Kalo te përmbajtja

Diplomimi i klasës së 133-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

E shtunë, 8 shtator 2012

Diplomimi i klasës së 133-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Pas 5 muajsh studimi intensiv, 48 studentët e Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit u diplomuan në qendrën e arsimimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Paterson, Nju-Jork. Programin e diplomimit e ndoqën 9.694 familjarë e miq të studentëve, si edhe të tjerë.

Që nga viti 1943, në këtë shkollë janë stërvitur për shërbimin si misionarë mbi 8.000 shërbëtorë me përvojë. Në kurs libri mësimor kryesor është Bibla. Kursi u forcon besimin e i ndihmon studentët të zhvillojnë cilësi të krishtere që të jenë misionarë sa më të mirë.

«Mendoni me kujdes për çdo gjë të dashur.» Anthony Morris, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait dhe drejtues i programit, e filloi fjalimin e bazuar te Filipianëve 4:8 që thotë: «Vazhdoni të mendoni për çdo gjë . . . të dashur.»

Vëlla Morris nxori në pah se, kur mendojmë për gjërat e dashura, arrijmë të kemi qëndrim pozitiv në një botë të vështirë për t’u dashur. Ai tha: «Kërkojini gjërat e dashura dhe jini të dashur.»

Për shembull, Ati ynë qiellor na lë një shembull të bukur duke mos u përqendruar te gabimet tona. (Psalmi 130:3) Vëlla Morris tha: «Mos u përqendroni te gabimet e vëllezërve e të motrave, kështu do ta kenë më të lehtë t’ju duan.»

«Merrni njohuri, por mos u tregoni të mençur jashtë mase.» Harold Corkern, anëtar i Komitetit të Degës në Shtetet e Bashkuara, trajtoi temën e bazuar tek Eklisiastiu 7:16. Perëndia do që ne ta përdorim njohurinë në mënyrën e duhur dhe të mos lejojmë që ajo «të na rritë mendjen».

Vëlla Corkern tregoi edhe nevojën që të jemi të dashur kur këshillojmë dhe korrigjojmë. Nuk duhet të presim nga të tjerët më shumë se ç’pret Perëndia. «Përdoreni mirë mençurinë, njohurinë dhe kuptueshmërinë,—nxiti vëlla Corkern,—dhe vëllezërit do të duan të rrinë me ju.»

«Mos harroni si vepron Perëndia.» (Psalmi 78:7) Guy Pierce i Trupit Udhëheqës e filloi fjalimin duke shpjeguar se sjellja e fëmijëve, e mirë ose e keqe, është pasqyrë e prindërve. (Proverbat 20:11) Po njësoj, sjellja jonë pasqyron për mirë ose për keq Atin tonë qiellor. «Nga kjo duken fëmijët e Perëndisë dhe fëmijët e Djallit: kushdo që nuk praktikon drejtësinë, nuk vjen nga Perëndia.»​—1 Gjonit 3:10.

Vëlla Pierce tha se studentët janë ftuar të ndjekin Shkollën e Galaadit falë cilësive të mira të krishtere, përfshirë përulësinë. U kujtoi që të qëndronin të përulur. Arsimimi që morën nuk i bën më të mirë se të tjerët. Përkundrazi, tani janë më të përgatitur t’i kontribuojnë unitetit të vëllazërisë mbarëbotërore dhe të jenë shembullorë për sa i përket përulësisë. (Psalmi 133:1) Vëlla Pierce tha: «Tani keni marrë bazën e të mësuarit dhe si të vazhdoni ta njihni e ta kuptoni më mirë Perëndinë Jehova.»

«Bëmë vetëm atë që duhej të bënim.» William Samuelson, mbikëqyrësi i Repartit të Shkollave Teokratike, pyeti: «Si duhet të reagojmë nëse dëshirat, vullneti dhe ndjenjat tona bien ndesh me një caktim që marrim?» Mësojmë diçka nga fjalët e Lukës 17:7-10: «Pasi të keni bërë gjithçka që ju ishin caktuar, thoni: ‘Jemi skllevër që s’vlejnë për asgjë. Bëmë vetëm atë që duhej të bënim.’» Në krahasim me Zotërinë tonë, Jehovain, natyrisht që ne ‘s’vlejmë për asgjë’.

Studentët kanë qëndruar brenda në klasë për javë të tëra duke studiuar. Për disa kjo mund të ishte një sfidë. Vëlla Samuelson u tha: «Por ju bëtë atë që duhej të bënit dhe tani po ia shihni dobinë, besimi ju është forcuar.» Pastaj e mbylli fjalimin duke thënë: «Si kujdestarë të besueshëm, e vlerësofshi gjithmonë privilegjin për t’i shërbyer Zotërisë së universit!»

