Çfarë është bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur te kapitulli 17 i Zbulesës?
Përgjigjja e Biblës
Bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur, që përshkruan kapitulli 17 i Zbulesës, është simbol i organizatës që ka për qëllim të bashkojë e të përfaqësojë kombet në të gjithë botën. Nisi si Lidhja e Kombeve, ndërsa tani quhet Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Si ta identifikojmë bishën me ngjyrë të kuqe të ndezur
Ent politik. Bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur ka ‘shtatë koka’ të cilat thuhet se përfaqësojnë «shtatë male» dhe ‘shtatë mbretër’, ose fuqi sunduese. (Zbulesa 17:9, 10) Malet dhe bishat në Bibël simbolizojnë qeveri.—Jeremia 51:24, 25; Danieli 2:44, 45; 7:17, 23.
Shëmbëlltyrë e sistemit politik botëror. Bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur ngjan me bishën me shtatë koka te kapitulli 13 i Zbulesës, e cila përfaqëson sistemin politik botëror. Të dyja bishat kanë shtatë koka, dhjetë brirë dhe emra blasfemues. (Zbulesa 13:1; 17:3) Këto ngjashmëri janë tepër të rralla për t’u quajtur rastësi. Bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur është shëmbëlltyrë e sistemit politik botëror.—Zbulesa 13:15.
Fuqi nga sundime të tjera. Bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur «vjen nga» ose ekziston falë forcave të tjera qeverisëse.—Zbulesa 17:11, 17.
E lidhur me fenë. Babilonia e Madhe, tërësia e feve të rreme të botës, ulet mbi bishën me ngjyrë të kuqe të ndezur, duke treguar kështu se bisha ndikohet nga grupet fetare.—Zbulesa 17:3-5.
Çnderon Perëndinë. Bisha është «plot me emra blasfemues».—Zbulesa 17:3.
Përkohësisht joaktive. Bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur do të jetë në ‘humnerë’, a ose joaktive, për njëfarë kohe, por do të ngjitet sërish.—Zbulesa 17:8.
Profeci biblike të përmbushura
Shqyrto se si OKB-ja dhe paraardhësja e saj, Lidhja e Kombeve, kanë përmbushur profecinë biblike të bishës me ngjyrë të kuqe të ndezur.
Ent politik. OKB-ja mbështet sistemin politik, duke ruajtur «barazinë sovrane mes gjithë anëtarëve të saj». b
Shëmbëlltyrë e sistemit politik botëror. Në vitin 2011 numri i shteteve anëtare të OKB-së arriti në 193. Kështu, ajo pohon se përfaqëson shumicën dërrmuese të kombeve dhe të popujve në botë.
Fuqi nga sundime të tjera. OKB-ja ekziston falë kombeve anëtare dhe ka aq fuqi dhe autoritet sa i japin ato.
E lidhur me fenë. Si Lidhja e Kombeve, edhe OKB-ja kanë marrë vazhdimisht përkrahje nga fetë botërore. c
Çnderon Perëndinë. OKB-ja u themelua «për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare». d Edhe pse ky qëllim mund të duket i lavdërueshëm, OKB-ja e çnderon Perëndinë duke pohuar se do të realizojë atë që Zoti ka thënë se do ta përmbushë vetëm Mbretëria e tij.—Psalmi 46:9; Danieli 2:44.
Përkohësisht joaktive. Lidhja e Kombeve, e cila u krijua menjëherë pas Luftës I Botërore për të ruajtur paqen, ishte e paaftë të parandalonte konfliktet ndërkombëtare. Ajo pushoi së ekzistuari më 1939, kur filloi Lufta II Botërore. Në 1945-n, kur mbaroi Lufta II Botërore, u krijua OKB-ja. Qëllimet, metodat dhe struktura e saj ngjanin shumë me Lidhjen e Kombeve.
a Sipas Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words, fjala greke e përkthyer «humnerë» përshkruan «një thellësi të pamatshme». Versioni King James e përkthen këtë fjalë «humnerë e pafund». Në Bibël i referohet një vendi ose gjendjeje izolimi dhe mungese të plotë aktiviteti.
b Shih nenin 2 të Kartës së OKB-së.
c Për shembull, një këshill që përfaqësonte me dhjetëra grupe fetare protestante në Amerikë deklaroi në 1918-n se Lidhja do të ishte «shprehja politike e Mbretërisë së Perëndisë në tokë». Më 1965 përfaqësues nga budizmi, katolicizmi, ortodoksia e lindjes, hinduizmi, islamizmi, judaizmi, dhe protestantizmi u mblodhën në San-Francisko që të përkrahnin e të luteshin për OKB-në. Dhe në vitin 1979, papa Gjon Pali II tha se shpresonte që OKB-ja «të mbetej përherë tribuna më e lartë e paqes dhe e drejtësisë».
d Shih nenin 1 të Kartës së OKB-së.