BIBLA TË NDRYSHON JETËN
Më në fund bashkohem me babanë!
LINDUR: 1954
VENDI I LINDJES: Filipine
TË DHËNA: Larg për shkak të të atit abuzues
E KALUARA IME
Ujëvarat e famshme pranë qytetit Pagsanhan në Filipine i vizitojnë shumë turistë. Këtu, babai im, Nardo Leroni, u rrit në varfëri. Ai mbushej me mllef dhe tërbohej teksa shihte korrupsionin në qeveri, në radhët e policisë dhe në vendin e punës.
Prindërit u munduan shumë në rritjen e tetë fëmijëve. Shpesh, ata largoheshin nga shtëpia për periudha të gjata, që të kujdeseshin për të mbjellat në male. Bashkë me vëllanë tim, Rodelion, jo rrallë na duhej të kujdeseshim për veten, dhe shumë herë nuk kishim për të ngrënë. Edhe pse fëmijë, s’kishim shumë raste për të luajtur. Që shtatë vjeç, secili prej nesh duhej të punonte në një plantacion; transportonim ngarkesa të rënda me arra kokosi përgjatë shtigjeve të thepisura malore. Nëse një ngarkesë ishte tepër e rëndë dhe nuk e ngrinim dot, detyroheshim ta tërhiqnim.
Na duhej të duronim rrahjet e babait, por kur rrihte mamanë, kjo ishte si thikë në zemër. Mundoheshim ta ndalonim, por ishim të pafuqishëm. Bashkë me Rodelion ramë dakord në fshehtësi që ta vrisnim babanë kur të rriteshim. Më digjej shpirti të kisha një baba që na donte!
I mbushur me inat dhe zemërim për shkak të dhunës së babait, u largova nga shtëpia kur isha 14 vjeç. Për ca kohë jetova në rrugë dhe nisa të pija marihuanë. Më vonë punoja duke çuar me varkë turistët tek ujëvarat.
Disa vite më vonë nisa studimet universitare në Manilë. Por, ngaqë në fundjavë kthehesha për punë në Pagsanhan, më ngelte fare pak kohë për të studiuar. Më dukej sikur vrapoja në vend-numëro, dhe marihuana nuk ma pakësonte më ankthin. Nisa të eksperimentoja me metamfetaminën, kokainën dhe heroinën. Shpesh droga çonte në imoralitet. Kudo përreth meje mbizotëronin varfëria, padrejtësitë dhe vuajtjet. E urreja qeverinë dhe mendoja se ajo mbante përgjegjësi për gjithë këtë. E pyesja Zotin: «Pse është kështu jeta?» Iu drejtova feve të ndryshme, por nuk gjeta asnjë përgjigje. Përdorja më shumë drogë për të venitur dëshpërimin.
Në vitin 1972 studentët në Filipine organizuan protesta kundër qeverisë. Mora pjesë në njërën prej tyre, e cila u bë e dhunshme. Pati shumë arrestime, dhe, muaj më vonë, i gjithë vendi u vu nën kontrollin e ushtrisë.
Përfundova sërish në rrugë, por këtë herë kisha frikë autoritetet, sepse isha bërë pjesë e rebelimit. Më duheshin pará për vesin e drogës, prandaj nisa të vidhja, dhe, në fund, fillova të ofroja favore seksuale për të pasurit dhe të huajt. Nuk e vrisja fare mendjen nëse jetoja apo vdisja.
Ndërkohë, mamaja dhe vëllai i vogël kishin filluar të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Babai ishte tërbuar fare dhe ua kishte djegur literaturën biblike. Ama ngulmuan të dy dhe u pagëzuan si Dëshmitarë të Jehovait.
Një ditë, një Dëshmitar i tregoi babait premtimin e Biblës për një të ardhme ku e gjithë toka do të ishte plot drejtësi të vërtetë. (Psalmi 72:12-14) Babait i pëlqeu aq shumë kjo ide, sa vendosi të sigurohej nëse ishte vërtet ashtu. Në Bibël nuk gjeti vetëm premtimin e Perëndisë për një qeveri të drejtë, por edhe kërkesat e Perëndisë për bashkëshortët dhe baballarët. (Efesianëve 5:28; 6:4) Pak më vonë, ai dhe të gjithë vëllezërit e motrat u bënë Dëshmitarë. Unë isha larg dhe nuk e kisha haberin për asgjë nga këto.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA
Në vitin 1978 u transferova në Australi. Por, as në këtë vend paqësor e të pasur nuk gjeja dot paqe mendore. Nuk u çlirova dot nga alkooli dhe droga. Disa muaj më vonë më vizituan Dëshmitarët e Jehovait. Më pëlqeu ajo që më treguan në Bibël për një tokë paqësore, por, kur bëhej fjalë të shoqërohesha me ta, ruhesha pak.
