Çfarë është Rregulla e Artë?
Përgjigjja e Biblës
Shprehja «Rregulla e Artë» nuk del në Bibël. Megjithatë, shumë veta e përdorin kur i referohen një rregulli për sjelljen, për të cilin foli Jezui. Në Predikimin e tij të famshëm në Mal, Jezui tha: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12; Luka 6:31) Rregullën e Artë e kanë shprehur edhe kështu: «Bëju të tjerëve atë që do të donit t’ju bëjnë edhe juve.»—Encyclopedia of Philosophy.
Ç’domethënie ka Rregulla e Artë?
Rregulla e Artë na inkurajon t’i trajtojmë të tjerët ashtu si do të donim të na trajtonin. Shumë veta e vlerësojnë kur të tjerët i trajtojnë me respekt, mirësi e dashuri. Prandaj është normale që edhe ne duhet ‘të bëjmë po njësoj’ ndaj tyre.—Luka 6:31.
Pse Rregulla e Artë është e dobishme?
Rregulla e Artë vlen pothuajse për çdo situatë. Për shembull, mund . . .
të forcojë martesën.—Efesianëve 5:28, 33.
të drejtojë prindërit ndërsa rritin fëmijët.—Efesianëve 6:4.
të nxitë marrëdhënie të mira mes miqve, të afërmve dhe kolegëve.—Proverbat 3:27, 28; Kolosianëve 3:13.
Rregulla e Artë është ndër parimet bazë që gjejmë në pjesën më të madhe të asaj që quhet Dhiata e Vjetër. Ky rregull për sjelljen, për të cilin na mësoi Jezui, «është domethënia e Ligjit [pesë librat e parë të Biblës] dhe e Profetëve [librat profetikë]». (Mateu 7:12) Me fjalë të tjera, Rregulla e Artë përmban një të vërtetë themelore të Dhiatës së Vjetër: të duam të afërmin.—Romakëve 13:8-10.
A na nxit Rregulla e Artë të japim me synimin që të marrim diçka në këmbim?
Jo. Rregulla e Artë përqendrohet kryesisht te dhënia. Kur dha Rregullën e Artë, Jezui po fliste për mënyrën si do të trajtonim jo vetëm njerëzit në përgjithësi, por madje edhe armiqtë. (Luka 6:27-31, 35) Pra, ky rregull na nxit të bëjmë të mira ndaj të gjithëve.
Si mund ta zbatojmë Rregullën e Artë?
1. Ji vëzhgues. Kushtoju shumë vëmendje njerëzve që ke përreth. Për shembull, mbase sheh dikë që mezi po mban çantat e pazarit, dëgjon që një fqinj është në spital ose vë re që një koleg është i shkurajuar. Kur ‘kërkon interesat e të tjerëve’, ka të ngjarë të gjesh mundësi të thuash ose të bësh diçka që i ndihmon.—Filipianëve 2:4.
2. Ji empatik. Vër veten në vend të tjetrit. Si do të ndiheshe po të ishe në të njëjtën situatë? (Romakëve 12:15) Kur përpiqesh të kuptosh ndjenjat e të tjerëve, mund të nxitesh t’i ndihmosh.
3. Ji elastik. Mos harro se të gjithë jemi të ndryshëm. Atë që të tjerët mund të duan të bësh për ta, mund të mos jetë njësoj si ajo që do ti prej tyre. Prandaj, mes shumë gjërave që mund të bësh, përpiqu të zgjedhësh ato gjëra që tjetri do t’i çmonte më tepër.—1 Korintasve 10:24.