Cilët ishin njeriu i pasur dhe Lazari?
Përgjigjja e Biblës
Njeriu i pasur dhe Lazari janë personazhet e një historie imagjinare që e tregoi Jezui gjatë një fjalimi. (Luka 16:19-31) Në këtë histori, dy burrat paraqesin dy grupe njerëzish: (1) udhëheqësit fetarë judenj në ditët e Jezuit që ishin shumë krenarë dhe (2) njerëzit e thjeshtë e të sinqertë që iu përgjigjën pozitivisht mesazhit të Jezuit.
Në këtë artikull
Çfarë tha Jezui për njeriun e pasur dhe për Lazarin?
Në kapitullin 16 të Lukës, Jezui flet për këta dy burra, jeta e të cilëve ndryshoi kryekëput.
Ja një përmbledhje e tregimit të Jezuit: një burrë i pasur jetonte në luks. Pranë portës së tij çonin një lypës që quhej Lazar; ky shpresonte të hante gjërat që binin nga tryeza e të pasurit. Më vonë, Lazari vdiq dhe engjëjt e çuan pranë Abrahamit. Vdiq edhe i pasuri dhe e varrosën. Megjithatë, të dy përshkruhen sikur janë të vetëdijshëm pas vdekjes. Njeriu i pasur po torturohej në zjarrin flakërues dhe i kërkoi Abrahamit të dërgonte Lazarin që të njomte majën e gishtit në ujë e t’ia freskonte gjuhën. Abrahami nuk e pranoi kërkesën e të pasurit dhe i tha se tani rrethanat e këtyre dy burrave kishin ndryshuar komplet dhe se mes tyre kishte një hendek të madh i cili nuk mund të kapërcehej.
A ka ndodhur vërtet kjo ngjarje?
Jo. Ky është thjesht një ilustrim që Jezui e përdori për të nxjerrë në pah një mësim të fuqishëm. Edhe studiuesit e pranojnë se nuk bëhet fjalë për një ngjarje reale. Për shembull, një nëntitull i Biblës së Luterit, botimi i vitit 1912, thotë se kjo është një shëmbëlltyrë. Gjithashtu, Bibla katolike Jerusalem Bible, në një shënim thotë se kjo është «një shëmbëlltyrë në formën e një tregimi që nuk bën fjalë për ndonjë personazh konkret historik».
A po jepte Jezui një mësim për jetën pas vdekjes? A po nënkuptonte se disa njerëz vuajnë në ferrin e zjarrtë pas vdekjes dhe se Abrahami e Lazari ishin në qiell? Ja disa fakte që vërtetojnë se nuk është kështu.
Për shembull:
Nëse njeriu i pasur do të kishte qenë vërtet në një vend të mirëfilltë me zjarr, a nuk do të avullonte pika e ujit nga gishtat e Lazarit?
Po edhe sikur të mos avullonte, a do të mjaftonte një pikë uji për t’u sjellë lehtësim të vërtetë vuajtjeve të të pasurit në ferrin e zjarrtë?
E si mund të ishte gjallë në qiell Abrahami kur Jezui e tha qartë se, deri në atë kohë askush nuk ishte ngjitur në qiell?—Gjoni 3:13.
A e mbështet ky tregim doktrinën e ferrit të zjarrtë?
Jo. Ndonëse kjo nuk është një ngjarje reale, disa argumentojnë se ajo përcjell idenë se njerëzit e mirë shkojnë në qiell dhe të këqijtë torturohen në ferrin e zjarrtë. a
A është një përfundim logjik ky? Aspak.
Mësimi i ferrit të zjarrtë nuk përputhet me atë që thotë Bibla për gjendjen e të vdekurve. Për shembull, ajo nuk thotë se të gjithë njerëzit e mirë që vdesin, bekohen me një jetë të lumtur në qiell, kurse të këqijtë torturohen në ferrin e zjarrtë. Përkundrazi, Bibla e thotë qartë: «Të gjallët e dinë se do të vdesin, kurse të vdekurit s’dinë asgjë.»—Eklisiastiu 9:5.
Çfarë kuptimi ka tregimi për njeriun e pasur dhe Lazarin?
Ky tregim shpjegon se pas pak rrethanat e këtyre dy grupeve njerëzish do të ndryshonin komplet.
Njeriu i pasur me sa duket simbolizon udhëheqësit fetarë judenj, «të cilët vdisnin për pará». (Luka 16:14) Ata e dëgjuan Jezuin, por e kundërshtuan mesazhin e tij. Veç kësaj, ata krerë fetarë i shihnin me përçmim njerëzit e thjeshtë.—Gjoni 7:49.
Lazari simbolizon njerëzit e thjeshtë që pranuan mesazhin e Jezuit dhe përçmoheshin nga udhëheqësit fetarë judenj.
Ndryshimi i rrethanave ishte drastik për të dyja grupet.
Udhëheqësit fetarë judenj mendonin se kishin miratimin e Perëndisë. Mirëpo, si të thuash, vdiqën kur Perëndia i hodhi poshtë ata dhe formën e tyre të adhurimit, ngaqë nuk e pranuan mesazhin e Jezuit. Veç kësaj, ata i torturonte mesazhi që predikonin Jezui dhe dishepujt e tij.—Mateu 23:29, 30; Veprat 5:29-33.
Njerëzit e thjeshtë—që prej kohësh krerët fetarë i kishin lënë pas dore—tani po përjetonin kohë të favorshme. Mjaft prej tyre pranuan mesazhin që mësonte Jezui dhe po nxirrnin dobi prej tij. Tani kishin mundësinë të gëzonin miratimin e Perëndisë përgjithmonë.—Gjoni 17:3.
a Disa përkthime të Biblës përdorin fjalën «ferr» për të përshkruar vendin ku ndodhej i pasuri pas vdekjes. Mirëpo, fjala origjinale greke (Hades) që përdoret te Luka 16:23, do të thotë thjesht varr.