Pak pas kësaj u ktheva në Filipine për ca javë. Vëllezërit e motrat më thanë se babai ishte përpjekur goxha për t’u bërë njeri më i mirë, por unë isha gjithë vrer dhe u mundova të shmangia çdo kontakt me të.
Motra e vogël më shpjegoi nga Bibla pse jeta është plot vuajtje dhe padrejtësi. U habita sesi një adoleshente me fare pak përvojë mund t’u përgjigjej pyetjeve të mia. Para se të largohesha, babai më dha librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë. a Ai tha: «Mos u hallakat më! Ky libër do të ndihmojë ta gjesh atë që po kërkon.» Më nxiti t’i kërkoja Dëshmitarët e Jehovait në Australi.
Ia vura veshin këshillës së babait dhe gjeta një Sallë Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait pranë shtëpisë në Brisbein. Rashë dakord për një studim biblik të rregullt. Nga profecitë e Biblës, si ato te kapitulli 7 i Danielit dhe te kapitulli 9 i Isaisë, kuptova se qeveria e Perëndisë, që s’ka fije korrupsioni, do të na qeverisë në të ardhmen. Mësova se do të gëzojmë kushte parajsore në tokë. Doja të kisha miratimin e Perëndisë, por e kuptova se duhej t’i mbaja nën kontroll ndjenjat, ta lija drogën, të mos abuzoja më me alkoolin dhe të hiqja dorë nga jeta imorale. U ndava nga vajza me të cilën bashkëjetoja dhe u çlirova nga veset që kisha. Besimi te Jehovai më forcohej vazhdimisht dhe i lutesha për ndihmë që të bëja ndryshime të tjera.
Dalëngadalë kuptova se ajo që po mësoja, mund ta transformonte vërtet një person. Bibla thotë se me përpjekje mund të veshim një ‘personalitet të ri’. (Kolosianëve 3:9, 10) Ndërsa përpiqesha për këtë, e kuptova se ajo që kisha dëgjuar për ndryshimin e personalitetit të babait, mund të ishte e vërtetë. Në vend që të kisha një qëndrim zemërak dhe armiqësor, doja të bëja paqe me të. Në fund, e fala babanë dhe e hodha tej urrejtjen që kisha ushqyer që i vogël.
DOBITË
Kur isha i ri, shpesh imitoja të tjerët, sjelljen e tyre të dëmshme dhe shkatërruese. Në rastin tim doli i vërtetë paralajmërimi i Biblës—shoqëritë e këqija më çuan në rrugë të keqe. (1 Korintasve 15:33) Por, mes Dëshmitarëve të Jehovait kam zënë miq të besueshëm, të cilët më kanë ndihmuar të bëhem njeri më i mirë. Gjithashtu, mes tyre u njoha me gruan time të mrekullueshme, Loretën. Së bashku u mësojmë të tjerëve si mund t’i ndihmojë Bibla.
Falë Biblës, pashë babanë që u bë dikush që s’do ma kishte marrë kurrë mendja: një bashkëshort i dashur për mamanë dhe një i krishterë i përulur e paqedashës. Kur u takuam pasi u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait në vitin 1987, babai më përqafoi për herë të parë në jetë!
Për më se 35 vjet babai bashkëpunoi ngushtë me mamanë, duke folur me të tjerët për shpresën e Biblës. Ai u bë një njeri i palodhur dhe që merakosej për të tjerët, i cili njihej si një person që u vinte në ndihmë njerëzve. Gjatë atyre viteve mësova ta respektoja dhe ta doja. Ndihesha krenar që isha djali i tij! Ai u nda nga jeta në vitin 2016, por unë e kujtoj me shumë nostalgji, duke e ditur se të dy kemi bërë ndryshime të mëdha në personalitet pasi zbatuam mësimet e Biblës. Kam çrrënjosur çdo gjurmë të urrejtjes së mëparshme. Dhe jam shumë mirënjohës që kam gjetur Atin tim qiellor, Perëndinë Jehova, i cili premton t’i japë fund çdo gjëje që mund t’u sjellë dhimbje familjeve kudo qofshin.
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.