Këshilla për marrëdhënie paqësore
Krijuesi ynë na tregon si të jetojmë në paqe me të tjerët, për shembull, në shtëpi, në punë dhe mes miqsh. Shqyrto disa këshilla të mençura prej tij, që shumë njerëz i kanë zbatuar më së miri.
Ji falës
«Vazhdoni . . . të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka arsye për t’u ankuar kundër një tjetri.»—KOLOSIANËVE 3:13.
Të gjithë gabojmë. Ne mund t’i ofendojmë të tjerët dhe të tjerët mund të na ofendojnë ne. Sido që të jetë, të gjithë kemi nevojë që të falim dhe të na falin. Kur falim, nuk mbushemi me mllef ndaj personit që na ka lënduar. Nuk ia kthejmë «të keqen me të keqe» dhe nuk ia kujtojmë vazhdimisht gabimet ose të metat. (Romakëve 12:17) Po në qoftë se na ka lënduar thellë dhe nuk e heqim dot nga mendja çfarë na ka bërë? Atëherë duhet të flasim privatisht e me respekt me personin. Objektivi ynë duhet të jetë paqja, jo të tregojmë se kemi të drejtë.—Romakëve 12:18.
Ji i përulur dhe i respektueshëm
«Me përulësi konsiderojini të tjerët më të lartë se veten.»—FILIPIANËVE 2:3.
Kur jemi të përulur dhe të respektueshëm, të tjerët kanë qejf të rrinë në shoqërinë tonë. E dinë se do t’i trajtojmë me konsideratë dhe dashuri e nuk do t’ua lëndojmë ndjenjat me dashje. Por, nëse e shohim veten si më
të lartë se të tjerët ose këmbëngulim gjithnjë tek e jona, krijojmë konflikte dhe tension. Të tjerët do të na shmangin dhe do të kemi pak miq, në mos asnjë.Ji i paanshëm
«Perëndia nuk është i anshëm, por pranon nga çdo komb këdo që e nderon thellësisht dhe që bën atë që është e drejtë.»—VEPRAT 10:34, 35.
Krijuesi ynë nuk i sheh disa njerëz si më të mirë se të tjerët për shkak të kombësisë, gjuhës, statusit social ose ngjyrës së lëkurës. «Nga një njeri i vetëm, ai bëri të gjitha kombet.» (Veprat 17:26) Pra, në njëfarë kuptimi, të gjithë njerëzit janë vëllezër e motra. Kur trajtojmë këdo me dinjitet dhe mirësi, ia ngremë zemrën peshë, vetë jemi më të lumtur dhe i pëlqejmë Krijuesit.
Ki natyrë të butë
«Vishuni me . . . butësi.»—KOLOSIANËVE 3:12.
Kur jemi me natyrë të butë, të tjerët ndihen rehat me ne. Na flasin lirshëm, madje edhe na korrigjojnë, sepse e dinë që do të ruajmë qetësinë. Dhe, kur dikush zemërohet me ne, përgjigjja jonë e butë mund ta qetësojë. Proverbat 15:1 thotë: «Përgjigjja e butë e largon tërbimin, por një fjalë therëse ngjall zemërim.»
Ji bujar dhe mirënjohës
«Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»—VEPRAT 20:35.
Shumë njerëz sot janë lakmitarë dhe mendojnë vetëm për veten. Por lumturinë e vërtetë e provojnë vetëm ata që janë bujarë. (Luka 6:38) Kush është bujar, është i lumtur sepse do më shumë njerëzit sesa gjërat. Po kjo dashuri e nxit të jetë mirënjohës dhe ta shfaqë kur dikush është bujar me të. (Kolosianëve 3:15) Pyet veten: «Me kë dua të rri? Me një kurnac e mosmirënjohës apo me një njeri bujar e mirënjohës?» Mësimi: shfaq ato cilësi që pret nga të tjerët.—Mateu 7:12.