A ËSHTË PROJEKTUAR?
Mukusi ngjitës i ligavecit
Ndër vite kirurgëve u janë dashur adezivë mjekësorë që t’i ndihmojnë gjatë ndërhyrjeve kirurgjike dhe në shërimin e indeve të dëmtuara. Shumë ngjitës që janë në dispozicion sot nuk mund të përdoren brenda trupit. Ata janë toksikë, ngurtësohen kur aplikohen në plagë dhe nuk ngjiten në inde të lagështa. Teksa studionin mukusin e një ligaveci, Arion subfuscus, shkencëtarët kanë gjetur zgjidhjen e këtyre problemeve.
Shqyrto faktet: Kur ligaveci ndihet i kërcënuar, sekreton mukusin që e ndihmon të ngjitet në një gjethe të lagët. Ky mekanizëm e mbron nga grabitqarët dhe njëkohësisht i jep lirshmëri për të lëvizur.
Studiuesit analizuan mukusin e tij dhe zbuluan disa faktorë që e bëjnë tejet të efektshëm këtë ngjitës natyror. Për shembull, ai përdor si lidhjet kimike, edhe forcën elektrostatike tërheqëse. Depërton nën sipërfaqen ku ngjitet ligaveci e ka elasticitet edhe kur mbi të ushtrohet presion. Studiuesit kanë imituar veçoritë e mukusit të ligavecit dhe kanë krijuar një lloj ngjitësi shumë herë më të fortë se ata që përdoren sot në mjekësi. Ngaqë ka aftësinë të ngjitet mirë në një organ, thuhet se ai «bëhet njësh me organet, njësoj siç bëhet njësh kërci me kockën».
Ekspertët besojnë se ky ngjitës mund të ketë përdorim të gjerë në mjekësi, duke eliminuar kështu penjtë dhe kapëset kirurgjikale. Gjithashtu mund të përdoret për të riparuar kërcet e dëmtuara ose për të vendosur pajisje mjekësore fiks ku duhet në trup. Tashmë është provuar efektshmëria e ngjitësit duke mbyllur vrimën e zemrës së një derri dhe duke qepur mëlçinë e miut.
Shpesh, shkencëtarët zbulojnë zgjidhje të shkëlqyera për probleme të zakonshme duke vëzhguar natyrën. Donald Ingberi, drejtori i institutit që krijoi këtë adeziv sintetik, komentoi: «Duhet të dish ku të kërkosh dhe të dallosh një ide të mirë kur të del përpara.»
Si mendon? A erdhi me evolucion ngjitësi natyror i mukusit të ligavecit? Apo është projektuar?