Kush është antikrishti?
Përgjigjja e Biblës
Antikrishti nuk është thjesht një person, organizatë ose ent i vetëm, pasi Bibla thotë se ka «shumë antikrishtër». (1 Gjonit 2:18) Përkundrazi, termi «antikrisht» vjen nga një fjalë greke që do të thotë «kundër (ose në vend të) Krishtit» dhe i referohet dikujt që:
mohon se Jezui është Krishti (Mesia) ose mohon se ai është Biri i Zotit.—1 Gjonit 2:22.
i kundërvihet Krishtit, të Mirosurit të Zotit.—Psalmi 2:1, 2; Luka 11:23.
pretendon se është Krishti.—Mateu 24:24.
përndjek dishepujt e Krishtit, meqë sipas Jezuit, çdo gjë që bëjnë kundër tyre, është sikur po e bëjnë kundër tij.—Veprat 9:5.
hiqet si i krishterë ndërkohë që bën paligjshmëri ose mashtron.—Mateu 7:22, 23; 2 Korintasve 11:13.
Individët që bëjnë këto gjëra Bibla i quan antikrishtër, por edhe si grup i quan «antikrishti». (2 Gjonit 7) Antikrishti u shfaq për herë të parë në kohën e apostujve dhe ka qenë aktiv që atëherë. Profecia biblike paratha se do të ndodhte pikërisht kjo gjë.—1 Gjonit 4:3.
Si t’i identifikojmë antikrishtërit
Ata përhapin ide të rreme për Jezuin. (Mateu 24:9, 11) Për shembull, ata që predikojnë Trinitetin ose se Jezui është Zoti i Plotfuqishëm, faktikisht po u kundërvihen mësimeve të Jezuit, i cili tha: «Ati është më i madh se unë.»—Gjoni 14:28.
Antikrishtërit hedhin poshtë atë që tha Jezui për mënyrën si vepron Mbretëria e Perëndisë. Për shembull, disa udhëheqës fetarë pohojnë se Krishti vepron nëpërmjet qeverive njerëzore. Mirëpo, kjo bie ndesh me fjalët e Jezuit: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.»—Gjoni 18:36.
Ata thonë se Jezui është Zotëria i tyre, por nuk u binden urdhërimeve të tij, përfshirë urdhrin për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë.—Mateu 28:19, 20; Luka 6:46; Veprat 10:42.