Çfarë thotë Bibla për pornografinë? A është i gabuar kiberseksi?
Përgjigjja e Biblës
Bibla nuk e përmend drejtpërdrejt pornografinë, kiberseksin ose gjëra të tilla. Gjithsesi, Bibla e shpreh shumë qartë pikëpamjen e Perëndisë për veprime që nxitin seksin jashtë martese ose një pikëpamje të shtrembëruar për seksin. Shqyrto këto vargje të Biblës:
«Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale.» (Kolosianëve 3:5) Shikimi i pornografisë nuk i bën dëshirat e gabuara të vdesin, por i ndez ato. E bën dikë të papastër ose të pistë në sytë e Perëndisë.
«Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» (Mateu 5:28) Pamjet e praktikave seksuale imorale ndezin mendime të gabuara që çojnë në veprime të gabuara.
«Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju.» (Efesianëve 5:3) Seksin imoral nuk duhet as ta përmendim për shaka, e jo më ta shohim ose të lexojmë për të.
«Veprat e mishit duken qartë, dhe ato janë: kurvëria, ndyrësia . . . dhe gjëra si këto. Për këto gjëra po ju paralajmëroj, ashtu siç ju paralajmërova më parë, se ata që praktikojnë gjëra të tilla, nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» (Galatasve 5:19-21) Perëndia i konsideron të papastër, të ndotur moralisht ata që merren me pornografi, kiberseks, seks me anë të telefonit ose sexting. Nëse i bëjmë zakon këto gjëra, mund ta humbasim plotësisht miratimin e Perëndisë.