Cilët ose çfarë janë engjëjt?
Përgjigjja e Biblës
Engjëjt janë krijesa që kanë më tepër fuqi e aftësi se njerëzit. (2 Pjetrit 2:11) Ata jetojnë në qiell dhe janë një formë jete më e lartë se universi fizik. (1 Mbretërve 8:27; Gjoni 6:38) Prandaj quhen edhe krijesa frymore.—1 Mbretërve 22:21; Psalmi 18:10.
Si u krijuan engjëjt?
Perëndia i krijoi engjëjt nëpërmjet Jezuit, që Bibla e quan: «I parëlinduri i gjithë krijimit.» Ndërsa përshkruan se si Zoti e përdori Jezuin gjatë krijimit, Bibla thotë se «me anë të [Jezuit] u krijua gjithçka tjetër në qiej dhe në tokë, gjërat e dukshme dhe të padukshme», përfshirë engjëjt. (Kolosianëve 1:13-17) Engjëjt nuk martohen dhe nuk riprodhohen. (Marku 12:25) Secili prej këtyre ‘bijve të Perëndisë’ u krijua më vete.—Jobi 1:6.
Engjëjt u krijuan shumë-shumë kohë më parë, para se të ekzistonte toka. Kur Zoti krijoi tokën, engjëjt ‘brohoritën tërë ngazëllim’.—Jobi 38:4-7.
Sa engjëj ka?
Bibla nuk jep një shifër të saktë, por tregon se numri i tyre është tejet i madh. Për shembull, në një vegim të apostullit Gjon përmendet kalimthi se engjëjt ishin me qindra milionë.—Zbulesa 5:11.
A kanë emër dhe personalitet engjëjt?
Po. Bibla zbulon emrat e dy engjëjve: Mikael dhe Gabriel. (Danieli 12:1; Luka 1:26) a Disa engjëj të tjerë nuk e mohuan që kishin një emër, por nuk e treguan.—Zanafilla 32:29; Gjykatësit 13:17, 18.
Secili nga engjëjt ka personalitetin e vet. Ata mund të komunikojnë me njëri-tjetrin. (1 Korintasve 13:1) Janë të aftë për të menduar dhe për të formuluar shprehje lëvdimi për Perëndinë. (Luka 2:13, 14) Gjithashtu janë të lirë të zgjedhin midis së drejtës e së gabuarës, siç kuptohet nga rasti kur disa prej tyre mëkatuan duke u bashkuar me Satana Djallin kur u rebelua kundër Perëndisë.—Mateu 25:41; 2 Pjetrit 2:4.
A janë të ndarë sipas rangut engjëjt?
Po. Engjëlli që ka më shumë fuqi e autoritet është Mikaeli, kryeengjëlli. (Juda 9; Zbulesa 12:7) Serafinët i përkasin një rangu të lartë dhe qëndrojnë pranë fronit të Jehovait. (Isaia 6:2, 6) Kerubinët, të një rangu tjetër të lartë, kanë detyra të veçanta. Për shembull, ata ruajtën hyrjen e kopshtit të Edenit pasi Adami dhe Eva u dëbuan prej tij.—Zanafilla 3:23, 24.
A i ndihmojnë engjëjt njerëzit?
Po, Zoti i përdor engjëjt besnikë për t’i ndihmuar njerëzit sot.
Me anë të engjëjve, Perëndia drejton shërbëtorët e tij ndërsa predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Zbulesa 14:6, 7) Nga ky drejtim përfitojnë si ata që predikojnë, ashtu edhe ata që e dëgjojnë lajmin e mirë.—Veprat 8:26, 27.
Engjëjt ndihmojnë që kongregacioni i krishterë të mos ndotet nga njerëzit e ligj.—Mateu 13:49.
Engjëjt i drejtojnë dhe i mbrojnë ata që i qëndrojnë besnikë Perëndisë.—Psalmi 34:7; 91:10, 11; Hebrenjve 1:7, 14.
Së shpejti engjëjt do t’i sjellin lehtësim njerëzimit, duke luftuar përkrah Jezu Krishtit për të zhdukur ligësinë.—2 Selanikasve 1:6-8.
A ka secili prej nesh një engjëll mbrojtës?
Ndonëse engjëjt kujdesen që shërbëtorët e Perëndisë të ruajnë besimin, kjo s’do të thotë medoemos që Ai cakton një engjëll mbrojtës për çdo të krishterë. b (Mateu 18:10) Engjëjt nuk i mbrojnë shërbëtorët e Zotit nga çdo sprovë a tundim. Bibla tregon se Perëndia shpesh ‘siguron rrugëdaljen’ nga sprova duke dhënë mençuri e forcë për të qëndruar.—1 Korintasve 10:12, 13; Jakovi 1:2-5.
Ide të gabuara për engjëjt
Ide e gabuar: Të gjithë engjëjt janë të mirë.
Fakt: Bibla flet për «forcat e liga frymore» dhe për ‘engjëjt që mëkatuan’. (Efesianëve 6:12; 2 Pjetrit 2:4) Këta engjëj të këqij janë demonët, të cilët u bashkuan me Satanain kur u rebelua kundër Zotit.
Ide e gabuar: Engjëjt janë të pavdekshëm.
Fakt: Engjëjt e ligj, përfshirë Satana Djallin, do të shkatërrohen.—Juda 6.
Ide e gabuar: Njerëzit bëhen engjëj pas vdekjes.
Fakt: Engjëjt nuk janë njerëz të ringjallur, por janë krijuar më vete nga Perëndia. (Kolosianëve 1:16) Njerëzit që ringjallen për të jetuar në qiell, marrin si dhuratë nga Perëndia jetën e përhershme. (1 Korintasve 15:53, 54) Ata do të kenë një pozitë më të lartë se engjëjt.—1 Korintasve 6:3.
Ide e gabuar: Engjëjt ekzistojnë për t’u shërbyer njerëzve.
Fakt: Engjëjt u binden urdhrave të Zotit, jo urdhrave tanë. (Psalmi 103:20, 21) Edhe Jezui tha se do t’i thërriste Perëndisë për ndihmë, jo drejtpërdrejt engjëjve.—Mateu 26:53.
Ide e gabuar: Mund t’u lutemi engjëjve për ndihmë.
Fakt: Lutja drejtuar Zotit është pjesë e adhurimit tonë, i cili i përket Perëndisë Jehova. (Zbulesa 19:10) Duhet t’i lutemi vetëm Perëndisë, nëpërmjet Jezuit.—Gjoni 14:6.
a Disa përkthime të Biblës tek Isaia 14:12 përdorin emrin «Lucifer» që disa mendojnë se është emri i engjëllit që u bë Satana Djalli. Megjithatë, fjala në gjuhën origjinale, në hebraisht, do të thotë «ti që shkëlqen». Konteksti tregon se ky emërtim nuk i referohet Satanait, por dinastisë së Babilonisë, që Perëndia do ta poshtëronte për shkak të arrogancës. (Isaia 14:4, 13-20) Shprehja «ti që shkëlqen» u përdor për të ironizuar dinastinë e Babilonisë pas rrëzimit të saj.
b Sipas disave, tregimi për çlirimin e Pjetrit nga burgu dëshmon se Pjetri kishte një engjëll mbrojtës. (Veprat 12:6-16) Megjithatë, kur dishepujt thanë ‘engjëlli i [Pjetrit]’, mund të kenë menduar gabimisht se te porta nuk ishte Pjetri, por një lajmëtar engjëllor që e përfaqësonte.