«Kujtoni sigurinë që na jep Jehovai kur jemi në vështirësi.» Sam Roberson, zëvendësmbikëqyrës i Repartit të Shkollave Teokratike, i paralajmëroi studentët se me raste do të shkurajoheshin. Prandaj u sugjeroi të kujtonin personazhet e shumta të Biblës që morën zemër nga Perëndia. Për shembull, Moisiu e siguroi Josiun: «Jehovai . . . nuk do të të lërë, as nuk do të të braktisë kurrsesi.» (Ligji i përtërirë 31:8) Në fund të jetës, Josiu tha nga përvoja e tij: «Nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj.»—Josiu 23:14.

Perëndia Jehova u premton shërbëtorëve të tij: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» (Hebrenjve 13:5) Na siguron se do të veprojë sipas kuptimit që ka emri Jehova («ai shkakton të bëhet») dhe ai bëhet gjithçka duhet për t’u kujdesur për shërbëtorët e tij. «Kurrë mos u dorëzoni,—nxiti vëlla Roberson.—Kurrë mos u tërhiqni. Kurrë mos u shkurajoni. Mos harroni, ai kurrë, kurrë, kurrë nuk do t’ju zhgënjejë.»

«Zëri i tyre shkoi në mbarë tokën.» (Romakëve 10:18) Të ndihmuar nga Mark Noumair, instruktor i Galaadit, studentë nga vende të ndryshme treguan dhe demonstruan përvoja të bukura nga predikimi afër Patersonit. Për shembull, një çift nga Afrika e Jugut u gëzuan kur takuan tri gra nga vendi i tyre dhe folën në gjuhën zulu dhe xhose. Kurse një çift nga Sri-Lanka takuan një indian, gruaja dhe vajza e të cilit jetonin në Sri-Lankë. Ai nuk kishte parë kurrë Bibël me sy, prandaj me kënaqësi i dhanë një nga Biblat e tyre.

«Të pajisur për çdo vepër të mirë.» Gene Smalley, ndihmës pranë Komitetit të Shkrimit, intervistoi dy çifte nga shkolla. Çifti nga Sierra-Leone tregoi se e mbushnin ujin ngaqë nuk e kishin në shtëpi. Por kjo lodhje e madhe venitej nga gëzimi që drejtonin 50 studime biblike. Katër studentët shprehën mirënjohje për përgatitjen që u dha kursi për çdo vepër të mirë në caktimet e ardhshme.—2 Timoteut 3:16, 17.

«Qëndroni deri në fund—E më tej.» Gerrit Lösch, anëtar i Trupit Udhëheqës, e nisi fjalimin kryesor duke shpjeguar si duhet ta përcaktojnë ritmin maratonistët për t’u siguruar që ta çojnë garën deri në fund. Në garat sportive vetëm njëri fiton, ndërsa në garën e krishterë, të gjithë ata që qëndrojnë deri në fund dalin fitues.

Qëndrueshmëri do të thotë t’i shërbejmë vazhdimisht Perëndisë, pa e humbur shpresën përballë pengesave, përndjekjeve, sprovave ose zhgënjimeve. Jezui tha: «Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.» (Mateu 24:13) Sa zemër na jep dijenia se Jehovai dhe Jezui e vërejnë qëndrueshmërinë tonë! Pastaj vëlla Lösch paraqiti disa pika që na ndihmojnë të qëndrojmë pavarësisht nga vështirësitë. Ja disa prej tyre:

  • Lutjuni Perëndisë «që jep qëndrueshmëri» dhe «që përditë mban barrën tonë».—Romakëve 15:5; Psalmi 68:19.

  • Jini të vendosur të mos bëni kompromis, të bindur se «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni».—1 Korintasve 10:13.

  • Mos e hiqni shikimin nga shpresa e krishterë. «Për gëzimin që iu vu përpara, ai [Jezui] duroi një shtyllë torture.»—Hebrenjve 12:2.

Vëlla Lösch theksoi se tani, kaq afër vijës së finishit, nuk është momenti të dorëzohemi. ‘Le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.’—Hebrenjve 12:1.

Një nga të diplomuarit e mbylli programin e mrekullueshëm duke lexuar një letër në emër të klasës. Në letër shprehnin mirënjohjen për stërvitjen praktike që kishin marrë. Tregonin se studimi i thellë dhe kronologjik i Biblës, jo vetëm u kishte rritur kuptueshmërinë për qëllimet e Perëndisë, por edhe u kishte forcuar besimin pa masë. «Jemi të vendosur të zbatojmë gjërat e bukura që kemi mësuar»,—pohonin në letër.