Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A DO TË MBIJETOJË PLANETI YNË?

Ajri

Ajri

AJRI është jetësor, dhe jo vetëm për të marrë frymë. Ai mbron planetin tonë nga shumica e rrezeve të dëmshme të diellit. Pa ajrin, temperaturat në të gjithë botën do të binin menjëherë nën zero.

Çfarë po ndodh me ajrin?

Ndotja e ajrit përbën një kërcënim vdekjeprurës për jetën në tokë. Vetëm 1% e popullsisë së botës thith ajër që përmbush standardet e sigurisë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ndotja e ajrit mund të shkaktojë sëmundje të frymëmarrjes, kancer të mushkërive dhe sëmundje kardiovaskulare. Ai është përgjegjës për vdekjen e parakohshme të rreth 7.000.000 vetave çdo vit.

Planeti ynë: I projektuar për të mbijetuar

Planeti ynë është projektuar të sigurojë sasi të mjaftueshme ajri të pastër për të gjitha gjallesat. Por arrin ta bëjë këtë vetëm nëse njerëzit janë të kujdesshëm të mos e ndotin tepër mjedisin. Të shqyrtojmë disa shembuj:

  • Të gjithë e dimë se pyjet kanë aftësinë të thithin dyoksidin e karbonit nga ajri. Por pak janë në dijeni të faktit se mangrovat që rriten në kënetat bregdetare, mund ta bëjnë edhe më mirë këtë. Ato luajnë një rol domethënës, sepse thithin pesë herë më shumë dyoksid karboni se pyjet tropikale.

  • Studime të kohëve të fundit tregojnë se disa alga të mëdha, si alga e murrme, jo vetëm kapin dyoksidin e karbonit nga atmosfera, por edhe e zhytin në fund të oqeanit. Alga e murrme ka fshikëza ajri, falë të cilave pluskon për distanca të mëdha. Kur është larg bregut, fshikëzat çahen, dhe alga e ngarkuar me karbon fundoset në oqean. Me sa duket, qëndron aty e fundosur për shumë shekuj.

  • Aftësia e atmosferës për të marrë veten nga nivelet e dëmshme të ndotjes, u vërtetua gjatë kufizimeve të COVID-19. Më 2020, kur fabrikat dhe automjetet në të gjithë botën thuajse ndalën së ndoturi ajrin, cilësia e tij u përmirësua ndjeshëm. Sipas «Raportit Botëror të Cilësisë së Ajrit 2020», më shumë se 80% e shteteve pjesëmarrëse raportuan se kishin ajër më të pastër, pak kohë pas hyrjes në fuqi të kufizimit.

Çfarë po bëhet?

Vajtja në punë ose në shkollë me biçikletë, mund të reduktojë ndotjen e ajrit

Qeveritë vazhdojnë të sensibilizojnë industritë që të reduktojnë ndotjen e ajrit. Veç kësaj, shkencëtarët vazhdojnë të zbulojnë mënyra të reja për të zhbërë pasojat e ndotjes. Për shembull, kanë përdorur baktere për t’i shndërruar ndotësit në substanca jotoksike. Gjithashtu, ekspertët i këshillojnë njerëzit të ecin ose të ngasin biçikletat në vend të makinave, si dhe të përmirësojnë efiçencën e energjisë së shtëpive.

Disa qeveri po u mundësojnë qytetarëve soba moderne gatimi për të reduktuar ndotjen e ajrit, por për shumë njerëz janë akoma të paaksesueshme

Por nuk mjafton vetëm kaq, siç kuptohet edhe nga një raport i vitit 2022 i përpiluar nga disa agjenci ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Bankën Botërore.

Raporti pohon se, më 2020, rreth 1/3 e popullsisë së botës gatuanin kryesisht duke përdorur teknologji dhe lëndë djegëse që ndotin ajrin. Në shumë zona, njerëzit e kanë të vështirë të gjejnë lëndë djegëse alternative ose nuk ua mban xhepi të blejnë soba që nuk shkaktojnë ndotje.

Çfarë shprese jep Bibla?

«Kështu thotë Perëndia i vërtetë, Jehovai, Krijuesi i qiejve . . . që i shpalosi; që formoi tokën dhe gjithçka që prodhon ajo, që u jep frymëmarrje njerëzve që banojnë në të.»—Isaia 42:5.

Perëndia krijoi ajrin që thithim dhe ciklet natyrore që e pastrojnë. Veç kësaj ai ka fuqi të pafundme dhe dashuri për njerëzit. Prandaj, a duket e arsyeshme të besojmë se ai s’do të bëjë asgjë për ndotjen e ajrit?! Shih artikullin «Perëndia premton se planeti ynë do të mbijetojë».