Ç’pikëpamje kanë Dëshmitarët e Jehovait për divorcin?
Ne i përmbahemi pikëpamjes së Biblës për martesën dhe për divorcin. Perëndia e krijoi martesën si një lidhje të përhershme mes një burri dhe një gruaje. Sipas Shkrimeve, e vetmja bazë për divorc është imoraliteti seksual.—Mateu 19:5, 6, 9.
A i ndihmojnë Dëshmitarët çiftet që kanë probleme martesore?
Po, në disa mënyra.
Botimet. Me anë të tyre dalin rregullisht artikuj që forcojnë martesat, madje edhe ato që duken të pashpresa. Për shembull, shih artikujt: «Si ta ruash përkushtimin në martesë?», «Si të falësh?» dhe «Si të rifitoni besimin?»
Mbledhjet. Si në mbledhjet e kongregacionit, ashtu edhe në asamble e kongrese jepen këshilla praktike nga Bibla për martesën.
Pleqtë. Pleqtë e kongregacionit u japin ndihmë personale çifteve, duke ua drejtuar vëmendjen te shkrime, si Efesianëve 5:22-25.
A duhet ta miratojnë pleqtë e kongregacionit divorcin e një Dëshmitari?
Jo. Edhe nëse pleqve u kërkohet të ndihmojnë një çift të përballojë vështirësitë në martesë, ata nuk janë të autorizuar t’i thonë çiftit çfarë të bëjë. (Galatasve 6:5) Gjithsesi, dikush që vendos të divorcohet pa bazë biblike nuk është i lirë nga ana biblike të rimartohet.—1 Timoteut 3:1, 5, 12.
Si e shohin ndarjen Dëshmitarët?
Bibla i inkurajon bashkëshortët të qëndrojnë bashkë edhe kur gjërat vështirësohen. (1 Korintasve 7:10-16) Shumë nga problemet mund të zgjidhen duke u lutur vazhdimisht, duke zbatuar parimet biblike dhe duke treguar dashuri.—1 Korintasve 13:4-8; Galatasve 5:22.
Megjithatë, disa të krishterë kanë vendosur të ndahen nga bashkëshorti, në situata ekstreme, si më poshtë:
Kur nuk i siguron qëllimisht familjes gjërat e nevojshme.—1 Timoteut 5:8.
Kur ka keqtrajtim fizik ekstrem.—Psalmi 11:5.
Kur vihet absolutisht në rrezik marrëdhënia me Perëndinë. Për shembull, nëse bashkëshorti e detyron të shkelë në ndonjë mënyrë urdhërimet e Perëndisë, bashkëshorti Dëshmitar mund të vendosë se ndarja është mënyra e vetme që ‘t’i bindet Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’.—Veprat 5:29.