NDIHMË PËR FAMILJEN | TË RINJTË
A ia vlen të rrezikosh për emocione të forta?
VËSHTIRËSIA
«Qëndroja shumë pranë trenave me shpejtësi të lartë që kalonin në tunele. Nga vërshimi i adrenalinës, më dukej sikur çdo problem venitej.»—Leoni. *
«Kur hidhesha në det nga shkëmbinj tejet të lartë, ndihesha plotësisht e lirë për ca sekonda. Zakonisht kjo më sillte kënaqësi, por ndonjëherë më frikësonte.»—Larisa.
Ashtu si Leoni dhe Larisa, shumë të rinj provojnë emocione të forta kur testojnë limitet e tyre, ndonjëherë duke rrezikuar jashtë mase. A tundohesh edhe ti të veprosh njësoj? Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë.
Ç’DUHET TË DISH
Emocionet e forta mund të të bëjnë të varur. Mund të provosh emocione të forta që zgjasin fare pak, ama, më pas do të duash të provosh edhe më shumë emocione të forta. Marko, i cili futej nëpër tunele trenash, ashtu si Leoni, thotë: «Ishte si një rreth vicioz. Për një moment isha i lumtur, por, më pas kisha sërish nevojë për emocione të tilla.»
Xhastini, i cili patinonte me shumë shpejtësi duke u kapur pas makinave, shprehet: «Ngaqë përjetoja emocione të forta, doja ta provoja prapë. Dëshiroja që të tjerët të më admironin, por përfundova në spital.»
Presioni i moshatarëve mund të ta mjegullojë gjykimin. Një i ri që quhet Marvin, thotë: «Shokët më bënin presion të ngjitesha në një ndërtesë të lartë pa asnjë mjet mbrojtës, duke më thënë: ‘Jepi! Mund t’ia dalësh.’ Ndihesha shumë i pasigurt. Dridhesha i tëri teksa ngjitja murin.» Larisa, që e përmendëm më parë, shprehet: «Bëja çfarë bënin të gjithë. Thjesht ndiqja rrymën.»
Disa përdorin edhe Internetin si një formë presioni, duke u thurur lëvdata personave që kërkojnë emocione të forta dhe duke i minimizuar rreziqet. Në fakt, disa bëma të tyre të postuara në media sociale bëhen virale, duke u dhënë popullaritet dhe vëmendje.
Për shembull, në disa video të përhapura paraqitet parkour, një lloj sporti ku njerëzit kapërcejnë pengesa (si mure, shtëpi dhe shkallë) duke vrapuar, duke u ngjitur ose duke
u hedhur me shpejtësi e me saktësi pa asnjë mjet mbrojtës. Kjo mund të të çojë në dy përfundime të gabuara: (1) rreziku është minimal, dhe (2) të gjithë e bëjnë këtë. Rezultati: tundohesh të provosh aktivitete që mund të të rrezikojnë jetën.Ka mënyra më të mira dhe më të sigurta për të testuar limitet e tua. Bibla thotë: «Stërvitja e trupit është e dobishme për pak gjë.» (1 Timoteut 4:8) Megjithatë, Shkrimet na këshillojnë edhe «të jetojmë me mendje të shëndoshë». (Titit 2:12) Si mund ta bësh këtë?
Ç’MUND TË BËSH
Peshoji rreziqet. Bibla thotë: «Njeriu mendjehollë do të veprojë sipas njohurisë, por budallai do të përhapë kudo marrëzi.» (Proverbat 13:16) Para se të bësh diçka, njihu me rreziqet që mbart. Pyet veten: «A rrezikoj të humb jetën ose të dëmtohem rëndë nëse e bëj këtë?»—Parimi biblik: Proverbat 14:15.
Zgjidh miq që tregojnë respekt për jetën. Miqtë e vërtetë nuk do të të nxitin të rrezikosh e as do të të mbushin mendjen të bësh diçka që s’të pëlqen. Larisa thotë: «Miqtë e mirë e të arsyeshëm më ndihmuan të merrja vendime më të mira për aktivitetet që doja. Kur ndryshova shoqëritë, më ndryshoi jeta.»—Parimi biblik: Proverbat 13:20.
Pyet veten: «A rrezikoj të humb jetën ose të dëmtohem rëndë nëse e bëj këtë?»
Kënaqu pa rrezikuar jetën. Sipas librit Adolescent Risk Behaviors, rritja përfshin «të mësosh si të përcaktosh parimet dhe kufijtë e tu». Mund t’i testosh kufijtë e tu në një ambient të sigurt, duke përdorur mjetet e duhura mbrojtëse.
Krijo respekt të vërtetë për veten. Të tjerët do të të respektojnë për zotësinë me të cilën i përballon vështirësitë e jetës dhe jo për gjërat që guxon të bësh thjesht për emocione të forta. Larisa thotë: «Zhytja në det duke u hedhur nga shkëmbinjtë ishte vetëm fillimi i një faze jete plot me veprime vetëshkatërruese. Ah, sikur të kisha mësuar të thosha jo!»
Përfundimi: në vend që të rrezikosh për emocione të forta pa qenë nevoja, trego gjykim të mirë për zbavitjet që zgjedh.—Parimi biblik: Proverbat 15:24.
^ par. 4 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.