«Jehovai na shpëtoi jetën»
Në vitin 2005, në Indi, një grua e quajtur Sobagia humbi bashkëshortin e saj të dashur. Deri atëherë, ishte kujdesur ai për të dhe për vajzën e tyre 3-vjeçare, Meganën. Por tani, Sobagia mezi po ia dilte të siguronte jetesën.
Sikur të mos mjaftonte kjo, nuk pati as mbështetje nga të tjerët. Familjarët i trajtonin si lypëse dhe thoshin vazhdimisht se u ishin bërë barrë. Ngaqë kishte nevojë për ngushëllim, Sobagia nisi të shkonte te një kishë vendase. Por njerëzit atje e shihnin me përbuzje, se ishte e varfër. Sobagia filloi të kërkonte punë, në mënyrë që t’i siguronte vetë të ardhurat. Por pavarësisht nga përpjekjet e shumta, nuk arriti të gjente gjë.
Ajo shprehet: «Ndihesha e pashpresë, ndaj vendosa t’i jepja fund edhe jetës sime, edhe të vajzës, sepse e dija që ajo s’do t’ia dilte dot pa mua.» Ngaqë ndihej e pavlerë dhe mendonte se nuk e donte njeri, Sobagia shkoi të blinte helm.
Ndërsa po kthehej në shtëpi me tren, takoi një Dëshmitare të Jehovait që quhej Elizabeta, e cila iu afrua dhe nisi të bisedonte me të. Sobagia i tregoi se nuk po gjente dot punë, dhe Elizabeta u ofrua ta ndihmonte. Gjithashtu, Elizabeta i tregoi se po shkonte të takonte një studente të Biblës. Sobagia u habit se kishte shkuar në shumë kisha, por s’kishte dëgjuar kurrë për një studim të Biblës. Elizabeta e ftoi Sobagian në shtëpi që t’i tregonte se çfarë përfshinte një studim i Biblës.
Kur Sobagia mbërriti në shtëpi, po mendonte ende t’i jepte fund jetës. Por duke qenë se një e afërme e saj e mori Meganën me vete në një udhëtim, vendosi të mos bënte gjë derisa të kthehej vajza.
Ndërkohë shkoi të takonte Elizabetën, e cila e priti me shumë dashuri. Elizabeta i tregoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Sobagias i bëri përshtypje kapitulli «Ku janë të vdekurit?», ngaqë s’kishte shumë që i kishte vdekur bashkëshorti. Prandaj, që atë ditë Sobagia filloi të studionte Biblën.
Sobagia pranoi edhe ftesën e Elizabetës për të ndjekur një kongres që do të mbahej javën e ardhshme. Ajo u prek kaq shumë nga programi, sa vendosi të bëhej Dëshmitare e Jehovait. Kur u kthye në shtëpi, i ofruan një punë.
Sobagia vazhdoi ta studionte Biblën. Tani, ajo nuk donte më t’i jepte fund jetës, se kishte plot arsye për të jetuar. Sobagia u pagëzua, e më vonë edhe vajza e saj. Sot shërbejnë të dyja si pioniere të rregullta. Gjithashtu, Megana punon si vullnetare e jashtme për një nga zyrat e përkthimit në Indi.
Sa mirënjohëse ndihen që Elizabeta mori iniciativën për të folur me Sobagian në tren, tregoi interes të sinqertë dhe i dha dëshmi për të vërtetën. Mbi të gjitha, i janë tej mase mirënjohëse Jehovait. Megana thotë: «Nuk do të ishim gjallë sot nëse nuk do të kishim mësuar për të vërtetën atë ditë. Tani jemi shumë të lumtura. Mezi presim ditën kur do të mund ta përqafojmë sërish babanë, t’i mësojmë për Jehovain dhe t’i tregojmë se si Ai na shpëtoi jetën.»