NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA
Teknologjia: Po ju bashkon, apo po ju ndan?
Teknologjia mund të ndikojë për mirë ose për keq te martesa. Po te martesa jote, si ndikon?
Çfarë duhet të dish?
Kur i përdor me mençuri pajisjet elektronike, mund ta forcosh martesën. Për shembull, me anë të tyre disa bashkëshortë komunikojnë me njëri-tjetrin gjatë ditës kur janë larg.
«Një mesazh i shkurtër me fjalët ‘Të dua’ ose ‘Për ty po mendoja’, mund të ketë shumë vlerë.»—Xhonatani.
Por, po t’i përdorësh pa ekuilibër pajisjet elektronike, mund ta dobësosh martesën. Për shembull, disa i përdorin pa pushim dhe nuk i kushtojnë kohë e vëmendje të mjaftueshme bashkëshortit.
«Mendoj se ka pasur raste kur im shoq donte të bisedonte me mua, por s’e ka bërë ngaqë gjithë kohën merresha me telefonin.»—Xhulisa.
Disa mendojnë se mund të bëjnë biseda domethënëse me bashkëshortin dhe në të njëjtën kohë të përdorin pajisjet elektronike. Mirëpo, sipas sociologes Sherí Tërkëll, «është e pamundur të bësh shumë gjëra njëherësh e t’u japësh të njëjtën vëmendje». Edhe pse njerëzit mendojnë se kjo është aftësi, faktikisht nuk është. Sociologia thotë se «sa më shumë gjëra të bëjmë në të njëjtën kohë, aq më shumë do të bjerë cilësia e punës». a
«Kënaqem jashtë mase kur bëj muhabet me burrin, ama jo kur merret edhe me pajisjet elektronike. Kështu më lë përshtypjen se do të ishte rehat edhe pa mua.»—Sara.
Përfundimi: Mënyra si e përdor teknologjinë mund ta ndihmojë ose ta dëmtojë martesën.
Ç’mund të bësh?
Vendos përparësitë. Bibla thotë: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’ (Filipianëve 1:10) Pyet veten: «Mos ndoshta pajisjet elektronike na vjedhin kohën dhe vëmendjen që duhet t’i kushtojmë njëri-tjetrit?»
«Është për të ardhur keq kur sheh një burrë e një grua në restorant, të fiksuar pas celularit. Nuk duam të jemi skllevër të teknologjisë dhe të harrojmë atë që është më e rëndësishme, pra marrëdhënien me njëri-tjetrin.»—Mateo.
Vendos kufizime. Bibla thotë: «Bëni shumë kujdes, pra, që të mos ecni si të pamendët, por si të mençurit, duke e shfrytëzuar sa më mirë kohën.» (Efesianëve 5:15, 16) Pyet veten: «A mund të lë një kohë specifike që t’u përgjigjem mesazheve që s’janë urgjente, në vend që të përgjigjem orar pa orar?»
«Për mua është më mirë ta lë pa zë celularin e t’u përgjigjem mesazheve në një moment tjetër. Rrallëherë ndodh që një telefonatë, mesazh ose email të jetë aq urgjent, sa të kërkojë përgjigje të menjëhershme.»—Xhonatani.
Nëse është e mundur, mos e merr punën me vete. Bibla thotë: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar.» (Eklisiastiu 3:1) Pyet veten: «Kur jam në shtëpi, a e përdor celularin edhe për punën? Nëse po, si po ndikon në martesë? Po gruaja, si mendon?»
«Falë teknologjisë mund të punojmë kudo dhe kurdo. Prandaj, kur jam me gruan, përpiqem fort të mos e kontrolloj vazhdimisht celularin për gjërat e punës.»—Mateo.
Diskuto me bashkëshortin për përdorimin e pajisjeve elektronike. Bibla thotë: «Secili të vazhdojë të kërkojë jo interesin e vet, por atë të tjetrit.» (1 Korintasve 10:24) Flitni së bashku për kohën që secili u kushton pajisjeve elektronike dhe nëse duhet të bëni ndonjë ndryshim. Pse mos të filloni me kutinë Pyetje për diskutim.
«Jemi shumë të sinqertë me njëri-tjetrin. Madje flasim hapur nëse mendojmë se njëri nga ne po e përdor pa karar celularin ose tabletën. E kuptojmë se ky mund të kthehet në problem, ndaj i dëgjojmë me vëmendje mendimet e njëri-tjetrit.»—Daniela.
Përfundimi: Ji pronar i mjeteve elektronike, jo shërbëtor i tyre.
a Nga libri Reclaiming Conversation—The Power of Talk in a Digital Age.