Shtatë sugjerime për të ngrënë në mënyrë të shëndetshme dhe të sigurt
Pse duhet t’i kushtosh rëndësi ushqimit
Ndër të tjera, shëndeti yt varet nga ushqimi që konsumon. Nëse ha në mënyrë të sigurt dhe të shëndetshme do të përmirësosh shëndetin. Nga ana tjetër, nëse e përgatit ushqimin në mënyrë të pasigurt dhe konsumon ushqime pa vlera, kjo mund të të shkaktojë probleme të rënda shëndetësore tamam si karburanti i një cilësie të dobët i shkakton probleme makinës. Mbase këto probleme nuk do të shfaqen menjëherë, ama një ditë do të vijnë se s’bën.—Galatasve 6:7.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregon se «në çdo shtet të botës ekzistojnë një ose më shumë forma kequshqyerje»—term që nuk i referohet vetëm të ushqyerit të pamjaftueshëm, por edhe problemeve të tjera, si mbipesha dhe obeziteti. Sa më shpesh të konsumosh ushqime dhe pije jo të shëndetshme, aq më i madh është rreziku që të vuash nga sëmundjet e zemrës, nga diabeti, nga kanceri ose që të pësosh iktus. Një studim tregon se në një nga vitet e fundit kequshqyerja shkaktoi të paktën 11 milionë vdekje. Sipas përllogaritjeve të OBSH-së ushqimi i ndotur vret më shumë se njëmijë njerëz çdo ditë dhe u shkakton probleme shëndetësore qindra milionë të tjerëve çdo vit.
Bibla na nxit ta marrim seriozisht çështjen e ushqimit. Ajo mëson se Perëndia është «burimi i jetës». (Psalmi 36:9) Jeta është dhuratë dhe tregojmë se e çmojmë duke u kujdesur për shëndetin tonë dhe të familjes. Ja si mund ta bësh këtë.
Katër sugjerime për të ngrënë në mënyrë të sigurt
1. Përgatite ushqimin në mënyrë të sigurt.
Pse? Mikrobet a e dëmshme në ushqimin dhe ujin e ndotur mund të depërtojnë në organizmin tënd dhe mund të të sëmurin.
Ekspertët e shëndetësisë rekomandojnë:
Para se të përgatitësh ushqimin, laji duart me ujë dhe sapun. b Fërkoji bashkë për të paktën 20 sekonda. Laj mirë edhe kurrizin e duarve dhe pjesën mes gishtave e brenda thonjve. Shpëlaji dhe thaji plotësisht.
Përdor ilaç enësh dhe ujë për të larë dërrasën ose bazamentin për prerje, enët dhe gjithçka që do të prekë ushqimin. Veç kësaj, mos përdor të njëjtën dërrasë për të prerë ushqimet që do të gatuhen dhe ushqimet që nuk do të gatuhen.
Laji të gjitha frutat dhe perimet, madje dezinfektoji nëse banon në një zonë ku prodhimet mund t’i vaditin me ujë të ndotur nga jashtëqitjet.
2. Ndaji ushqimet e pagatuara nga të gatuarat.
Pse? Mikrobet e ushqimeve të pagatuara, si ato të mishit dhe të lëngut të tij, ndotin ushqimet e tjera.
Ekspertët e shëndetësisë rekomandojnë:
Kur i transporton për në shtëpi nga dyqani dhe kur i ruan në frigorifer, ndaji ushqimet e pagatuara—sidomos mishrat—nga ushqimet e përgatitura.
Pasi të presësh në copa mishin e pagatuar, laj mirë e mirë duart, thikën dhe dërrasën e kuzhinës para se ta përdorësh për të prerë ndonjë ushqim tjetër.
3. Sigurohu që ushqimi të gatuhet plotësisht.
Pse? Mikrobet e dëmshme ngordhin vetëm nëse ushqimi arrin një temperaturë të caktuar.
Ekspertët e shëndetësisë rekomandojnë:
Gatuaje ushqimin derisa të arrijë një temperaturë shumë të lartë. Ushqimi, përfshirë pjesën më të brendshme të mishit, duhet të arrijë temperaturën 70 gradë celsius për të paktën 30 sekonda.
Supat dhe gjellërat duhet të arrijnë temperaturën e vlimit.
Nëse do të hash ushqim të gatuar më parë, duhet ta ngrohësh përsëri derisa të jetë i nxehtë e të nxjerrë avull.
4. Ruaje ushqimin në temperaturën e duhur.
Pse? Nëse ushqimi qëndron sikur edhe vetëm 20 minuta në temperaturë nga 5 deri në 60 gradë celsius, numri i baktereve në të mund të dyfishohet. Veç kësaj, nëse mishi i pagatuar nuk ruhet në temperaturën e duhur, disa baktere prodhojnë toksina që nuk eliminohen gjatë gatimit.
