Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rui Almeida Fotografia/Moment via Getty Images

QËNDRONI VIGJILENTË!

Dhuna politike—⁠Çfarë thotë Bibla?

Dhuna politike—⁠Çfarë thotë Bibla?

 Mbarë botën e ka mbërthyer një valë dhune me motive politike.

  •   Në Meksikë, vrasja e 39 kandidatëve politikë—një shifër e paprecedentë—bashkë me format e tjera të dhunës politike kanë shokuar njerëzit dhe i kanë shpërqendruar nga zgjedhjet elektorale 2023-2024.

  •   Kohët e fundit, Evropa është përfshirë në incidente të shumta të dhunës politike, ndër to edhe tentativa për vrasje kundër kryeministrit të Sllovakisë, më 15 maj 2024.

  •   Shtetet e Bashkuara janë tronditur nga ajo që duket si tentativa e dytë për vrasje kundër ish-presidentit Donald Tramp, më 15 shtator 2024.

 Pse kaq shumë dhunë politike? A do të marrë fund ndonjë ditë? Çfarë thotë Bibla?

Përçarjet politike ishin parathënë

 Bibla kishte parathënë se në ditët tona, që i quan «ditët e fundit», shumë njerëz do të shfaqnin qëndrime që nxitnin dhunën dhe mosmarrëveshjet.

  •   «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë . . . mosmirënjohës, të pabesë, . . . nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, . . . të egër, . . . tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur.»—2 Timoteut 3:1-4.

 Bibla kishte parathënë edhe se trazira të tilla, si protestat dhe rrëmujat politike do të ishin të zakonshme në kohët që jetojmë. (Luka 21:9, shënimi) Gjithsesi, dhuna dhe përçarjet politike nuk do të zgjatin përgjithmonë.

Fundi i dhunës politike

 Bibla shpjegon se Perëndia do t’i zëvendësojë të gjitha qeveritë njerëzore me qeverinë e vet qiellore.

  •   «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që . . . do të thërrmojë e do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetëm ajo do të qëndrojë përgjithmonë.»—Danieli 2:44.

 Mbretëria e Perëndisë do të jetë një forcë bashkuese për të gjithë njerëzit dhe do të vendosë paqe në mbarë tokën.

  •   Lideri i saj, Jezu Krishti, quhet «Princ i Paqes» dhe do të sigurohet që ‘paqja të mos ketë fund’.—Isaia 9:6, 7.

  •   Që sot, nënshtetasit e kësaj Mbretërie po mësojnë të jetojnë në paqe. Me ç’rezultat? Bibla thotë: «Ata do t’i shndërrojnë shpatat në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, as do të mësojnë më të luftojnë.»—Isaia 2:3, 4.

 Që të mësosh më shumë, lexo artikullin «Çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë?» dhe shih videon Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?