TEMA KRYESORE | MUND TË JESH MIK I ZOTIT
A po bën atë që kërkon Zoti?
«Çfarëdo që të duash, mjafton një fjalë dhe unë do ta bëj me kënaqësi.» Zor se do t’ia thoshe këto fjalë dikujt që nuk e njeh fare ose që i di thjesht emrin. Nga ana tjetër, nuk do ta kishe problem të shpreheshe kështu me një mik të dashur. Të vjen natyrshëm të bësh atë që të kërkon një mik i ngushtë.
Bibla tregon se Jehovai bën vazhdimisht gjëra që e di se do t’i sjellin kënaqësi adhuruesve të tij. Për shembull, mbreti David, i cili gëzonte një lidhje të ngushtë me Zotin, pohoi: «Ti ke bërë shumë gjëra. O Jehova, Perëndia im, ti ke bërë gjithë ato vepra të mrekullueshme dhe ke menduar shumë për ne. . . . Janë ku e ku më tepër nga sa mund të numëroj.» (Psalmi 40:5) Madje, Jehovai bën të mira edhe ndaj atyre që nuk e njohin ende, duke ‘u dhënë ushqim me bollëk dhe duke ua mbushur zemrat plot hare’.
Bëjmë me kënaqësi të mira për ata që i duam dhe i respektojmë
Përderisa Jehovai kënaqet kur bën atë që u pëlqen të tjerëve, është më se e arsyeshme të presë nga ata që duan miqësinë e Tij, të bëjnë gjëra që ‘ia gëzojnë zemrën’. (Proverbat 27:11) Lind pyetja: çfarë mund të bësh konkretisht që t’i pëlqesh Zotit? Bibla përgjigjet: «Mos harroni të bëni të mira dhe të ndani gjërat me të tjerët, sepse Perëndia kënaqet me flijime të tilla.» (Hebrenjve 13:16) A do të thotë kjo se për të gëzuar miratimin e Jehovait mjafton vetëm të bësh të mira e të ndash gjërat me të tjerët?
Bibla pohon: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh atij.» (Hebrenjve 11:6) Është interesante se Abrahami «u quajt ‘mik i Jehovait’» vetëm pasi «tregoi besim te Jehovai». (Jakovi 2:23) Edhe Jezu Krishti theksoi sa e nevojshme është ‘të tregosh besim te Perëndia’ nëse do që të gëzosh bekimet e Tij. (Gjoni 14:1) Atëherë, si mund të krijosh besimin që kërkon Zoti nga ata që i afron drejt vetes? Si fillim, studio rregullisht Biblën, Fjalën e tij. Kështu do të fitosh ‘njohurinë e saktë të vullnetit të tij’ e do të mësosh si ‘t’i pëlqesh plotësisht’. Pastaj, ndërsa shton njohurinë e saktë për Jehovain dhe ndërsa zbaton atë që mëson për kërkesat e tij të drejta, do të të forcohet besimi tek Ai dhe Jehovai do të të afrohet gjithnjë e më tepër.