«Në ndërtim ka vend edhe për gratë»
Një organizatë ndërtimi e respektuar në Britani i ka lavdëruar Dëshmitarët e Jehovait që kanë trajnuar gra për të drejtuar makineri të rënda në kantierin e zyrës së re të degës në afërsi të Çelmsfordit, Eseks. Për këtë trajnim, Considerate Constructors Scheme a (CCS) u dha Dëshmitarëve vlerësimin maksimal, 10 nga 10 pikët e mundshme, duke e përshkruar edhe si «risi». Po pse një vlerësim kaq i lartë?
Në Britani, gratë përbëjnë më pak se 13 për qind të punëtorëve të ndërtimit. Sipas një sondazhi të zhvilluar nga një firmë britanike, pak të reja marrin në konsideratë një punë në industrinë e ndërtimit. Krejt ndryshe, në kantierin e Çelmsfordit rreth 40 për qind e skuadrës janë gra. Kurse te skuadra e drejtuesve të makinerive të rënda, gratë përbëjnë mbi 60 për qind të saj.
Po çfarë i ndihmon këto gra Dëshmitare të kenë sukses? Një rol kyç luajnë trajnimi dhe mbështetja. Gjithashtu, këta dy faktorë janë pjesë e standardeve të kërkuara nga CCS-ja. Sipas këtyre standardeve, ndërtuesit duhet të tregojnë se i vlerësojnë punëtorët «duke siguruar një vend pune ku të gjithë respektohen, trajtohen me drejtësi, marrin inkurajim e mbështetje» dhe «duke nxitur trajnimin».
Trajnojnë gratë që të drejtojnë makineri të rënda
Xhejda, një nga gratë e trajnuara në kantier për të drejtuar ekskavatorë dhe kamionë shkarkues, tregon: «Është fantastike! S’e kisha imagjinuar kurrë se do ta bëja këtë. Disa herë puna është sfiduese, por stërvitem vazhdimisht dhe mësoj gjëra të reja.» Njësoj si Xhejda, edhe Lusi drejton makineri të rënda. Ajo kujton: «Kur erdha në fillim në kantier, nuk kisha aftësitë e duhura. Ama nisa trajnimin që nga dita e parë. Që prej asaj kohe kam punuar me pesë skuadra të ndryshme, kështu që jam stërvitur goxha.»
Megjithatë, këto gra kanë shumë aftësi të tjera përveç drejtimit të makinerive. Një përgjegjës skuadre me emrin Erik, thotë: «Shpesh gratë kujdesen për makineritë më mirë se burrat dhe janë shumë të afta të dallojnë defektet e t’i raportojnë.»
Mbështetin gratë në ndërtim
Karli, i cili drejton disa skuadra që përdorin makineri të rënda, shprehet: «Kam mbetur vërtet i mahnitur nga mënyra si kanë mësuar gratë t’i drejtojnë këto makineri. Madje, në disa raste zgjedh ato, në vend se burra me vite eksperiencë.»
Kur përgjegjësit e skuadrave ua shprehin mbështetjen bashkëpunëtorëve të tyre, u japin siguri. Kështu ndodhi me Terezën. Ajo ka eksperiencë në drejtimin e makinerive dhe e di se, kur punon me makineri të rënda, është tepër e rëndësishme të pranosh përgjegjësitë dhe të marrësh vendime për sigurinë. Tereza shpjegon: «Kur e di se kam mbështetjen e përgjegjësit të skuadrës, bëj shumë më tepër se zakonisht, ngaqë ndiej se kanë besim tek unë. Ia vlen e gjithë lodhja kur e di se të tjerët e vlerësojnë dhe e respektojnë punën time.»
Abigaila, një tjetër drejtuese ekskavatorësh dhe kamionësh shkarkues, e çmon mbështetjen dhe bashkëpunimin e të tjerëve: «Burrat që punojnë në këtë kantier nuk më trajtojnë si më të ulët. Janë gati të më ndihmojnë, por jo të marrin kontrollin dhe më lënë që ta vazhdoj unë punën.»
Të përqendruara dhe të ndërgjegjshme
Përveçse drejtojnë lloje të ndryshme makinerish të rënda, gratë në Çelmsford janë stërvitur edhe për punë, si topografi, administrim toke, riparim makinerish dhe montim skelash. Roberti, që ka punuar me to për projekte të ndryshme, thotë se janë «të përqendruara, gati t’i përvishen punës e të kujdesshme deri në detaj». Tomi, i cili merret me topografi, shton: «Gratë që janë pjesë e skuadrës sime janë të ndërgjegjshme dhe të sakta. Ato duan ta bëjnë punën fiks siç duhet.»
Ja pse nuk është çudi që Fergusi, një përgjegjës skuadre, tha plot entuziazëm: «Pa diskutim, në ndërtim ka vend edhe për gratë.»
a Considerate Constructors Scheme është një organizatë e pavarur që ka për detyrë të përmirësojë imazhin e industrisë së ndërtimit në Britani.