Ekspertët e shëndetësisë rekomandojnë:
Që të ngadalësosh ose të pengosh shumimin e mikrobeve duhet ta mbash ushqimin ose të ftohtë ose të nxehtë, jo të vakët.
Mos i lër kurrë ushqimet në temperaturë ambienti për më shumë se 2 orë ose për më shumë se 1 orë nëse temperatura e ambientit është mbi 32 gradë celsius.
Pasi e gatuan, mbaje ushqimin të ngrohtë deri në momentin kur do ta shërbesh.
Tri sugjerime për një dietë të shëndetshme
1. Ha çdo ditë lloje të ndryshme frutash e perimesh.
Frutat e perimet janë burime të rëndësishme vitaminash, mineralesh dhe elementesh të tjera të domosdoshme për një shëndet të mirë. OBSH-ja raporton se organizmi yt ka nevojë për të paktën 5 porcione, ose 400 gramë, fruta e perime çdo ditë. Këtu nuk përfshihen bimët me zhardhok që përmbajnë amidon, si patatja ose manioka.
2. Konsumoji me masë yndyrnat dhe vajrat.
OBSH-ja rekomandon që të kufizosh konsumimin e ushqimeve të skuqura dhe të përpunuara ose të përgatitura industrialisht, si ushqimet e paketuara, të cilat zakonisht përmbajnë yndyrna të dëmshme. Sa herë të jetë e mundur, gatuaj me vajra vegjetale që përmbajnë yndyrna të pangopura. c Këto vajra janë më të shëndetshme se ato që kanë përmbajtje të lartë të yndyrnave të ngopura.
3. Kufizo sasinë e sheqerit dhe të kripës.
Sipas rekomandimeve të OBSH-së, të rriturit duhet ta kufizojnë konsumimin e kripës në më pak se një lugë çaji në ditë dhe konsumimin e sheqernave të thjeshta d në më pak se 60 mililitra (12 lugë çaji) në ditë. Sheqeri është përbërësi kryesor i shumë prej ushqimeve dhe pijeve të përpunuara. Për shembull, 355 mililitra pije freskuese përmban mesatarisht deri në 50 mililitra (10 lugë çaji) sheqer. Edhe pse pijet freskuese përmbajnë shumë kalori, ato kanë pak ose aspak vlera ushqyese.
Bibla thotë: «Mendjemprehti e dallon rrezikun dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon përpara dhe vuan pasojat.» (Proverbat 22:3) Nëse tregohesh mendjemprehtë lidhur me zakonet e të ngrënit dhe bën ndryshimet e nevojshme, provon se i je mirënjohës Perëndisë për jetën dhe shëndetin e mirë.
Disa ide të gabuara
Ide e gabuar: Ushqimi është i sigurt për t’u konsumuar nëse duket në rregull, nuk mban erë dhe në shije duket mirë.
Fakt: Duhen mbi 10 miliardë baktere që ta bëjnë 1 litër ujë të duket i veshur, ama mjaftojnë vetëm 15 deri në 20 baktere të rrezikshme që të të sëmurin. Që ushqimi dhe pijet të jenë të sigurta për t’u konsumuar, përgatiti, shërbeji dhe ruaji në temperaturën e rekomanduar dhe brenda afatit të caktuar.
Ide e gabuar: Mizat nuk i bëjnë gjë ushqimit.
Fakt: Mizat ushqehen me jashtëqitje dhe shumohen në ambiente të qelbura, prandaj shpesh bartin në këmbët e tyre miliona mikrobe që shkaktojnë sëmundje. Që ta mbrosh ushqimin prej tyre, duhet ta mbulosh komplet.
Ide e gabuar: «Kam shumë kohë që ha ushqime të pashëndetshme, prandaj nuk do të më ndihmojë shumë edhe po të ndryshoj zakonet e të ngrënit.»
Fakt: Studimet tregojnë se po të hash më shëndetshëm tani, do të ulësh rrezikun e vdekjes së parakohshme. Veç kësaj, sa më gjatë i ruan zakonet e mira në të ngrënë, aq më shumë dobi do të kesh.
a Mikrobet janë mikroorganizma jashtëzakonisht të vegjël që nuk dallohen dot me sy të lirë. Në to bëjnë pjesë bakteret, viruset dhe parazitët. Disa mikroorganizma janë të dobishëm, ama të tjerë mund të dëmtojnë shëndetin tënd e madje të të shkaktojnë vdekjen.
b Sapuni me ujin eliminojnë më shumë mikrobe se ç’do të eliminoheshin vetëm me ujë.
c Yndyrnat e pangopura në temperaturë ambienti janë në gjendje të lëngët, jo të ngurtë.
d Te sheqernat e thjeshta bën pjesë sheqeri i përqendruar ose i përpunuar, për shembull sheqeri i bardhë, mjalti, shurupet e ndryshme dhe lëngjet e frutave. Këtu nuk përfshihet sheqeri natyral që gjendet te frutat e freskëta, te perimet dhe te qumështi.