A është Maria nëna e Perëndisë?
Përgjigjja e Biblës
Jo, Bibla nuk mëson se ajo është nëna e Perëndisë, dhe as lë të kuptohet se të krishterët duhet ta adhurojnë ose ta përnderojnë Marinë. a Shqyrto pjesën më poshtë.
Maria nuk tha kurrë se ishte nëna e Perëndisë. Bibla shpjegon se ajo lindi ‘Birin e Më të Lartit’ ose ‘Birin e Perëndisë’, por jo vetë Perëndinë.—Luka 1:32, 35.
Jezu Krishti nuk tha kurrë se Maria ishte nëna e Perëndisë ose se meritonte ndonjë përkushtim të veçantë. Në fakt, kur një grua i kushtoi vëmendje të veçantë rolit të Marisë si nëna e tij, duke e quajtur të lumtur, Jezui e ndreqi. Ai tha: «Jo, më mirë lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»—Luka 11:27, 28.
Shprehjet «Nëna e Perëndisë» dhe «Theotokos» (Ajo që lindi Perëndinë) nuk gjenden në Bibël.
Shprehja ‘mbretëresha e qiejve’ që gjendet në Bibël, nuk i referohet Marisë, por një perëndeshe të rreme që adhuronin izraelitët apostatë. (Jeremia 44:15-19) ‘Mbretëresha e qiejve’ mund të ketë qenë Ishtari (Astarta), një perëndeshë babilonase.
Të krishterët e hershëm nuk e adhuronin Marinë dhe as e nderonin në ndonjë mënyrë të veçantë. Një historian thotë se të krishterët e hershëm «i hidhnin poshtë kultet dhe ka shumë mundësi që kishin frikë se mos, duke i kushtuar vëmendje të pavend Marisë, kjo mund të ngjallte dyshime se mos po adhuronin një perëndeshë».—In Quest of the Jewish Mary.
Bibla thotë se Perëndia ka ekzistuar gjithmonë. (Psalmi 90:1, 2; Isaia 40:28) Meqë ai nuk ka një fillim, atëherë nuk mund të ketë një nënë. Për më tepër, Maria nuk mund ta ketë mbajtur Perëndinë në bark, pasi Bibla thotë qartazi se as qiejt nuk e mbajnë dot.—1 Mbretërve 8:27.
Maria—Nëna e Jezuit, jo «Nëna e Perëndisë»
Maria lindi në një familje judaike dhe ishte pasardhëse e drejtpërdrejtë e mbretit David. (Luka 3:23-31) Falë besimit dhe përkushtimit të saj, kishte gjetur shumë hir në sytë e Perëndisë. (Luka 1:28) Perëndia e zgjodhi të bëhej nëna e Jezuit. (Luka 1:31, 35) Ajo dhe burri i saj, Jozefi, patën edhe fëmijë të tjerë më vonë.—Marku 6:3.
Edhe pse Bibla tregon se Maria u bë dishepulle e Jezuit, nuk thotë shumë informacione të tjera për të.—Veprat 1:14
a Disa grupe fetare mësojnë se Maria është nëna e Perëndisë. Ata mund t’i referohen asaj si «Mbretëresha e qiellit» ose me termin Theotokos, një fjalë greke që do të thotë «Ajo që lindi Perëndinë».