë Jehova dhe të rindërtonin tempullin e tij. Shteti i sotëm i Izraelit kurrë nuk ka shprehur zyrtarisht ndonjë dëshirë ose synim të tillë.

A është ende kombi i zgjedhur i Perëndisë?

Në vitin 33 të e.s., kombi i mirëfilltë i Izraelit, ndryshe nga sa pretendonte, nuk ishte më kombi i zgjedhur i Perëndisë kur hodhi poshtë Mesinë, Birin e Jehovait. Vetë Mesia tha: «Jerusalem, Jerusalem, vrasës i profetëve, që i vret me gurë ata që janë dërguar te ti! . . . Ja, shtëpia juaj është braktisur dhe ju është lënë juve.» (Mateu 23:37, 38) Ajo që tha Jezui, u vërtetua në vitin 70 të e.s., kur legjionet romake shkatërruan Jerusalemin bashkë me tempullin dhe priftërinë. Por, çfarë do të bëhej me qëllimin e Perëndisë që të kishte ‘nga të gjithë popujt e tjerë një pronë të veçantë, . . . një mbretëri priftërinjsh dhe një komb të shenjtë’?​—⁠Dalja 19:​5, 6.

Apostulli Pjetër, i cili vetë ishte jude, iu përgjigj kësaj pyetjeje në një letër që u shkroi të krishterëve, si judenjve dhe jojudenjve. Ai shkroi: «Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë’ . . . Sepse dikur nuk ishit një popull, por tani jeni populli i Perëndisë. Ju ishit ata, të cilëve nuk u ishte treguar mëshirë, por tani jeni ata, të cilëve u është treguar mëshirë.»​—1 Pjetrit2:7-10.

Të krishterët e zgjedhur me anë të frymës së shenjtë, i përkasin kështu një kombi frymor, anëtarësia e të cilëve nuk përcaktohet nga lindja ose vendndodhja gjeografike. Ja si e përshkroi apostulli Pavël këtë: «As rrethprerja s’është gjë, as parrethprerja, por një krijesë e re është diçka. Paqja dhe mëshira qofshin mbi të gjithë ata që do të ecin në mënyrë të rregullt sipas kësaj norme të sjelljes, po, mbi Izraelin e Perëndisë!»​—Galatasve 6:15, 16.

Ndërsa kombi i sotëm i Izraelit ia jep qytetarinë çdo judeu natyror ose të kthyer në besim, qytetaria në atë që Bibla e quan ‘Izraeli i Perëndisë’ u jepet vetëm atyre që janë «të bindur dhe të spërkatur me gjakun e Jezu Krishtit». (1 Pjetrit 1:1, 2) Duke folur për këta pjesëtarë të Izraelit të Perëndisë, ose judenj frymorë, Pavli shkroi: «Nuk është jude kush është i tillë nga jashtë, e as është rrethprerje ajo që është nga jashtë, në mish. Por është jude kush është i tillë nga brenda dhe rrethprerja e tij është ajo e zemrës, nëpërmjet frymës e jo nëpërmjet një kodi të shkruar. Lëvdimi i këtij nuk vjen nga njerëzit, por nga Perëndia.»​—Romakëve 2:28, 29.

Ky varg na ndihmon të kuptojmë fjalët e Pavlit që ngjallin debat. Në Letrën drejtuar Romakëve, Pavli shpjegoi se judenjtë natyrorë që s’kishin besim ishin si degë të një peme ulliri simbolike të cilat u prenë, kështu që ‘degët . . . e egra’ jojudeje të mund të shartoheshin. (Romakëve 11:17-21) Në mbyllje të ilustrimit, ai tha: «Një pjese të Izraelit u janë ngurtësuar ndjenjat, derisa të hyjë numri i plotë i njerëzve të kombeve, dhe në këtë mënyrë gjithë Izraeli do të shpëtojë.» (Romakëve 11:25, 26) A donte të thoshte Pavli se do të vinte një moment kur të gjithë judenjtë do të ktheheshin në të krishterë? Është e qartë, një kthim i tillë në besim nuk ka ndodhur.

Me shprehjen «gjithë Izraeli», Pavli donte të thoshte: gjithë Izraeli frymor, të krishterë që janë zgjedhur me anë të frymës së shenjtë. Ai po thoshte se fakti që judenjtë natyrorë nuk e pranuan Mesinë, nuk do ta pengonte qëllimin e Perëndisë për të pasur një ‘pemë ulliri’ frymore, plot me degë që japin prodhim. Kjo është në harmoni me ilustrimin e Jezuit që e krahason veten me një hardhi ku degët që s’japin prodhim, priten. Jezui tha: «Unë jam hardhia e vërtetë, kurse Ati im është kultivuesi. Çdo degë timen që nuk jep fryt, ai e heq dhe atë që jep fryt, ai e pastron, që të japë edhe më shumë fryt.»​—Gjoni 15:1, 2.

Megjithëse themelimi i shtetit të sotëm të Izraelit nuk është parathënë në Bibël, themelimi i kombit të Izraelit frymor sigurisht që është parathënë. Nëse e identifikon dhe shoqërohesh sot me këtë komb frymor, do të korrësh bekime të përjetshme.​—Zanafilla 22:15-18; Galatasve 3:8, 9.