UDHA E LUMTURISË
Kënaqësia dhe bujaria
SA SHPESH KE DËGJUAR SE LUMTURIA DHE SUKSESI MATEN ME TË MIRAT MATERIALE APO ME PASURINË? Nisur nga kjo pikëpamje, miliona punojnë me orar të zgjatur e rraskapiten për të fituar më shumë para. Por a sjellin lumturi jetëgjatë paratë dhe zotërimet materiale? Çfarë tregojnë faktet?
Sipas Journal of Happiness Studies, pasi plotësojmë nevojat bazë, nuk ndihemi më mirë dhe më të lumtur po të kemi më shumë para. Megjithatë, problemi nuk është paraja në vetvete. Siç thotë një artikull në revistën Monitor on Psychology, është «përpjekja për të fituar [para] ajo që lidhet me mungesën e lumturisë». Këto fjalë janë të ngjashme me këshillën e dhënë në Bibël thuajse 2.000 vjet më parë: «Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa . . . janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.» (1 Timoteut 6:9, 10) Çfarë mund të përfshijnë këto dhembje?
MERAK DHE PAGJUMËSI SEPSE DUHET TË MBROSH PASURINË. «I ëmbël është gjumi i atij që shërben, qoftë në ngrëntë pak ose shumë; por bollëku nuk e lë të pasurin të flejë.»—Eklisiastiu 5:12.
ZHGËNJIM KUR NUK ARRIN LUMTURINË E PREMTUAR. Pjesërisht, ky zhgënjim vjen sepse etja për para nuk shuhet kurrë. «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura.» (Eklisiastiu 5:10) Gjithashtu, etja për pasuri mund ta shtyjë dikë të sakrifikojë gjërat e rëndësishme të cilat sjellin lumturi, si kohën e çmuar që kalon me familjen, me miqtë ose në aktivitetet që lidhen me adhurimin e Perëndisë.
HIDHËRIMI DHE ZEMËRIMI KUR U BIE VLERA PARAVE APO INVESTIMEVE OSE KUR FALIMENTON. «Mos u robto për të fituar pasuri. Mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. A do t’ia ngulësh shikimin asaj që zhduket sa hap e mbyll sytë? Pasuria merr krahë si të shqiponjës dhe fluturon tutje.»—Proverbat 23:4, 5.
CILËSI QË SJELLIN LUMTURI
KËNAQËSIA. «Asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj. Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» (1 Timoteut 6:7, 8) Njerëzit e kënaqur nuk e kanë zakon të ankohen apo të qahen dhe ky qëndrim i mbron nga zilia. Dhe, përderisa i shtrijnë këmbët sa kanë jorganin, i kursejnë vetes ankth dhe stres të panevojshëm.
BUJARIA. «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Personat bujarë janë të lumtur sepse kënaqen kur i bëjnë të tjerët të lumtur, edhe nëse gjithçka që mund të japin, është pak nga koha dhe energjitë e tyre. Shpesh shpërblehen me bollëk me ato që s’blihen me asnjë shumë parash—dashuri, respekt dhe miq të vërtetë, të cilët në këmbim japin me bujari.—Luka 6:38.
VËR NJERËZIT PËRPARA GJËRAVE MATERIALE. «Më mirë një pjatë me perime aty ku ka dashuri, se një dem i majmur bashkë me urrejtje.» (Proverbat 15:17) Cili është mësimi? Marrëdhëniet e dashura me të tjerët kanë më shumë vlerë se pasuritë. Siç do të shqyrtojmë më vonë, dashuria është jetësore për të qenë i lumtur.
Sabina, një grua që jeton në Amerikën Jugore, mësoi vlerën e parimeve të Biblës. Pasi u braktis nga bashkëshorti, u stërmundua për të siguruar gjërat e nevojshme për veten dhe dy vajzat. Ajo bënte dy punë dhe zgjohej çdo mëngjes në orën 4. Pavarësisht nga programi rraskapitës, Sabina vendosi të studionte Biblën. Rezultati?
Gjendja e saj ekonomike mbeti pak a shumë e njëjtë. Por, këndvështrimi i saj për jetën u përmirësua jashtëzakonisht. Për shembull, provoi lumturinë që vjen kur plotëson nevojën për të mësuar për Perëndinë. (Mateu 5:3) Ajo gjeti miq të vërtetë mes bashkëbesimtarëve. Dhe, duke folur me të tjerët për atë çka kishte mësuar, provoi lumturinë që vjen kur jep.
Bibla thotë: «Mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta.» (Mateu 11:19) Sipas shkrimit, kur tregon mençuri duke qenë i kënaqur, bujar dhe duke vënë njerëzit para gjërave materiale, do të shohësh se është gjëja më e drejtë për t’u bërë.