A mund të shpresojmë për një sistem ekonomik të drejtë?
Nga njëri vend në tjetrin, njerëzit protestojnë nëpër rrugë, sepse e konsiderojnë të padrejtë këtë sistem ekonomik. Këto probleme janë përkeqësuar nga pandemia COVID-19, e cila ka shtuar zemërimin e njerëzve ngaqë mbyllja, mungesa e ushqimeve dhe mundësitë e kufizuara për kujdes shëndetësor e bënë edhe më të dukshëm hendekun mes të pasurve dhe të varfërve.
A do të marrin ndonjëherë fund problemet ekonomike që kanë pllakosur botën sot? Po. Bibla tregon çfarë do të bëjë Perëndia për të zgjidhur problemet që hasim ditë pas dite.
Problemet ekonomike që do të zgjidhë Perëndia
Problemi: Njerëzit nuk kanë zhvilluar një sistem ekonomik që plotëson nevojat e të gjithëve.
Zgjidhja: Perëndia do t’i zëvendësojë qeveritë njerëzore me Mbretërinë e Tij, një qeveri që e ka themeluar ai vetë. Ajo do të qeverisë nga qielli mbi tërë tokën.—Danieli 2:44; Mateu 6:10.
Rezultati: Si një qeveri globale, Mbretëria e Perëndisë do të administrojë në mënyrë të përsosur çështjet e tokës. Njerëzit nuk do të bien kurrë më nën kthetrat e varfërisë dhe as do të vuajnë nga pasiguritë ekonomike. (Psalmi 9:7-9, 18) Përkundrazi do të shijojnë frytin e punës së tyre dhe do të gëzojnë një jetë plotësisht të kënaqshme me familjet e veta. Bibla premton: «Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të jetojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të hanë frytin e tyre. S’do të ndërtojnë që të banojë një tjetër, s’do të mbjellin që të hajë një tjetër.»—Isaia 65:21, 22.
Problemi: Njerëzit nuk i shmangin dot ngjarjet që sjellin vuajtje e skamje.
Zgjidhja: Me anë të Mbretërisë së tij, Zoti do të çrrënjosë të gjitha shkaqet e frikës dhe të pasigurisë që ndiejmë sot.
Rezultati: Nën kujdesin e Zotit, njerëzit nuk do të përjetojnë më ngjarje që u grabitin atyre ose familjeve të tyre mjetet e jetesës. Për shembull, luftërat, mungesa e ushqimeve dhe pandemitë do të jenë thjesht një kujtim i largët i së shkuarës. (Psalmi 46:9; 72:16; Isaia 33:24) Perëndia thotë: «Populli im do të banojë në një vend paqësor, në banesa të sigurta e në vende të qeta.»—Isaia 32:18.
Problemi: Shpesh njerëzit egoistë e lakmitarë i shfrytëzojnë të tjerët.
Zgjidhja: Nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë do të mësojnë t’i duan vërtet të tjerët dhe të vënë interesat e tyre para interesave të veta.—Mateu 22:37-39.
Rezultati: Nën qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë, secili do të shfaqë dashurinë që buron nga Perëndia, e cila «nuk kërkon interesin e vet». (1 Korintasve 13:4, 5) Bibla thotë: «Askush nuk do të bëjë asnjë dëm dhe nuk do të prishë asgjë në tërë malin tim të shenjtë, sepse njohuria për Jehovain a do të vërshojë në tokën mbarë, ashtu si ujërat mbushin detin.»—Isaia 11:9.
Bibla tregon se po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi dhe se së shpejti Zoti do të plotësojë premtimin e tij për t’u dhënë fund të gjitha problemeve ekonomike. b (Psalmi 12:5) Por, derisa të vijë ajo ditë, parimet e saj mund të të ndihmojnë t’i përballosh me sukses problemet e sotme ekonomike. Për shembull, shih artikujt «Si t’ia dalësh me më pak të ardhura» dhe «Një pikëpamje e ekuilibruar për paratë».
a Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.—Psalmi 83:18.
b Për të mësuar pse mund t’i besosh Biblës, shih artikullin «Bibla: Burim i besueshëm i së vërtetës».