A mund të më ndihmojë Bibla kur jam i dëshpëruar?
Përgjigjja e Biblës
Po, sepse ndihmën më të mirë na e jep «Perëndia, i cili i ngushëllon, u jep zemër, i freskon e i gjallëron të dëshpëruarit».—2 Korintasve 7:6, The Amplified Bible.
Çfarë u jep Perëndia të dëshpëruarve?
Forcë. Perëndia ‘të freskon e të gjallëron’, jo duke të hequr të gjitha problemet, por duke iu përgjigjur lutjeve të tua për forcë që t’ia dalësh mbanë. (Filipianëve 4:13) Të jesh i sigurt se ai është i gatshëm të të dëgjojë, pasi Bibla thotë: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» (Psalmi 34:18) Në fakt, Perëndia i dëgjon thirrjet e tua për ndihmë edhe nëse nuk ia shpreh dot me fjalë si ndihesh.—Romakëve 8:26, 27.
Shembuj të mirë. Një shkrimtar i Biblës iu lut Perëndisë: «Nga dëshpërimi i madh të thërras për ndihmë.» Ky psalmist e përballoi dëshpërimin duke mbajtur në mendje se Perëndia nuk na i mban llogari fajet. Në vend të kësaj i tha Perëndisë: «Po ta llogaritje mëkatin, o Zot, kush mund të qëndronte para teje? Por ti mund ta falësh edhe mëkatin, që njeriu të të nderojë e të të dëgjojë.»—Psalmi 130:1, 3, 4, Bibla ECM.
Shpresë. Përveçse na jep zemër sot, Perëndia ka premtuar t’i heqë të gjitha problemet që na dëshpërojnë. Kur ta përmbushë këtë premtim, «gjërat e mëparshme [ku përfshihet edhe depresioni] nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër».—Isaia 65:17.
Vër re: Ndërkohë që pranojnë ndihmë nga Perëndia, Dëshmitarët e Jehovait kërkojnë edhe trajtim mjekësor për sëmundje si depresioni klinik. (Marku 2:17) Megjithatë, ata nuk sugjerojnë ndonjë trajtim mjekësor specifik; mendojnë që secili duhet të marrë vendimin e vet për këto çështje.