Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

LEXUESIT PYESIN . . .

Cila është e vërteta për Krishtlindjet

Cila është e vërteta për Krishtlindjet

Miliona veta anekënd botës i festojnë Krishtlindjet për arsye të ndryshme. Disa gëzojnë periudhën festive me miqtë dhe familjen. Të tjerë mendojnë për Zotin ose kalojnë kohë duke ndihmuar të varfrit a nevojtarët. Sipas tyre këto janë pa dyshim vepra të admirueshme. Megjithatë, këto vepra lidhen me aspektet negative të kësaj feste.

Së pari, shumë festues besojnë se Krishtlindjet janë festa e ditëlindjes së Jezuit. Mirëpo, mjaft historianë bien dakord se data e lindjes së tij nuk dihet. The Christian Book of Why vëren se «të krishterët e shekullit të parë nuk pranonin të veçonin një datë për lindjen e Jezuit» ngaqë donin «të ishin të ndarë nga çdo praktikë pagane». Është interesante se Bibla nuk jep asnjë të dhënë që Jezui të ketë festuar ditëlindjen e tij apo të dikujt tjetër. Përkundrazi, i urdhëroi dishepujt të përkujtonin vdekjen e tij.Luka 22:19.

Së dyti, mjaft studiues janë dakord se shumica e traditave të Krishtlindjeve e kanë origjinën te zakonet jo të krishtere dhe pagane. Ndër to janë: Plaku i Vitit të Ri, përdorimi i veshtullës dhe i pemës së Krishtlindjeve, shkëmbimi i dhuratave, qirinjtë e ndezur, djegia e kërcurit, kurora e luleve dhe këngët e Krishtlindjeve. Duke folur për disa nga këto zakone, libri The Externals of the Catholic Church komenton: «Kur marrim ose japim dhurata për Krishtlindje dhe kur varim kurora lulesh në shtëpitë tona ose në kishë, sa prej nesh e dinë se ndoshta po ndjekim zakone pagane?»

«Kur marrim ose japim dhurata për Krishtlindje dhe kur varim kurora lulesh në shtëpitë tona ose në kishë, sa prej nesh e dinë se ndoshta po ndjekim zakone pagane?»The Externals of the Catholic Church

Por ti mbase mendon se nuk ka ndonjë të keqe t’i ndjekësh këto zakone në dukje të pafajshme. Arsyeja e tretë na jep përgjigje. Perëndia nuk e miraton përzierjen e zakoneve pagane me adhurimin e pastër. Me anë të profetit Amos, Perëndia Jehova u tha adhuruesve të Tij të pabindur në Izraelin e lashtë: «Unë i urrej, nuk i miratoj festat tuaja. . . . Ma largoni zhurmën e këngëve tuaja!»Amosi 5:21, 23.

Pse këto fjalë kaq të forta? Mendoni pak për atë po bënin banorët në mbretërinë veriore të Izraelit të lashtë. Mbreti i tyre i parë, Jeroboami, vuri viça të artë në qytetin e Danit dhe të Bethelit dhe i nxiti të adhuronin viçat në vend se të adhuronin siç duhej Perëndinë Jehova, në tempullin e tij në Jerusalem. Mbreti organizoi edhe festa dhe caktoi priftërinj që të ndihmonin popullin t’i festonin.1 Mbretërve 12:26-33.

Në pamje të parë ajo që bënë izraelitët dukej qëllimmirë. Në fund të fundit, a nuk po e bënin gjithë këtë që të adhuronin Perëndinë e ta kënaqnin? Fjalët e forta të Zotit nëpërmjet Amosit dhe profetëve të tjerë tregojnë qartë si ndihej Ai për këto praktika. Me anë të profetit Malakia, Zoti tha: «Unë jam Jehovai, dhe s’kam ndryshuar.» (Malakia 3:6) A nuk e kuptojmë nga kjo si ndihet Ai për festimet e shumta të Krishtlindjeve?

Pasi kanë shqyrtuar faktet që sapo thamë, miliona njerëz kanë vendosur të mos i festojnë Krishtlindjet. Ata gjejnë gëzim e kënaqësi të vërtetë duke kaluar kohë me miqtë e familjarët e tyre dhe duke ndihmuar të varfrit e nevojtarët kurdoherë që duan gjatë gjithë vitit.