Atlanta mirëpret ngrohtësisht Dëshmitarët e Jehovait
«I përgëzoj anëtarët e organizatës suaj për dëshirën dhe pasionin që tregojnë ndërsa i shërbejnë mbretërisë së Perëndisë. Përpjekjet filantropike dhe kontributi që jepni për bashkëbesimtarët dhe për komunitetin çmohen tej mase.»
Kështu u shpreh në letrën e tij Kasim Reed, kryetar i bashkisë së qytetit të Atlantës, Xhorxhia, SHBA. Me anë të kësaj letre, Dëshmitarëve të Jehovait u jepej mirëseardhja në tri kongrese të mëdha që do të mbaheshin atje.
Edhe Këshilli i Qytetit të Atlantës nxori një deklaratë ku u uronte mirëseardhjen delegatëve të kongresit. Aty thuhej: «Në mbarë botën ka afro tetë milionë Dëshmitarë të Jehovait, që vijnë nga . . . qindra grupe etnike dhe gjuhësore, prapëseprapë . . . ju bashkojnë synime të përbashkëta. . . . [Ju] doni të nderoni Jehovain, Perëndinë e Biblës dhe Krijuesin e gjithçkaje.»
Në korrik dhe në gusht të 2014-s u mbajtën tri kongrese; në dy prej tyre programi u zhvillua në anglisht dhe te tjetri në spanjisht. Delegatët erdhën nga të paktën 28 vende dhe programet në anglisht u përkthyen njëkohësisht në rusisht dhe në japonisht për dobinë e delegatëve që flitnin ato gjuhë. Në të tria kongreset ishin të pranishëm gjithsej 95.689 veta.
Gjatë 2014-s, Dëshmitarët e Jehovait mbajtën 24 kongrese të mëdha ndërkombëtare në nëntë shtete, përfshirë 16 në vende të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.