Burgosen për shkak të besimit—Singapor
Në Singapor janë burgosur 8 të rinj Dëshmitarë të Jehovait, pasi nuk pranuan të kryenin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. 4 prej tyre janë dënuar për herë të dytë, sepse nuk ndryshuan qëndrim pas burgosjes së parë. Këta të rinj nuk kanë asnjë mjet ligjor për mbrojtje, sepse në Singapor shërbimi ushtarak është me detyrim dhe qeveria nuk e njeh refuzimin për shkak të ndërgjegjes.
Kur një djalë mbush 18 vjeç, i kërkohet të futet në ushtrinë e Singaporit. Nëse nuk pranon për arsye ndërgjegjeje, e mbajnë në një kamp ushtarak deri në 12 muaj. Pas lirimit e urdhërojnë menjëherë të veshë uniformë ushtarake dhe të marrë pjesë në stërvitje ushtarake. Nëse refuzon prapë, i bëhet një gjyq ushtarak i dytë dhe dënohet deri në 18 muaj burg. Prandaj, të rinjtë Dëshmitarë që nuk pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, duhet të vuajnë dy dënime me burg, që në total arrijnë deri në 30 muaj burg.
Singapori nuk u bindet udhëzimeve të OKB-së
Prej kohësh, Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje vendeve anëtare «të pranojnë se e drejta për t’i thënë jo shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje duhet parë si një ushtrim i ligjshëm i së drejtës së lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, e njohur nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut». Ndonëse Singapori është ndër vendet anëtare që nga viti 1965, ka thënë se në këtë pikë nuk pajtohet me Kombet e Bashkuara. Në një letër të datës 24 prill 2002 që i drejtohej Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, një zyrtar i qeverisë së Singaporit u shpreh se «atje ku bindjet ose veprimet e individit bien ndesh [me të drejtën e mbrojtjes së kombit], përparësi ka e drejta e shtetit për të ruajtur sigurinë kombëtare». Ai shkruante drejtpërdrejt: «Refuzimin e shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje nuk e njohim si të drejtë universale.»
Tabelë kronologjike
18 tetor 2024
Gjithsej 8 Dëshmitarë të Jehovait janë në burg ngaqë refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje.
24 prill 2002
Një zyrtar i qeverisë konfirmon se Singapori nuk e njeh të drejtën e refuzimit të shërbimit ushtarak për arsye ndërgjegjeje.
Shkurt 1995
Rritet presioni i dhunshëm nga autoritetet dhe numri i të arrestuarve ndër Dëshmitarët e Jehovait që janë nënshtetas të Singaporit.
8 gusht 1994
Gjykata e Lartë e Singaporit refuzon apelimin e Dëshmitarëve.
12 janar 1972
Qeveria e Singaporit anulon njohjen ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait.